Prokuroria e Tiranës pushoi hetimet ndaj arkitektit danez/ PD ankimon vendimin: Ja për çfarë akuzohet…

0
92

Partia Demokratike ka ankimuar vendimin e Prokurorisë së Tiranës, e cila kishte vendosur pushimin e hetimeve për arkitektin Bjarke Ingels.

Ky i fundit ishte kallzuar penalisht nga Partia Demokratike lidhur me projektin për Teatrin e ri Kombëtar.

Në padinë që PD depozitoi në Prokurorinë e Tiranës akuzonte arkitektin danez Bjarke Ingels për përfshirje të paligjshme në projektin korruptiv të grabitjes së tokës publike tek teatri Kombëtar për ndërtimin atje të kullave private.

Sipas PD, akuzat ndaj Ingels janë: “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”; “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”; dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Padia e Partisë Demokratike kundër arkitektit të projektit korruptiv për Teatrin sjell me detaje historikun e këtij projekti, bazuar mbi deklaratat publike të Edi Ramës, Erion Veliajt, Bjarke Ingels dhe akteve zyrtare, që çojnë në konkluzionin se Edi Rama, bashkë me Erion Veliajn kanë bashkëpunuar me Bjarke Ingels për një projekt të pabazuar në asnjë ligj.

Duke cituar Bjarke Ingels në një intervistë më 14 Mars 2018, bëhet e qartë se projekti ka patur porositës kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj, ndërsa kompoania “Fusha shpk” vetëm sa ka kryer pagesën për një punë të paracakuar nga dy prej njerëzve me më shumë pushtet në vend, kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës. Projekti është porositur prej tyre që në vitin 2016, shumë kohë përpara se Fusha shpk ta paraqiste si projekt të financuar prej saj.

“Ishte një ftesë e Kryeministrit dhe e Kryetarit të Bashkisë për Teatrin Kombëtar. Për këtë projekt ne kemi filluar para një viti e gjysmë dhe kemi punuar në mënyrë të vazhdueshme.”– citohet të ketë thënë më 14 Mars 2018 Bjarke Ingels.

“Ky fakt provon se jemi përpara marrjes së një përfitimi të parregullt dhe pranimit të një oferte që vjen nga një përfitim i parregullt.”– thuhet në padinë e Partisë Demokratike. Aty vihet në dukje se “kryerja e një projekti për zhvillimin e pronës publike dhe ndërtimin e një pasurie publike, si Teatri Kombëtar, pa asnjë marrëveshje me autoritetet publike shqiptare dhe pa u njohur me ndonjë procedurë konkrete ligjore për partneritet publik privat, nënkupton se studio arkitekturore “BIG-BJARKE INGELS GROUP” dhe arkitekti i saj z. Bjarke Ingels, kanë konsumuar veprën penale të parashikuar në nenin 164/b “Korrupsion pasiv në sektorin privat”, vepër e cila dënohet me burgim nga 6 muaj në 5 vjet.

“Qartësisht shtetasi z. Bjarke Ingels ka qenë në dijeni të faktit se jemi përpara një oferte të parregullt, dhe me dashje ka pranuar realizimin e saj.”- shkruhet në padinë e depozituar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Mes të tjerave, në padi, theksohet fakti se për t’i hapur rrugë projektit të Bjarke Ingels, të porositur nga Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë që në 2016-ën, pa u bazuar në asnjë procedurë ligjore, qeveria ka ndërmarrë disa veprime përpara paraqitjes nga “Fusha shpk” të propozimit të pakërkuar për të ndërtuar një teatër të ri dhe disa kulla përreth, i cili mban datën Shkurt 2018.

Në 12 Prill 2017 qeveria heq Teatrin Kombëtar dhe territorin përreth nga Zona e Qendrës Historike të Tiranës.

Në 14 Prill 2017 miratohet Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë, në të cilin, ndryshe nga çdo zonë e kryeqytetit ku përcaktohet intensiteti i ndërtimit dhe specifikime të tjera teknike, për zonën e Teatrit Kombëtar, nuk përcaktohet asnjë kufizim për lartësinë e ndërtesave dhe koeficentin e shfrytëzimit të truallit.

Në 13 Mars 2018, në shkelje të çdo ligji vendas dhe ndërkombëtar, pa garë, pa procedurë, pa tender, kryeministri Edi Rama shpall fitues projektin e Bjarke Ingels, i porositur prej tij dhe prej Kryetarit të Bashkisë së Tiranës që në 2016-ën, duke paracaktuar edhe ndërtimin e kullave nga Fusha shpk, që ka marrë përsipër pagesën e projektit të Bjarke Ingels.

Për këtë padi, Partia Demokratike ka njoftuar edhe Ministrinë e Drejtësisë së Danimarkës, duke qenë se studio arikitekturore e Bjarke Ingels, “BIG-BJARKE INGELS GROUP”, ka qendrën ne Kopenhagen të Danimarkës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here