Standard.al

Artur Zheji: Meta ka bërë sfidën më të madhe ndaj qeverisë, nuk habitem nëse Rama tërhiqet

0

Analisti dhe drejtuesi i emisionit “360 gradë”, Artur Zheji thotë se Presidenti Ilir Meta me thirrjen për protesta në 2 mars i ka bërë sfidën më të madhe qeverisë. I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora me gazetaren, Beti Njuma, Zheji u shpreh se nuk do të habitej nëse Rama tërhiqet përballë Metës, ashtu siç bëri me Teatrin Kombëtar.

Artur Zheji: Kemi një president i cili ka vendosur të mos rrijë urtë. Pra është një president që nuk ka pranuar të korruptohet nga establishmenti. Kemi zero raste Presidentësh në Shqipëri, në këto 30 vite të cilët rebelohen në mënyrë kaq radikale ndaj ekzekutivit. Ilir Meta sot përfaqëson kështjellën e fundit të rezistencës ndaj një mazhorancë që do ti kapë të gjitha. Largimi i Ilir Metës nuk ka të bëjë fare me Ilir Metën. Ilir Metën mund ta votosh ose mund të mos e votosh, mund ta duash ose mund të mos e duash. Ilir Metën mund ta përqeshësh ose mund ta ironizosh, por në këtë rast, në këtë vijë të kuqe që përfaqëson Presidenti si institucion jo si Ilir Meta mendoj që ka kërkuar shumë Rama. Nuk do isha fare i habitur, por nuk vë bast për këtë, që siç u tërhoq nga teatri mund të tërhiqet edhe nga sfida e drejtpërdrejtë me Ilir Metën. Unë mendoj që Meta duke i kërkuar shqiptarëve që të zbresin në dy mars në bulevard ka bërë sfidën më të madhe historike që një president mund ti bëjë ekzekutivit. Për mendimin tim ka dalë nga kompetencat e Presidentit, absolutisht po, për këtë ka prapa një background moral, nuk ka dalë se e kapën me një dashnore, se iku diku, apo se bëri gafën që bëri Rama me Lavrov. 

Për Zhejin, protesta e 2 marsit do të jetë paqësore, por e fortë.

Artur Zheji: Protesta është një demonstrim force, por jo një demonstrim force i forcës. Është një demonstrim force i ekzistencës së një opinioni publik në Shqipëri. Nëse në Shqipëri ka një opinion publik, 2 marsi duhet të ketë sukses. Nëse opinioni publik preferon të qajë heshturazi, i padukshëm, të vuajë, të ikë dhe të harrojë realitetin atëherë le mos vijë, por mimoza është shenja paqe dhe pranvere. 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.