Teatri shpëtoi nga projekti korruptiv, por jo nga të korruptuarit

0
95

Nga Gentian Gaba

Për publikun e gjerë, të pavëmendshëm ndaj zhvillimeve mbi çështjen e Teatrit Kombëtar, tërheqja e Bashkisë nga zbatimi i ligjit special ‘Fusha’, erdhi si një rrufe në qiell të pastër. Por nuk është kështu. Ajo hapësirë e ngushtë qielli, që mbledh godinën e Bashkisë dhe atë Teatrit Kombëtar, ka qenë përherë e trazuar. Prej 8 shkurtit 2018 shkreptimat e shumta, pjesa më e madhe të shkaktuara nga mbrojtësit e Teatrit, kanë çuar në një nivel krejt të ri kuptimin e angazhimit qytetar. Një lëvizje xhenuine, pa asnjë lidhje me shoqërinë civile të subvencionuar me bujari nga vendorë e të huaj, si ato që prodhuan ‘mjaftistët’ që sot janë me kazmë në dorë përballë Teatrit, e cila lindi nga nevoja për të tejkaluar protestën si një kundërshtim ndaj padrejtësisë të një ligji antikushtetues, dhe për t’u shndërruar në një vektor ndryshimi për të ndërmarrë veprime të cilat prodhuan reagime politike brenda dhe jashtë vendit.

Kësisoj, ajo që duket, përplasja me policinë në 24 korrik 2019, marrja e godinës, vendosja në përdorim nëpërmjet ‘Festivalit për mbrojtjen e Teatrit’, gjatë të cilit janë realizuar me fonde qytetare më shumë se 60 shfaqje me artistë vendas dhe të huaj, mbrojtja njëzetekatërorëshe etj., është pjesa më sipërfaqësore e kësaj historie të paprecedentë për vendin tonë, por edhe gjetkë. Pjesa tjetër, e padukshmja, është këmbëngulja dhe puna për të ndërtuar një strategji reaguese, nëpërmjet mediave ndërkombëtare, artistëve nga gjithë Kontinenti i Vjetër, eksponentë zhurmëmëdhenj të kulturës europiane, e cila kulmoi me përfshirjen e organizatës Europa Nostra në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Diçka që përkthehet në njohjen e godinës si monument kulture europiane, si dhe një mundësi për ta restauruar falë mbështetjes ekonomike të Bankës Europiane të Investimeve. Kjo aleancë, që u kthye në simbol të opozitarizmit, me mbështetjen e qytetarëve dhe të opozitës, me përkrahje që tejkalon kufijtë e Shqipërisë, krijoi një trysni mbi ideatorët e projektit klientelist dhe korruptiv të atillë sa mos të kishte asnjë hapësirë për të çuar në destinacion PPP-në për Teatrin Kombëtar. Në pamundësi për të arritur qëllimet ogurzeza mbi godinën historike dhe truallin publik, Bashkia ngriti flamurin e bardhë.

Sigurisht kjo nuk mund të përkthehet si fitorja finale e artistëve dhe qytetarëve. Deri më tani Teatri shpëtoi nga projekti korruptiv, por jo nga të korruptuarit që synojnë pasurimin nëpërmjet tij. Për më tepër që plani B, si për të shpëtuar erzin e porositësit të fadromave, u shpall vrik e vrik nga kreu i Bashkisë dhe mëkëmbësi i tij. ‘Teatri do të ndërtohet me para publike’, thotë deklarata e kësaj të mërkure. Një piruet që ngjalli optimizëm të madh, pasqyrë e mbështetjes që kauza gëzon në opinionin publik, por edhe mjaft mosbesim. Sidomos duke pasur parasysh faktin se ata që sot deklarojnë se kanë 30 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë për të ndërtuar Teatrin, përpara dy vitesh kërkonin një PPP me shtatë kulla për shkak të mungesës së parave. Paqartësitë shtohen nëse kemi parasysh se, në shtetin më të varfër të Europës, që lypi në të gjitha gjuhët e botës fonde për rindërtimin, indekset rritëse nuk kanë qenë ato të ekonomisë, por të korrupsionit. Po aq dyshues është fakti që, në dritë të një vullneti mazhoritar për ta shpëtuar, si dhe të mbështetjes së Europa Nostra për ta restauruar, këmbëngulet me verbëri për të shpenzuar 30 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve, në kurriz të kujtesës dhe historisë së tyre. Në të tilla raste, kur sipas pushtetit gëlojnë fondet, arsyeja do të sugjeronte që ato të shpenzoheshin në një vend si Bulevardi i ri, aty ku po ndërtohet edhe Bashkia e re. Kësodore i jepet kryeqytetit një teatër më shumë si dhe më shumë gjëra për t’u kujtuar dhe trashëguar.

Por vullneti nuk është ky. Vullneti është i njëjti me atë që në vitin 2017, me VKM, i hoqi Teatrit statusin ‘Monument Kulture’, për ta kthyer në monument të babëzisë së korrupsionit. Është po ai vullnet që e përcaktoi si të rrezikshëm, edhe me firmat e inxhinierëve pa licencë. Është po ai vullnet që guxon të tjetërsojë historinë e tij, duke e quajtur dopolavor, edhe pse liliputët që e kanë anatemuar janë një hiç krahasuar me personalitetet e shumta që e kanë rrëfyer mrekullisht atë, si për shembull Aurel Plasari. Prandaj, pas tërmeteve, që hodhën poshtë pretendimet e sajuara mbi sigurinë e godinës; pas bekimit të Europa Nostra, që fshiu njollat e fabrikuara nga propaganda e pushtetit, tërheqja nga ligji special është vetëm beteja e radhës e fituar nga mbrojtësit e godinës, por jo fundi i luftës.

Plani B, që ka po atë oreks për kulla dhe shkatërrim të trashëgimisë, është beteja e radhës. Ndonëse pas më shumë se dy vitesh qëndresë, opinioni publik e ka përherë e më të qartë se korrupsioni mbetet e vetmja arsye që pushteti ka për të kërkuar shembjen; që Teatri të shpëtojë, duhet të ikin ata që kërkojnë shkatërrimin e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here