Standard.al

Shtatzanat në radhë: Si do të aplikohet on-line për lejet e lindjes

0

Nga 1 janari i këtij viti, dokumentacioni për përfitimin e lejes së lindjes së punonjësve nga biznesi duhet të plotësohet online.

Në portalin qeveritar e-Albania, përvec aplikimit nëse biznesi regjistrohet për herë të parë, duhet të dorëzohet online i skanuar edhe raporti mjekësor për lejen e lindjes të përfitueses.

Procedurat e reja shmangin dorëzimin fizikisht në zyrat e ISSH të dokumentacionit për përfitimin e lejes së lindjes, por megjithatë kanë krijuar radhë të gjatë në zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Shkak i radhëve të gjata është se përfaqësuesit e biznesit nuk janë të orientuar për hapat që duhet të ndjekin online.

Sipas shqetësimeve të ngritura nga biznesi, në sportelet e ISSH kërkohet që aplikimi të kryhet online dhe të dorëzohet i printuar pranë tyre vetëm formulari i aplikimit.

Biznesi përvec mungesës së orientimit te procedurave, ngre si shqetësim edhe mosfunksionimin online te procedurave, duke i detyruar ata të paraqiten fizikisht në sportele.

Agjencia e Kombëtare e Informacionit sqaron për Monitor procedurat që duhet të ndjekë online biznesi në platformën e-Albania  për lejen e lindjes.

Udhëzimi për zbatimin e procedurave orienton hap pas biznesin për veprimet që duhet të kryejnë online në platformën e-Albania.

AKSHI garanton se procedurat e reja funksionojnë online dhe mund të zbatohen lehtësisht nga biznesi.

Procedurat online për perfitimin e lejes së lindjes

Sipas AKSHI-t tashmë të gjitha bizneset  duhet të aplikojnë online që punëmarrësit e tyre të përfitojnë shpërblimin e lindjes,  nëpërmjet shërbimit elektronik “Kërkesë për shpërblim lindje për personat e punësuar”.

Për të kryer me sukses një aplikim, fillimisht duhet të kryhet procesi i regjistrimit në platformën e-Albania, prej titullarit të institucionit (përfaqësuesit ligjor të tij), nëse nuk është kryer më herët kjo procedurë. Titullari, nga llogaria e tij personale tek e-Albania,  identifikohet në portal dhe më pas duhet të drejtohet te rubrika “Hapësira ime” e më pas te nënrubrika “Regjistro nje biznes”, duke plotësuar me të dhënat e institucionit formularin që shfaqet online.

Më kryerjen e regjistrimit si biznes në portal, duhet të kryhet identifikimi si biznes në platformë, duke zgjedhur opsionin “Identifikimi i qytetarëve/bizneseve me fjalekalim” dhe të vendose tek Kodi i Përdoruesit NIPT-in e institucionit dhe fjalëkalimin e zgjedhur për këtë llogari online.

Me identifikimin me sukses në platformë, duhet zgjedhur shërbimi elektronik: “Kërkesë për shpërblim lindje për personat e punësuar” dhe të nisë aplikimi online duke klikuar butonin “Përdor”.

Nëse bëhet fjalë  për një aplikim që duhet të kryhet rishtazi, përdoruesi i shërbimit duhet të klikojë butonin “Aplikim i ri”, ku menjëherë do t’i shfaqet formulari online.

Në fillim do të zgjedhë drejtorinë rajonale të qarkut ku ndodhet dhe vepron, ndërkohë që në seksionin e parë të formularit të dhënat janë plotësuar automatikisht për subjektin, falë ndërveprimit të sistemeve elektronike të institucioneve shtetërore të përfshira në procedurë.

Në seksionin e dytë të formularit, punëdhënësi vendos numrin identifikues të punonjësit që do të përfitojë shpërblimin duke mundësuar plotësimin automatik të të dhënave.

Në pjesën e tretë të formularit, zgjidhet nëse shpërblimi është përpara lindjes ose pas lindjes, duke e shoqëruar opsionin e dytë edhe me numrin ose numrat identifikuese të fëmijës ose fëmijëve të lindur; zgjidhet muaji specifik për kalimin e shpërblimit dhe mënyrën që do të merret, nëse do të jetë nërpërmjet postës apo bankës.

Në fund të aplikimit ndodhen dokumentet shoqëruese që duhet të sigurojë punëdhënësi, i cili i ngarkon ato në platformë, specifikisht: Raporti mjekësor për barrëlindje apo dokumente të tjera shtesë në varësi të situatës.

Pas plotësimit të formularit, ngarkimit të dokumentacioneve dhe klikimit të butonit “Apliko”, procedura rezulton e kryer nga ana e aplikantit.

Më përfundimin e gjithë veprimeve, punëmarrësi përfiton shpërblimin e lindjes dhe punëdhënësi lehtësisht ka kryer veprime, për të cilat më parë i duhej që t’i kryente fizikisht pranë sporteleve të Insitutit të Sigurimeve Shoqërore.

Shërbimet e reja

Pas 1 janarit të këtij viti online në platformën e-Albania biznesit iu krijua mundësia që të kryejë 472 lloje shërbimesh.

Sipas AKSHI-t kryerja e shërbimeve online ka si qëllim që të shmangen radhët nëpër sportele, si dhe burokracitë në zbatimin e shërbimeve, duke mos i krijuar biznesit kosto shtesë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.