Standard.al

“Pa pendesë”, me rastin e vdekjes së Nexhmije Hoxhës

0

Nga Anila Shuka

Ajo dilte gjithnjë buzëgaz në anën e të shoqit, e shoqja e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës ruante gjithmonë të njëjtin imazh: flokë të ndara me vizë anash, dy karfica prapa veshëve, xhaketa e kostume burrërore.  Gjatë shekullit në të cilin ajo jetoi, në Shqipëri ndryshoi shumëçka, Ajo  mbeti e njëjta, jo vetëm nga pamja e jashtme, por edhe nga mendja,

Nexhmije Xhuglini u lind më 7 shkurt 1921 në Manastir (atëherë Jugosllavi, tani Maqedonia e Veriut), por u rrit në Tiranë. Ajo ishte një nga vajzat e pakta në Shqipërinë ende me mendësi otomane të asaj kohe që mund të shkonin në shkollë. Si nxënëse e Institutit Pedagogjik të Tiranës, i përkiste rinisë fashiste. Si 20-vjeçare iu bashkua Partisë Komuniste, të cilën prej dy vjetësh e drejtonte Enver Hoxha. Më pas ajo do ta linte punën si mësuese filloreje për të dalë në mal si partizane. “Ajo përfaqësonte brezin e ri, veçanërisht atë të grave të reja, të cilat në shoqërinë e dominuar prej burrave kërkonin “gjysmën e qiellit”  dhe të cilat luftuan krah për krah tyre – edhe me armë në dorë – për një Shqipëri më të drejtë dhe më njerëzore “, sqaron historiani gjerman, Michael Schmidt-Neke, për DW.

Me ndikim të madh

“Por nga ana tjetër, askush tjetër si ajo nuk i  ka tradhëtuar idealet humaniste, për idenë e gabuar se një shoqëri më njerëzore mund të ndërtohej mbi kufoma njerëzish dhe jetësh të shkatërruara”, shton më tej Schmidt-Neke.

Në vitin 1945 Nexhmije Xhuglini u martua me Enver Hoxhën, asokohe dymbëdhjetë vjet më i madh në moshë, Në të njëjtin vit në Shqipëri u instalua një nga diktaturat më të egra të shekullit XX. Gjatë kësaj periudhe Nexhmije Hoxha kishte disa poste zyrtare, si drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, si deputete në Kuvend, si antare e Komitetit Qendror të Partisë.

“Nexhmije Hoxha kishte shumë më tepër ndikim se shumica e grave të tjera të liderëve të komunizmit”, thotë Schmidt-Neke, ndoshta me përjashtim të Margot Honecker dhe Elena Ceausescut.  “Pra, pas vdekjes së Enver Hoxhës në vitin 1985, ajo nuk u dërgua në pension, por u bë përfaqësuese e krahut konservator, pra, kundër reformave, ndaj të cilit pasardhësi i Hoxhës, Ramiz Alia, nuk kishte gjithonë sukses.”

Sidomos në dhjetëvjeparin e fundit para se të vdiste i shoqi, flitet se Shqipëria është drejtuar prej saj. Një periudhë që u shoqërua me disa likujdime partiake, çka ka bërë që asaj t’i jepj nofka Lady Macbeth ose “vejusha e zezë”. Por Schmidt-Neke thote se ndikimi i saj nuk është arritur ende të studiohet në mënyrë objektive.

Pa pendim

Mbi 6.000 njerëz u ekzekutuan gjatë diktaturës, mbi 34.000 u arrestuan, rreth 1.000 vdiqën në paraburgim, dhe mbi 59.000 kaluan jetën në kampe internimi, shumë syresh vetëm se kishin mendim të kundërt, donin një socializëm më të butë, më social-demokratik, kishin  shkruar poezinë e gabuar, organizonin  rituale fetare, ose thjesht kishin lindur në familjen “e gabuar”.

Nexhmije Hoxha nuk i mohoi krimet që bëri regjimi i saj ndaj njerëzve të pafajshëm. Por as nuk shprehu kurrë keqardhje e as nuk u pendua kurrë për to. Përkundrazi: në një intervistë të dhënë në revistën gjermane “Der Spiegel”  në vitin 2004 ajo tregon me një logjikë sa  të ftohtë aq edhe të frikshme  arsyen e kësaj politike. “Armiqtë tanë të jashtëm u bënë alate me opozitarët në vendin tonë. Prandaj ne u detyruam të shkatërronim familjet e tyre,  dhe t’i dëbonim nga Tirana rebelët së bashku me të afërmit e tyre. Ata pastaj iu luteshin krerëve të opozitës kundër nesh: Dorëzohuni, ndryshe do të dënohemi ne të gjithë. Vëllezër, kushërinj, prindër, i  kemi bërë të gjithë të vujanë  për të arritur synimin tone të drejtë”, thoshte Nexhmije Hoxha në atë intervistë. Schmidt-Neke konstaton se ajo me këtë e diskreditoi veten si dëshimtare e kohës për krimet e komunizmit.

Pa dënim

E megjithatë, Nexhmije Hoxhës nuk iu bë kurrë gjyqi për këtë gjë. “Ato pesë vjet që i kaloi në burg, nga viti 1992 deri në vitin 1997, ishin më shumë rezultat i një procesi gjyqësor kaotik e me shumë probleme teknike, prej të cilit mbeti vetëm akuza e shpërdorimit të fondeve publike, të cilin njerëzit me tallje e quajnë ‘Gjyqi i kafeve’. Gjyqi  nuk ka kontribuar aspak në zbardhjen dhe shtrimin e rrugës së përballjes së drejtë me të shkuarën tonë diktatoriale”, thotë analisti nga Tirana, Armand Plaka, në një intervistë për DW.

Deri në vitet e fundit e të jetës ajo jetoi në një lagje periferike të Tiranës, në Laprakë, në një banesë  që ndodhej në ndërtesën e një kazerme të vjetër ushtarake. Në një intervistë dhënë para disa vitesh për emisionin “Dritare” të televizionit Vizion Plus, ajo shpjegoi se përse kishte  jetuar aq gjatë: “Vetëm për të rehabilituar figurën e të shoqit”, për të treguar atë që ajo e quante të vërtetë. Tani nuk kishte dëshirë tjetër, veçse të shonte tek Ai, tha ish-ateistja.

U deshën edhe katër vjet derisa ky vullnet të reaizohej. Ndërkohe ajo botoi edhe një libër tjetër me “të vërtetën e saj”. Vërtet që shumë pak njerëz i lexojnë ato libra në Shqipëri. Numri i njerëzve që derdhën lotë për të ishte vërtet relativisht i vogël. Por një gjë është evidente: Shqipëria që donte të ndërtonte ajo me shokë, edhe 30 vjet pas ndryshimit të sistemmit, nuk po e gjen dot veten në botën e re, është thellësisht e përçarë dhe vazhdon të lëpijë plagët e hapura të shkaktuara nga sistemi enverist.

/ DW 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.