Standard.al

‘Shqiptarët janë gëzuar, vdiq Lady Makbeth, kriminelja e Shqipërisë’

0

Në Tiranë vdiq në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit Enver Hoxha, i cili sundoi Shqipërinë me grusht të hekurt për dekada me radhë.

Vdekja e saj u njoftua sot nga familja.

Pas rrëzimit të diktaturës, në vitin 1992, Nexhmije Hoxha, e njohur si Zonja e Zezë e Ballkanit, u arrestua dhe u dënua me burgim për shpërdorim të fondeve qeveritare.

Ajo asnjëherë nuk hoqi dorë nga vlerësimi i bashkëshortit, duke refuzuar ta quajë atë diktator.

Gjatë regjimit të Hoxhës nga viti 1945 deri në 1991, 5, 577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan. Më shumë se 26 mijë njerëz u burgosën dhe 77 mijë u dërguan në kampe të punës.

Shkrimtari Uran Kostreci, ish i denuar politik i regjimit komunist, reagoi pas daljes së lajmit:

‘Unë po ju them se sot ka vdekur Lady Makbeth. Ajo nuk ishte vetëm e shoqja e Enver Hoxhës, i cili ka bërë një mal me krime në kurriz të shqiptarëve, por ishte edhe bashkëpunëtore e tij në këto krime.

Mendoj se shqiptarët janë gëzuar sot me këtë lajm, se iku një person aq i urryer.

Megjithatë, kjo vdekje nuk e mbyll as dosjen e diktaturës as kapitullin e nostalgjikëve të regjimit komunist.

Urojmë që ajo të tërheqë këmbën zvarrë dhe të marrë me vete edhe ca nga këta nostalgjikët e diktaturës, se ende janë shumë. Ata janë mjaft të rrezikshëm, sepse disa kanë qenë edhe vet në terren gjatë aksioneve kriminale të diktaturës, madje kanë bërë edhe vrasje me dorën e tyre.

Ne të dënuarit politikë nuk vrasim njeri, sepse ky është ndryshimi ynë me ata.

Krimet që ka bërë ajo klikë, ajo kastë, ajo mafie komuniste kanë qenë të tmerrshme dhe vërtet njeriu duhet të gëzojë kur nga këta njerëz kaq të urryer largohen nga kjo jetë dhe na hiqen qafe e të mos i shohim më të paktën’- tha shkrimtari Uran Kostreci, ish të dënuar politik i regjimit komunist.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.