Standard.al

Bozdo: Nexhmija vdiq duke justifikuar deri në fund krimet makabre

0

Vdekja në moshën 99 vjeçare, e Nexhmije Hoxhës, të vesë së Enver Hoxhës, ka sjellë edhe reagimin e antarit të Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo.

Bozdo shkruan se Nexhmija vdiq në paqe me veten, madje edhe duke justifikuar vdekjet makabre, por gjyqi i saj final do të jetë me Krijuesin që do ta dërgojë në rrethin e fundit të ferrit, duke shpresuar se do të vuajë pafund atje.

Postimi i plotë:

 

‘Nexhmije Hoxha vdiq. E papenduar deri në fund për krimet e tmerrshme të saj dhe të bashkëshortit të saj.

Vdiq në paqe me vetveten, madje duke i justifikuar vrasjet makabre, zhbërjen e Shqipërisë, masakrën mbi shqiptarët, varfërinë ekstreme, tmerrin dhe absurdin, në emër të ideologjisë më gjaksore të shekullit XX.

Përballë saj qëndrojmë ne, robër të një shoqërie të shqyer, që nuk pati kurrë guximin të shikojmë të vërtetën në sy dhe t`i japim komunizmit vendin e turpshëm historik që meriton. Sepse ne arritëm vetëm t`i bëjmë gjyqin Nexhmijes dhe Nexhmijeve të tjera, por asnjëherë komunizmit.

Ne bëmë shumë pak për të mbajtur gjallë kujtesën e viteve më të rënda të historisë tonë. Aq pak sa shqiptarët sot nuk e kanë aspak problem portretin e Enver Hoxhës në festat dhe ceremonitë zyrtare. As intervistat romantike te Nexhmijes në të përditshmet tona. As qeverinë e cila përkulet me nderim përpara portretit të Enverit.

Të rinjtë sot e njohin atë periudhë vetëm nga filmat e realizmit socialist. I shohin këto filma dhe mendojnë se ka jeta ka qënë interesante në atë kohë. Shqiptarët ende lexojnë sot për Byronë Politike të Hoxhës, por nuk lexojë për martirët që luftuan totalitarizmin e kuq me jetën e tyre.

Nexhmija jetoi jetën e saj. Gjyqin final e ka me Krijuesin dhe unë mendoj se Ai do ta dërgojë në rrethin e fundit të ferrit. Shpresoj që ajo të vuajë pafund aty.

Por nuk mund të presim që punën tonë ta bëjë gjithmonë Zoti dhe ne të mos bëjmë asgjë. Nxjerrja në shesh e të vërtetës është borxhi ynë i përjetshëm për fëmijët tanë. Borxh që duhet ta shlyejmë me cdo kusht!

Përballë të keqes së madhe që Nexhmijet personifikojnë, ne kemi 30 vjet që qëndrojmë duarlidhur. Historia po na gjykon rëndë për këtë. Cfarë ndodh sot në Shqipëri është rrjedhojë e drejpërdrejtë e mpirjes tonë përballë të keqes!

Nexhmia iku sot e qetë dhe e papenduar. Po sot, kushedi sa shqiptarë kanë ikur ose planifikojnë të ikin nga Shqipëria. Dhe ne vazhdojmë të qëndrojmë sikur s`ka ndodhur asgjë! Zoti na ruajttë!’-shkruan Bozdo.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.