Manifestimi i Metës dhe shoqëria e etur për protestë

0
112

Nga Agron Gjekmarkaj

Manifestimi i thirrur nga Presidenti i Republikës ishte dëshmi e faktit se në shoqërinë shqiptare ka etje për protestë e vetëdije për kapje të shtetit nga një dorë e vetme. Nga pikëpamja e etikes publike ishte një shfaqje moderne dhe komunikuese. Mesazherët e saj ishin një gjetje kumbuese. Pjesëmarrja e madhe vuri në pozitë të vështirë skeptikët, të cilët predikonin se Ilir Metës nuk do t’i bashkoheshin shumë qytetarë. E kundërta ndodhi.

Semantika e protestës na thotë që, megjithëse Kryeministri ka në një dorë gjithçka dhe të gjitha pushtetet si një monark absolutist, qytetaret ai nuk i ka thyer, nuk i ka me vete. Pas ndryshimit të strategjisë nga ana e opozitës, e cila la mënjanë demonstrimet zemërake, u krijua një zonë bosh dhe revanshi i qeverisë u rrit. Gjuha e arrogancës, snobizmit dhe denigrimit të kundërshtarit si përligjje për akte konkrete dominimi të institucioneve njohu ekstreme. Akti më kulmor ishte miratimi i ligjit, që shmang Presidentin e Republikës nga procedura kushtetuese e betimit, duke ndërhyrë me ligj në Kushtetutë e duke kryer kësisoj një shkelje të saj. Qëllimi është i qartë, zotërimi i Gjykatës Kushtetuese, kur prej saj priten vendime me rendësi të madhe politike. Institucioni i Presidentit ka mbetur i vetmi, i cili nuk merr urdhra nga Edi Rama. Pos mbështetësve personalë, qytetarëve të paangazhuar, të cilët ndiejnë rrezik, militancës së LSI-së, me gjasë kontribut në atë prurje ka edhe pjesa kryesore e opozitës, PD, e cila e mbështolli praninë me terma të butë qytetarie në mbrojtje të librit themeltar të shtetit.

Presidenti adresoi me forcë dhe me një gjest të pazakontë shqetësimet e veta, të cilat përkojnë me interesin publik. Megjithatë, nëse Ilir Meta dëshiron të vazhdojë si kryetar shteti, do ta ketë të vështirë të vazhdojë me kronologji protestash sepse ato do t’i krijojnë atij një sërë keqkuptimesh me ndërkombëtarët dhe me opozitën për ngatërrim rolesh. Po ashtu, ai do të shndërrohet në një target më lehtë të sulmueshëm nga propaganda e qeverisë, përtej kauzës së drejtë që po mbron.

Disa ngjarje janë në horizont. Reforma Zgjedhore dhe samiti i Zagrebit, prej të cilit priten disa parakushte shtesë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Qarkullojnë zëra që ato do të kenë karakter politik e detyrues për Kryeministrin Edi Rama. Nëse pas këtyre nuk ka lëshime dhe vullnet për dialog, atëherë opozitës i mbetet vetëm protesta. Ajo ka detyrimin ta mbështesë Presidentin në betejën e tij si simbol i unitetit të popullit e garant i Kushtetutës, pa e vënë atë në pozitën e parehatshme të përballet në çdo rast në vetë të parë me qeverinë si kundërshtar i saj. Vetëm në dy ditë, pamë dy tubime me natyra krejt të kithëta. Pardje Kongresin e PS-së, në të cilin spikati ligjërimi lëpirës i ministrave ndaj Ramës dhe mosbesimi i tij ndaj tyre, arroganca e gjuhës dhe e akteve, sidomos kur në skenë Kryeministri ngjiti një sigurims 100- vjeçar e me urdhër ngriti në këmbë një sallë të tërë për ta duartrokitur dhe në anën tjetër, qytetarë pa pushtet që janë gati të përballen me pushtetin, qoftë duke ndjekur Presidentin apo opozitën.

Dje Ilir Meta shfaqi disa cilësi, që prej vitesh i kishte futur në sirtar, përtej disa gjesteve teatrale, spikati vendosmëria e veprimit, e cila mund ta riformatojë përsëri politikanin Ilir Meta në kurriz të Presidentit Ilir Meta. Të dyja në të njëjtën kohë nuk mund t’i bëjë. O njërën, o tjetrën nëse e ka prej së vërteti betejën për Kushtetutën, duke ndryshuar instrumentet dhe qasjet. Deri atje ishte brenda kufirit, që simbolika dhe mbi të gjitha shqetësimi i lejojnë. Darka e së hënës ishte historike dhe e mirë për Ilir Metën. Ai duhet t’i ruhet tejkalimit të së drejtës! Kapja e shtetit duhet shndërruar në kauzë shoqërore. I takon asaj ta mbrojë shtetin, d.m.th. shoqërisë. Në shoqëritë demokratike kështu ndodh.

/panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here