Standard.al

Pse demokracitë janë më të afta në luftën ndaj epidemive

0

Nga Ariana A. Berengaut “The Atlantic”

 

* Kur Tedros Gebrejesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, u shpreh në fund të muajit të kaluar se epidemia e koronavirusit të ri, ishte një emergjencë ndërkombëtare e shëndetit publik, ai u duk se u sforcua jo pak për të “lavdëruar” Kinën për reagimin e saj ndaj patogjenit.

“Në shumë aspekte, Kina po vendos një standard të ri në përgjigjen ndaj një epidemie, dhe ky nuk është një ekzagjerim”- tha ai. Ndërsa sëmundja e re, e quajtur tani COVID-19, u shndërrua në një krizë shëndetësore, zyrtarët kinezë kishin futur në karantinë qytete të tëra brenda disa ditësh, kishin pezulluar udhëtimet, mbyllur shkollat dhe bizneset, dhe vendosur kufizime të mëdha për ata që mund të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Studiuesit kinezë e izoluan dhe ndanë shpejt gjenomin e virusit, duke i dhënë mundësi laboratorëve në të gjithë botën që të nisin punën për krijimin e vaksinës për këtë virus. Kina ndërtoi dy “spitale të specializuara” të reja brenda 10 ditësh, pamjet e të cilave media shtetërore ua shpërndau të gjithëve përmes mediave sociale.

Zyrtarët e OBSH-së, vazhduan të lavdërojnë reagimin e Pekinit, edhe pas raporteve që treguan se fshehtësia dhe censura e qeverisë kineze, kishin ndihmuar shpërthimin e epidemisë. Kriza që po shpaloset tani në Kinë, shtron një pyetje të pakëndshme:A janë qeveritë autoritare më të afta sesa demokracitë, për ta përballuar sfidën që ngre një epidemi?

“Modeli kinez”, është tërheqës për kritikët e demokracisë, për të cilët reagimi i fortë i Kinës ndaj shpërthimit të COVID-19, duket si një tjetër provë e autoritarizmit. Por një praktikë e mirë e shëndetit publik nuk kërkon vetëm kontroll. Ajo kërkon gjithashtu transparencë, besim publik dhe zakonin e bashkëpunimit, që i lejon shoqëritë e lira të reagojnë më mirë ndaj pandemive. Aftësia e demokracive për të përballuar COVID-19, do të testohet shumë shpejt. Pas përhapjes në Korenë e Jugut, Japoni dhe Itali ditët e fundit, zyrtarët atje po diskutojnë se si të reagojnë. Por qytetarët e vendeve demokratike, mund të presin në mënyrë të arsyeshme një nivel më të lartë të dashurisë dhe përgjegjshmërisë nga qeveritë e tyre.

Për shembull, qytetarët amerikanë, mund të mbështeten tek objektiviteti dhe saktësia e Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, raporti javor i të cilës ka qenë një element i një komunikimi jetik midis qeverisë dhe publikut në një formë apo tjetër, që nga fundi i viteve 1800.

Një raportim i besueshëm, u jep mundësi epidemiologëve të parashikojnë trajektoren e një sëmundjeje, studiuesve të zhvillojnë trajtime dhe vaksina, dhe publikut të mbrojë veten e tij. Përkundrazi, Kina fshehu në mënyrë aktive epideminë e SARS-it në vitin 2003, dhe veçanërisht në fazat fillestare të COVID-19, duket se ka bërë sërish të njëjtën gjë.

Autoritetet lokale, censuruan qëllimisht raportet e hershme mbi virusin e panjohur, duke humbur shansin që mjekët ta ndalonin sëmundjen infektive, përpara se ajo të përhapet gjerësisht. Kur njëri nga mjekët, Li Uenliang, u përpoq të paralajmëronte miqtë në median sociale ËeChat, ai u thirr në polici, ku iu kërkua të mbyllte gojën.

Pak javë më vonë, ai vdiq nga ndërlikimet e shkaktuara nga COVID-19. Fshehja fillestare e virusit nga Kina, nuk ishte rezultat i mosfunksionimit të sistemit. Në një shtet autoritar, fshehjet e ngjarjeve ndodhin për shkak të modelit. Gjuha e autoritarizmit – gjuha e frikës dhe forcës – është ajo që çdo aparat i rangut të ulët, nga Pripjati në Ukrainë në kohën e ngjarjes së Çernobilit deri në Vuhan, e kupton kur ajo vepron me nismën saj për të “varrosur” një lajm të keq.

Partia Komuniste e Kinës, thotë tani se dëshiron të dëgjojë të vërtetën. Por besimi publik, nuk është një burim, që një qeveri mund ta hapë dhe mbyllë si uji i rubinetit. S’ka asnjë dyshim se Kina mund të ndryshojë sjellje të caktuara të saj në një periudhë afatshkurtër. Por sa më gjatë që të zgjasë kriza, aq më pak efektive do të jenë taktika të tilla.

Edhe demokracitë nuk janë të përsosura. Në vitin 2014, infermierja Kasi Hikoks që ishte marrë me trajtimin e Ebolës në Afrikë, u detyrua të futet në karantinë në aeroportin e Njuarkut në SHBA pa ndonjë shkak të qartë mjekësor, ndërsa në fillim u ndalua të takonte avokatin, apo të afërmit e saj.

Por në dallim nga sistemet autoritare, qytetarët në një demokraci kanë në dispozicion kanale përmes të cilave ata mund të rifitojnë të drejtat e tyre, dhe të kërkojnë drejtësi për abuzimin në fjalë. Edhe pse gjykatat amerikane zakonisht i njohin të drejtën autoritetit të një shteti të miratojë urdhrat e nevojshëm për karantinë, padia e Hikoks kundër zyrtarëve të shtetit të Nju Xhersit, çoi në ndryshime të rëndësishme në ligjin përkatës.

Në vend se të minonte besimin e publikut, incidenti ndihmoi në forcimin e tij. Lehtësia me të cilën përhapet një sëmundje infektive në të gjithë botën, kërkon bashkëpunim ndërkombëtar për ta frenuar atë, dhe demokracitë bashkëpunojnë më shumë sesa autokracitë.

Bota nuk mund ta dijë kurrë sa jetë njerëzish mund të ishin shpëtuar, nëse të gjitha vendet do të përqafonin normat demokratike të transparencës dhe bashkëpunimit. Por ndërsa Kina zgjeron më tej kufizimet ndaj zonave të vendosura në karantinë, ajo na jep një shembull të vogël të së ardhmes, ndaj të cilës bota duhet të shqtësohet.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.