Standard.al

Paranoja e humbjes së pushtetit

0
Nga Red Varaku 

Bllokimi i integrimit dhe nëntë kushtet e Bundestagut e kanë hedhur në erë praktikisht të ardhmen politike të Ramës dhe e kanë bërë të sigurt rrotacionin politik.

Shpejtësia me të cilën po ecin gjërat, rënia pikiatë e mbështetjes për të si brenda dhe jashtë Shqipërisë, duket se po ridimensionon gjithë projektin politik të Edi Ramës, i cili për shkak të paranojës së humbjes së pushtetit po tenton të bëjë gjëra të paimagjinueshme.

Ndër të cilat thikat pas shpine që i futi Kosovës, nëpërmjet vëllazërisë së tij me djalin shpirtëror të kasapit të Kosovës Vuçiç, me të cilin tentoi ndarjen e Kosovës dhe krijimin e Jugosllavisë së re, për të cilat mori përbuzjen e të gjithë shqiptarëve dhe një përgjigje të prerë dhe të ashpër nga Perëndimi .

Ndërsa, përpjekja kaq e hapur për të kapur Gjykatën Kushtetuese e tejkalon edhe imagjinatën e një diktatori. Një përpjekje, që ka si qëllim asgjesimin e të drejtave demokratike dhe legjitime të qytetarëve dhe garantimin e pushtetit të përjetshëm, që dëshmon papërgjegjshmërinë e thellë ku është zhytur ky njeri, i cili në emër të pushtetit është gati të bëjë gjithçka .

Gjithashtu, sërish nga paranoja e humbjes së pushtetit si dhe për të mbajtur nën kontroll situatën, ai ka filluar një agresion të padëgjuar mbi qytetarët shqiptarë.

Qytete të tëra, me urdhër personal të Edi Ramës ndodhen sot nën terrorin e bandave kriminale më të pamëshirshme të vendit, të cilat po ushtrojnë një terror të padëgjuar, me shpresë se mund të kontrollojnë zemërimin popullor, i cili po zien dhe mund të shpërthejë në çdo moment.

I alarmuar për braktisjen e madhe që po i bëhet, nëpërmjet bandave me uniformë shteti, ka filluar shantazhin mbi çdo biznes për të cilin ka informacion, që ka shprehur qoftë edhe pakënaqësinë më të vogël në lidhje me qeverisjen.

Ai ka filluar dhe krehjen e vendeve të punës, duke larguar të pakënaqurit dhe jobesnikët dhe duke i zëvendësuar me një listë të njerëzve personalë të tij, rekomanduar kryesisht nga bandat e tij besnike. Kjo ka shkaktuar mllef dhe urrejtje brenda jo vetëm brenda PS.

Ndërkohë, këto gjashtë muaj, ai dhe banda e tij i janë vërsulur të babëzitur pasurisë publike, duke marrë aq vendime të rëndësishme dhe akte që synojnë vetëm pasurimin e individëve, sa nuk kanë bërë gjithë qeveritë për 30 vite bashkë.Gjithë pazaret e pambaruara të shtatë viteve në pushtet, janë bërë realitet, falë VKM-ve të tij dhe qartësisë për të rrjepur çdo lek deri në minutën e fundit.

Por, e gjitha kjo përpjekje për të kapur shtetin dhe prodhuar frikë dhe terror, në fakt ka prodhuar të kundërtën. Shqiptarët tashmë e kanë të qartë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie dhe po ia plasin në fytyrë të vërtetat jo vetëm jashtë kamerave.

Rasti i disa qytetarëve në Durrës, të cilët as që lëvizën nga vendi kur u përballën në një lokal me kryeministrin në ikje, si dhe përgjigja sfiduese e njërit prej të rinjve, dëshmon se çfarë nivelesh alarmante ka kapur zemërimi qytetar.

Në fakt, mënyra se si ata i drejtohen atij në çdo ballafaqim real, të pastisur, dëshmon zhgënjimin e thellë dhe neverinë e madhe që ata ndjejnë për këtë njeri. Ndërkohë, sondazhet tregojnë që humbja e tij në të gjitha qarqet do të jetë ndër më të pabesueshmet e historisë së pluralizmit politik.

Pra, çdo përpjekje për të kapur shtetin dhe prodhuar frikë dhe terror ka rezultuar në rritjen e zemërimit dhe revoltës. Kjo revoltë që ka filluar të shpërfaqet ashpër kundër këtij njeriu kudo, jo vetëm në çdo cep të Shqipërisë, por madje dhe në Kosovë, vetëm po rritet dhe mund të shpërthejë nga momenti në moment nëse nuk zgjidhet menjëherë . Ajo përbën provën kryesore, që rrotacioni është i sigurtë dhe i pashmangshëm dhe atë nuk mund ta ndalë dot më askush.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.