Standard.al

A po kthehet Shqipëria gropë për mbeturinat italiane?

0

Nga Erblin Vukaj

Në vitin 2011 shkrimtari italian Roberto Saviano paralajmëroi Shqipërinë të bënte kujdes nga pazari mafioz i plehrave:

“[…] atje ku ka hapësirë [ligjore] ka biznes për mbeturinat […] nëse cikli i mbeturinave nuk është i qartë, i kontrolluar në çdo kalim, rrezikon të kthehet në një gropë që duhet mbushur […]”.

Rreth 10 vite më vonë, dy raste të kapura në pak ditë kthejnë vëmendjen te hapësirat që i lë shteti shqiptar biznesit të mbetjeve, fshehtësisë dhe marifeteve me të cilat ai mbulohet.

Në vitin 2011, Rama – asokohe në opozitë, – e cilësonte importin e plehrave “rrezik kombëtar”. Për ta ndaluar këtë rrezik në tetor 2011 mbështeti idenë e referendumit. Por në vitin 2013 ndaloi referendumin dhe tre vite më vonë ndryshoi qasje.

Në vitin 2016 Rama mbrojti ndryshimet ligjore që i hapnin rrugë importit të plehrave me justifikimin se kështu ndihmohej industria e riciklimit.

Në studiot televizive pranonte se prej 20 vitesh “grupe dhe klane të ndryshme kanë dashtur të hapnin furra për të djegur plehra në Shqipëri” (Lexo këtu: Historiku i ligjit për importin e plehrave).

Por ai garantonte se ligji (92/2016 – të cilin Presidenti ia ktheu për rishqyrtim) dhe qeveria e tij do ta ndalonte importin e plehrave për djegje.

Koha tregoi të kundërtën. Qeveria nuk e kaloi më ligjin. Në faqen e Kuvendit ai mbetet në statusin “kthyer për rishqyrtim”. Fakti se sot dihen 4 projekte të inceneratorëve (impiantet e djegies së plehrave) të bën të kuptosh se për çfarë u punua këto vite.

Në intervistën e një dhjetëvjeçari më parë Saviano paralajmëronte për:

“Kujdes! [Pasi] Çdo minierë do t’ju shndërrohet në vendshkarkim mbeturinash, çdo fabrikë e braktisur do t’ju shndërrohet në magazinë plehrash. […] Nuk po e sheh vetëm Italia mafioze hapësirën shqiptare si bzines për mbeturinat.”

Së fundmi groposja e një sasie azbesti dhe vajrash të ndotura u bllokua në Vlorë. Lloji i lëndës kancerogjene u denoncua nga opozita. Ajo ishte futur në fuçi dhe qese plastmasi dhe kontrabandohej nga Italia si kimikate.

Për qytetarët, policia u mjaftua të thoshte se materialet nuk ishin radioaktive. Asgjë rreth vendit ku do të groposeshin, sasisë së kapur, apo raportimeve në media se ngjashëm ishin bërë edhe 14 rrugë të tjera.

Po nga Italia, 25 tonë mbeturina elektroshtëpiakesh të prishura u kapën në Ankona. Edhe ato kishin destinacion Shqipërinë dhe po përpiqeshin t’i kalonin kontrabandë, pasi klasifikohen të rrezikshme për mjedisin.

Hipokrizia dhe lojërat politike e kanë bërë shoqërinë memece. Për raste të tilla është dëgjuar, apo edhe parë, por askush nuk flet për gropat që po mbushen./Exit.al/

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.