Standard.al

22 intelektualë të pushkatuar/ Dëshmitar okular,Diti Biçaku: Tirana e natës së 26 shkurtit 1951

0

 

 

 

Intervistoi: Violeta Murati

 

 

Ekskluzivisht për “standardin” dëshmia e rrallë, e gjatë e Diti Biçakut, dëshmitares okulare të terrorit komunist në mbrëmjen 26 shkurtit 1951, kur u pushkatuan 22 intelektualë, mes tyre femra e vetme Sabiha Kasimati, e fejuara zyrtare në atë kohë e gjuhëtarit Eqrem Çabej

Takimi me Didinë s’është i vështirë, diku te Shallvaret në pallatin me emrin “Bora”, në qendër të Tiranës. Është 86 vjeçe, mban celular dhe përgjigjet menjëherë pa hezitimin më të vogël… thjesht, në këtë moshë ndien pasiguri shëndeti, aq dhe të jetës gjallë. “Kam qenë me shumë kurajë e vullnet – thotë Didija – se ndryshe nuk do t’ia kisha hedhur gjithë atyre vuajtjeve”. Zilja e telefonit fiks, për dy orë të qëndrimit me të, ka rënë dy tre herë. “Janë shoqet e mia, më pyesin si jam me shëndet”, – kërkon ndjesë Didija për ndërprerjen, duke shtuar se janë në moshë dhe sikur mos të ngrihet receptori “do kujtojnë se kam vdekur!” Didija është ngritur, megjithëse iu desh prapë vullnet për të dëshmuar mbrëmë në Teatrin e Metropolit, për herë të parë në një teatër dokument, një nga ngjarjet më tronditëse dhe të bujshme në kryeqytet, mbrëmjet e arrestimeve masive që nxinë rrugët e Tiranës, që përfundoi më 26 shkurt, viti 1951, me pushkatimin e 21 intelektualëve dhe një të vrarë të pushkatuar.

Ishte 24 vjeçe kur i hynë me forcë në shtëpi dhe i thanë të ngrinte duart lart, duke e shpallur “armike e popullit”! Didija kujton mesnatën e 23 shkurtit, acar të ftohtë dhe rrugët e mbushura plot me burra të arrestuar, të cilët i drejtuan për nga burgu i ri, u mblodhën në qeli, për t’i nisur më pas 22 prej tyre drejt Urës së Beshirit, në një fshat pranë Tiranës, ku ishte hapur gropa e vdekjes.

Kujtesa e Didisë është e fortë, e qëndrueshme – nuk ka versione të dyta rrëfimi, ndoshta ngaqë tani ajo është mësuar ta përsërisë shpesh për shkak të interesimit të madh të medieve, si dëshmitare okulare e vetme e asaj mbrëmjeje.

Kujton shoqen e saj, Sabiha Kasimatin, femra e vetme e pushkatuar mes 22 burrave, një dëshmi e vyer për këtë pjesë të historisë, si u ndanë ato ndërsa hipën në kamion 21 intelektualë për t’i çuar në pushkatim, pa gjyq. Didi rrëfen për herë të parë këtë histori, gjatë, në këtë intervistë si memorie orale, sidomos në reflektim e pjesës së njerëzve të përndjekur në diktaturë, që dita-ditës po bëhen specie në zhdukje, pa u zbardhur e rrëfyer mirë e kaluara.

 

Ju jeni dëshmitare okulare e natës së arrestimeve që tani e njohim si ngjarja e “bombës në ambasadës sovjetike”, ku u pushkatuan 22 intelektualë. Edhe juve ju arrestuan atë mbrëmje. Kishte arsye?

Ju nuk e merrni me mend, unë isha 24 vjeçe. Vija në punë me biçikletë, ndoshta kushedi, a pse më panë me biçikletë a kushedi. Këtë e thoshim me veten tonë, për të kuptuar pse më arrestuan. Punoja arsimtare në fillim, sa mbarova shkollën. Në vitin e parë më pushuan, duke më thënë se kisha babë e vëllezër në burg, po unë nuk kisha asnjë prej tyre në burg. Por, ishin kushërinjtë e mi të parë.

 

Sa kohë para ngjarjes së 26 shkurtit të kanë pushuar?

Mbarova shkollën më ’46-’47-n, isha arsimtare në Berat. Prej andej vitin kur m’u fut daja në burg më pushuan nga puna. Edhe në Tiranë kam qenë në Institutin “Nëna Mbretëreshë”, por vitin e fundit e kam mbaruar në Normalen e Elbasanit.

 

Shumë kanë folur këtë institutit, ju çfarë sillni në mend?

Instituti “Nëna Mbretëreshë” ishte shkolla më e mirë, që të gjithë vajzat që mbaronin aty ishin të përsosura, intelektuale. I njoh në përgjithësi të gjithë institutin pasi bëra tre-katër vjet atje. Në institut jo vetëm që nxënëset ishim shumë të mira, por të gjitha kujdestaret dhe profesoret, që nuk besoj se vijnë më si brez.

 

Cilat nga këto vajza të brezit tënd të njohura ke pasur aty?

Ne, muaj për muaj më datë 15 ne mblidhemi tek “Tajvani”, shoqe të vjetra të Institutit Nana Mbretëreshë. Më vjen keq që kur jam sëmurë unë, nuk kemi arritur të mblidhemi sepse ishte i ftohtë i madh, jemi me mosha të kaluar. Kështu e kemi lënë sa të ngrohet pak koha.

 

Interesante, sa shoqe keni mbetur që mblidheni?

Jemi tetë-nëntë veta. Madje, edhe Ardit Gjebrea na mori një ditë të gjithave grup. Natyrisht dhe dy të tjera që janë dashamirëse të asaj shkolle. Kemi kujtimet më të bukura nga ato vite.

 

Dhe Sabihanë aty e ke njohur?

Po në institut, dhe Sabihaja ishte një ndër kujdestaret dhe profesoret më të mira. Shumë e zonja, mjaft intelektuale. Një nga vajzat më të emancipuara të asaj kohe. Ajo ka mbaruar Liceun e Korçës dhe ishte e vetmja vajzë në mes të të gjithë djemve që mbaroi shkollën. Fati që unë Sabihanë e Kasimatit jo vetëm se e kisha të njohur në institut, por e kam njohur edhe më parë. I ati i Sabihasë ishte doktor, ai kishte mbaruar në Turqi, dhe kur unë isha e vogël atë merrnin si doktor. Ishte doktori ynë i familjes. Sabihaja studionte dhe vinte në Elbasan. Nëna ime ishte shumë e zonja për ekonomi shtëpie dhe i jepej për të gjitha, Sabihaja e pëlqente shumë këtë gjë ndaj vinte vazhdimisht në shtëpinë tonë. Unë isha natyrisht e vogël, kishim diferencë. Por e donim e shumë. Por njëkohësisht si të mirat, ramë bashkë edhe në të këqija. Në datën 21 shkurt atë e arrestuan.

 

Kur ndodhën arrestimet masive ku ishit?

Në këtë kohë isha në Tiranë. Banoja te kunati im, pasi na kishin përzënë nga Elbasani. Ne ishim dy motra, njëra ishte martuar me avokatin më të mirë të Tiranës. Ajo më mori mua për t’u larguar, gjasme nga rrethi e të rrija në shtëpi me të, bashkë më nënën.

 

Ju keni qenë pa punë në atë kohë?

Po, isha e pushuar si arsimtare.

 

Çfarë mban mend nga ajo mbrëmja e arrestimeve masive të shkurtit 1951?

Ne kishim dy dhoma. Aty ishim përmbledhur të gjithë. Ishin motrat, kunati Fejza, dhe katër fëmija, bashkë me vjehrrën e motrës, unë dhe mama. Rrinim të gjithë bashkë. Ashtu ishte koha, ku të fusje kokën. Në orën 12:30 të natës, as derë nuk ra, as një thirrje, kur bam u hap dera. Ne ishim në gjumë. Ishin vetë i katërt, katër të Sigurimit.

 

Ishin të armatosur?

Po, po, të armatosur. Ata erdhën dhe e hapën derën duke bërtitur: “Ngrihuni!” Kalamajtë ishin në gjumë. E kishim dëgjuar më parë se kishte nisur një fushatë arrestimesh. Tani ishim duke pritur se kush e kishte radhën.

 

Sa kohë, para asaj mbrëmjeje, flitej për këtë valë arrestimesh?

Tre-katër ditë ishin fjalët që po arrestonin, për arrestimet që po bënin të Sigurimit.

 

Atë natë, kur fëmijët ishin në gjumë… Çfarë ndodhi?

Pas hapjes së derës me forcë u ngritëm të gjithë në këmbë. Mama ime, vjehrra e motrës ishim duke u lutur se “ishalla nuk kapin Fejzon”, pasi ky punonte si avokat dhe na mbante, na ushqente të gjithë ne. Kur erdhën filluan të pyesnin për emrat, secilin prej nesh se si quheshim. Kur erdhi radha te unë, më pyetën: “Po ty çfarë të quajnë?” Diti Biçaku, – i thashë unë, ndërsa sot e kam Maliqi. Dije e kam në fakt, por Didi më thërrisnin. Sa thashë emrin, më thanë: “Në emër të popullit je e arrestuar”.

 

Ndalën direkt tek emri yt, pra ishe në listë për t’u arrestuar?

Po, direkt në emrin më thanë: “Dil këtu, ngri duart përpjetë!” Dola te korridori, ngrita duart përpjetë dhe më thanë: “Në emër të popullit je e arrestuar!” U habita, por nga ana tjetër u kënaqa që nuk ishte kunati im Fejza.

 

Si e përballove?

Zoti më dha një forcë të madhe në atë moment. I hodha sytë mamës sime, filloi të qante. Edhe vjehrra e motrës, që e kisha si në vend të nanës, filloi të qante. Vetë mora kurajë dhe u thashë: “Mos kini gajle, se unë nuk kam ba gja. Shpejt kam për t’u kthyer”. Ata bërtitën: “Hajde shpejt!” Dhe nisën të kontrollonin shtëpinë, të gjithën. Motra nuk luajti nga vendi, sepse unë kisha një libër anglishteje, po e mësoja, atëherë. Por po të mësoje edhe gjuhë të huaj të arrestonin, prandaj motra ime kishte zënë librin te koka që flija unë dhe nuk luante nga vendi, që të mos shihnin librin.

 

Çfarë menduat në atë moment?

Nuk mendova gjë fare, vetëm iu drejtova sigurimsave duke u thënë: “Nëse ju i merrni njerëzit kështu si unë, atëherë qenkan kot, paskan hy brenda në burg kot!”

 

Ku ju çuan pas kësaj?

Të armatosur, vetë i tretë, as nuk i njoha fare se kush ishin ata, më morën përpara. Në dorë unë kisha një unazë dhe kur ngrita dorën përpjetë (motra më pa), hoqa unazën dhe e hodha në portmonto te palltja e kunatit. Ika. Më thanë do mbanim kokën ulur dhe nuk do ta kthenim as djathtas, as majtas. Kështu kemi ec gjithë rrugës. Kur kemi mbërrit te bulevardi, te Sahati nuk e besoni që ishte mizëri.

 

Ishin të arrestuar të tjerë rrugëve të Tiranës?

Po, ishte plot, plot, plot rruga me të arrestuar, duke na drejtuar për te burgu i ri, i thoshin atëherë, burgu i ri në fund të bulevardit, kthehesh majtas. Po kishte emrin “burgu i ri”. Të gjithë njerëzit e arrestuar ecnin kokulur dhe nuk lejonin ta ktheje për të parë se kush ishin, të paktën anash teje. Një errësirë e madhe.

 

Çfarë date ishin arrestimet?

Ishte mbrëmja e 23 shkurtit kur më arrestuan mua. Vetëm se atë natë ka qenë një ftohtë i madh, një acar i madh. Kur dola nga shpia, nga i ftohti kunati më hodhi një shall, një pallto të madhe, sepse pak ishte drithërimi, pak se ishte dhe i ftohti i madh. Kështu na drejtuan nga sheshi për te burgu i ri, siç i thoshin atëherë.

 

A mund të përshkruash atmosferën atë natë, në orën 12 të natës në qendër të Tiranës?

Atmosfera e asaj nate, në orën 12 nuk di ta përshkruaj. Ishte një tmerr. Ishin të gjithë me kokë ulur.

 

Kishte burra edhe gra?

Gra s’kishte. Vetëm burra. Ata të Sigurimit dhe ata që ishin arrestuar. Në natën që u arrestova, vetëm unë isha grua.

 

Po Sabiha Kasimati, në të njëjtën natë është arrestuar me ju?

Jo, Sabihaja ishte kapur më datë 21 shkurt.

 

Pas bulevardit, drejt e në burgun e ri, në qeli?

Direkt në burgun e ri. Hapën dyert me zhurmë – rrang, rrang, rrang! Ishte errësirë e madhe, pa drita. Vetëm me fenerë. Nuk i hapnin dritat, që të mos shikonim se kush është arrestuar. I futnin me radhë nëpër qeli. Po nuk mbaronte radha, aq shumë kishin arrestuar. Kur erdhi radha te unë ishte një errësirë sa nuk shihej as ndërtesa. Më hipën në një anë të burgut, nuk e di fare, s’ia kisha idenë.

Më përplasën me forcë kur u gjenda brenda një kaushi. Kaushi ishte pa drita, pa xham, nuk merrej vesh asnjë gjë. Kur u hap një fije shkrepëse në momentin kur unë hyra në kaush. Kur shikoj aty edhe nja 11 gra të tjera. Ndër ato njoha Sabihanë.

Asaj i kishte ardhur dysheku dhe qëndronte e shtrirë. “Kush je ti?”, – më pyeti Sabihaja mua. I thashë, që isha Didija e Biçakut. Ajo e shkreta në vend që të më thoshte “bubu e shkreta”, por tha “sheqyr”, domethënë që më njohu! Më afroi afër vetes, për t’u ulur dhe unë në dyshekun e saj. Ajo e shkreta ishte me temperaturë, shumë e sëmurë. I thashë pallton që kisha marrë dhe ia hodha mbi shpinë.

 

A kishte shumë vajza, gra të arrestuara të cilat i gjetët në qeli?

Kishte mjaft gra të arrestuara, por jo për bombën. Për bombën e ambasadës ishim të arrestuara Sabihaja, unë dhe një tjetër, Rita Noçka. Por ajo nuk na u afrua, dhe nuk e di ç’u bë, dhe deri tashi nuk e di se ku mund të ketë shkuar. Po edhe ajo u arrestua, ka qenë te Nënë Mbretëresha.

 

Deri në ç’ditë shkuan arrestimet?

Kanë filluar, siç thashë më lart, dy-tre ditë para se të më arrestonin mua dhe janë bërë deri më datë 26 shkurt. Por, ne nuk e dinim ç’bëhej, s’dinim për çfarë kishim hyrë brenda. Ne s’dinim çfarë ka ndodhur. Gjithçka e morëm vesh pasi dolëm nga burgu, tre-katër muaj më pas.

 

Çfarë ndodhi në qeli? A ju komunikuan arsyen e arrestimit?

Po, kur shkuam atje u afrova te dysheku i Sabihasë. Dridhej ajo. Pa mbaruar fjalët, të pyeturi njëra-tjetrën, hapet dera dhe hyjnë tre burra. Një me emrin Mitat ka qenë atje, në tjetër Llazar… gardianë në burg… ishte dhe Stavri Xharo.

Kur na nxorën, na pyetën të gjithëve dhe kur erdhi radha te Sabiha Kasimati – i thanë: “Ti të jesh gati”. Kur u thashë dhe unë emrin tim, Diti Biçaku, na thanë të dyjave: “Hajdeni, dilni jashtë!” Dolëm jashtë. Ishte errësirë. Nuk dinim drejtimin e burgut.

 

A kuptuat se ku po ju çonin?

Nuk e dinim fare, veç na nxorën dhe nuk e kuptonim në ishte ditë apo natë! Nuk merrje vesh fare çfarë po ndodhte e ku do të na çonin. Se është e nesërmja, se është e pasnesërmja… ishte vazhdimisht errësirë.

 

Ka një moment në burg, siç është e dëshmuar, se në burg erdhi Mehmet Shehu. Ku i mblodhi të burgosurit, mbani mend çfarë ju tha?

Mehmet Shehu erdhi dhe dukej vetëm një fener, një dritë. Ishte një tavolinë aty dhe bërtiste jashtëzakonisht shumë. Thoshte më të bërtitura për ne: “Këta janë armiqtë e popullit. Për këta nuk duhet të kemi mëshirë. Këta duan të rrëzojnë pushtetin tonë popullor”. Në këtë fjalim agresiv vazhdonte: “Për këta nuk ka falje; për këta duhet dënimi më i rëndë”.

 

Në oborrin e burgut apo në qeli ishte ky fjalim?

Mehmeti ishte brenda burgut, jo jashtë në oborr.

 

E ndiet rrezikun, çfarë ju priste pas këtij fjalimi të Mehmet Shehut?

Deri në atë moment nuk e dinim se çfarë po ndodhte. Por pas atij fjalimi filluam ta ndienim rrezikun. Nuk pipëtinte asnjë. Mbaroi fjalimin me rreptësi shumë të madhe, se çfarë kishim bërë, vetëm Mehmet Shehu e dinte që ne ishim armiqtë e popullit.

Nuk kishim bërë asgjë. U çuditëm!

 

Sa të arrestuar ishin?

Nuk e di, nuk i pashë. Vetëm kokën ul, nuk guxonim ta kthenim në asnjë anë.

 

Kur ndodhi ndarja me Sabihanë… u tha gjë se për ku do t’i çonin të arrestuarit?

Pas fjalimit të Mehmet Shehut, ashpërsisë së tij pas pak minutash dëgjojmë zhurmën e makinës. Sa mbaroi fjalimin. Me thënë të drejtën se cila datë ishte, 23, apo 24, apo 26 nuk e mbaj mend… na ishin bërë të gjitha njëlloj. Ishte errësirë vazhdimisht. Në këtë kohë vjen makina. Të gjithë ishin lidhur me tela, ndërsa unë me Sabihanë ishim të lidhura bashkë. Në kohën kur u hap dera nisën t’i hipnim në makinë.

Të gjithë i hipën në makinë, në fund isha unë dhe Sabihaja.

 

Si arritët të shkëputeshit nga Sabihaja, duke iu shpëtuar pushkatimit?

Nuk e di, unë isha e lidhur me Sabihanë dhe a gardiani ishte, a ndonjë i Sigurimit nuk e di, por në atë moment të ngjitjes në makinë, më tërhoqi fort mua. Sabihaja më tërhiqte mua në anën tjetër, sepse po mendonim se mund të dilnim. Nuk mendonim kurrë se ishin për pushkatim. Ajo po mendonte, bashkë me mua, se ata po dilnin nga burgu. Sabihaja iku. Kështu u shkëputëm nga njëra-tjera; një këmbë në kamion, një këmbë në tokë… Mua më futën në një kaush si ai i rojeve. Kam qëndruar dy ditë e dytë net pa ngrënë e pa pirë. Nuk dija fare se ç’po bëhej. Njeriu qenka shumë i fortë. Mallkoja dhe thosha: “O Zot, pse më ndave prej shokëve?” Sepse, kujtoja se u falën ata. Isha shumë keq, nuk e merrni me mend. Gardiani më hapi derën, dhe i thashë: “Aman, po mua pse nuk më falët?” Kur më futën në një kaush të izoluar, vetëm. Ishte një qeli me gjak, me minj sa një mace e vogël, ishin disa këpucë te dyert, i linin jashtë… U thashë, pse më ndanë prej Sabihasë?! Ma kthejnë: “Te Ura e Beshirit deshe të shkosh?!”

 

Kush t’i tha këto fjalë?

Nuk e di, a gardiani ishte? Po më duket se gardiani ishte, ndoshta Mithati… po nuk e mbaj mend. Ai nuk hynte dot brenda, vetëm hapte atë dritaren e vockël te dera më hidhte bukën e ikte.

 

A kuptuat kur të thanë “te Ura e Beshirit deshe të shkosh” se çfarë mund të kishte ndodhur me të tjerët?

Jo, nuk kuptova gjë fare. Nuk na morën as në pyetje. Por, me thënë të drejtën nuk pata ndonjë lloj torture. Nuk u pyetëm dhe nuk morëm vesh as pse kishim hyrë. Pas disa kohësh me çuan te shoqet, ku ishin dhe të tjerat. Se çfarë ka ndodhur, se çfarë ishte bërë nuk e di.

Të nesërmen e pushkatimit ka ardhur motra ime me dengun e plaçkave që më ka sjellë mua dhe një nga zonjat në burg i ka thënë: “Çfarë e do moj hallemadhe atë dyshek, se Didija është pushkatuar”. Motrës sime i ra të fikët. Aty në burg gratë qanin me “oi” të madhe. Ishte një nga gardianët që i tha time motre se isha pushkatuar. Ai i tha më pas se nuk isha pushkatuar, por derisa e vërtetoi nuk e besoi, se kujtoi edhe për spiun.

 

Kur e morët vesh çfarë kishte ndodhur me njerëzit që hipën në kamion?

Në burg nuk e morën vesh fare se çfarë kishte ndodhur. Vetëm pas katër muajsh, kur dolëm nga burgu. Në burg nuk mora vesh asnjë gjë, as se ka ra bomba në ambasadë, nuk dinim fare… as gjyq nuk u bë.

Vetëm kur dolëm nga burgu, morëm vesh se kishin bërë reprezalje të madhe në qytet, për t’i dhënë me kuptu Bashkimit Sovjetik se ne bëjmë luftën dhe kështu kapën të gjithë intelektualët. Ishin 21 vetë dhe u bënë 22 bashkë me Kacelin, që thoshin me vonë se ishte torturuar shumë. Ai u vdiq në dorë dhe e kishin hedhur nga dritarja, gjasme se ishte hedhur vetë! Për të vrarë veten.

 

Dihej kjo histori kur ishit në burg?

Jo, nuk dinim. Unë për veten time s’kam ditur asnjë gjë. Edhe kur dolëm nga burgu, morëm vesh kush ishte kaq, çfarë kishte ndodhur, kush ishte pushkatuar. Unë dija vetëm Sabihanë. Ishin ca të huaja në burg, që punonin nëpër ambasada.

 

Kur ishit në burg, a ju morën në hetuesi për ngjarjen?

Mbasi u bë pushkatimit për t’u dhënë me kuptu se po i gjykojmë na çuan në një shtëpi… ishte një hetues, nuk u sjell shumë keq me mua. Nuk e mbaj mend se kush ishte, vetëm se na thoshte se “këtë libër që e kam këtu i kam plot dokumente të tuaja, se ju kam ndjek mbrapa ku ke shkuar. Prandaj trego çfarë ke bërë”. I thashë se nuk kam bërë asnjë gjë. Ajo zonja Lufi që ishte në burg me mua, më pat thënë një fjalë te veshi: “Ti qenke Didija e Biçakut, nëse do të rrish rehat, mos zër asnjë me gojë, se unë kam nëntë muaj izolim, se zura njërin me gojë”.

 

A ju bënin presion në hetuesi?

Ndonjë presion të madh, me na torturuar, nuk më kanë bërë. Por vetëm se më kanë pyetur pafund, me cilin rrija, çfarë bëja, ku shkoja. Shoku im i ngushtë ishte biçikleta. U thashë se nuk takoja asnjë nga rrethi im. Por torturë ishte kur të akuzonin vazhdimisht se “isha armik i popullit, kundra pushteti” – kjo më bënte të vuaja në fakt, isha pa faj. Unë mbylla gojën, por hetuesi më kërcënoi: se do ta shohësh do të t’i nxjerrim të gjitha ato që ke bërë. Jam e sigurt se po ta hapja atë fletore që më thoshte vazhdimisht hetuesi se ishte plot më bëmat e mia, e them me bindje se do ishte krejt bosh, e bardhë. Mora një kurajë që as vetë nuk e di dhe i thashë hetuesit se ishte e bardhë ajo fletore. Nguli këmbë në të vetën: mirë prapë do shihemi, dhe do t’i thuash pastaj të gjitha ato që ke bërë. Asnjë gjë s’keni prej meje – këto ishin fjalët e mia. Na çuan edhe njëherë tjetër për pyetje, dhe më vonë na nxorën. Hetuesi si tashi më kujtohet ishte Stavri Xhara.

 

Stavri Xhara njihet si një nga torturuesit më të egër në diktaturë. A kishte kontakt me ju?

Jo ai mori disa të dënuar të tjerë që ishin më përpara se bomba e ambasadës. Ne ashtu na merrnin, hajde dilni dhe thoshin të shkonin te Stavri xhara. Ne e morën vesh pas daljes nga burgu kush ishte Stavri xhara. Por kam shkuar dhe unë te Stavri xhara për hetuesi. Ai më priti me një egërsi dhe më tha: shiko, nuk do t’i përsërisësh më gabimet që ke bërë, se këtë herë ta falëm. Herë tjetër nuk të falim më. E kishim dëgjuar si emër kush ishte Stavri Xhara.

 

Po për gjyqin që u bë pas pushkatimit të 22 intelektualëve, çfarë dijenie keni? Ju kanë marrë ju në pyetje për këtë “incident”?

U bë bujë e madhe se si u arrestuan dhe u kapën këto njerëz. Gjithë Tirana. Mbaj mend kur kam dalë nga burgu, kunati më tha se Manol Konomi kishte dhënë dorëheqjen për ekzekutimin dhe dënimet pa gjyq. Unë madje kam shkuar te Siri Çarçani për të marrë një vërtetim që unë jam e pafajshme për të hyrë në punë, se ndryshe do rrija pa punë.

 

Si t’u përgjigj?

Më ka pritur direkt me pyetjen: “Kush je ti?” I thashë emrin, bënte sikur shihte… por ma dha vërtetimin duke më thënë: “Nuk duhet ta përsëritni më këtë që keni bërë, se ju falëm këtë herë!” Gjoja se ishim ne fajtorë. Unë iu përgjigja: “Nëse të gjithë të burgosurit apo të pushkatuarit janë kapur kështu si unë, paskan qenë të gjithë pa faj”. I përsërita kërkesën time për vërtetim, ma dha që nuk jam e dënuar! (Ribotim)

 

 

Box

Ekzekutimi

-Mesnatën e 26 shkurtit 1951, të 22 personat e shënuar për t’u pushkatuar i nxorën nga qelitë e burgut të lidhur në pranga dhe i nisën në një kamion të mbuluar diku.

-Nuk e dinin se ku do t’i çonin. Nuk e dinin se do t’i vrisnin. Nuk ishte komunikuar urdhri i pushkatimit. Megjithatë e ndienin.

-Një ditë para pushkatimit shkon në burg Mehmet Shehu dhe u foli të arrestuarve: “Do të vriteni pa mëshirë si kundërshtarë të pushtetit, ndërsa ata që do të mbeten gjallë do të pësojnë të njëjtin fat po të lëvizin bishtin!”

-Afër Urës së Beshirit në fshatin Mënik të Tiranës, rrëzë një kodrine të vogël buzë Erzenit, ishte hapur ditë më parë një gropë e stërmadhe, rreth 4.5 metra e gjatë, 3 metra e gjerë dhe 1.5 metra e thellë.

 

 

Emrat e intelektualëve që u pushkatuan më 26 shkurtit 1951:

Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjerin Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorraliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç

 

 

 

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.