Standard.al

Ja kush është Richard Grenell që Trump e caktoi në krye të inteligjencës në SHBA

0

Richard Grenell, njeriu i ngarkuar me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësoi marrëveshjet për trafikun ajror, rrugor dhe hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është emëruar të mërkurën nga presidenti Donald Trump si Drejtor i përkohshëm i Inteligjencës Kombëtare, nën ombrellën e së cilës veprojnë shtatëmbëdhjetë agjenci amerikane të spiunazhit.

“Duke e emëruar zotin Grenell, i cili ka pak përvojë në inteligjencë ose në drejtimin e burokracisë së madhe, presidenti ka lënë të kuptohet se dëshiron një lider të besueshëm dhe agresiv në krye të komunitetit të inteligjencës, të cilin shpeshherë e ka shikuar me dyshim”, ka shkruar New York Times në lajmin e ilustruar me një fotografi të Grenellit gjatë vizitave të fundit në Kosovë.

Diplomati 53-vjeçar, ish-zëdhënësi i fushatës së Mitt Romney në vitin 2012, i deklaruar hapur si homoseksual, ka reputacionin e një njeriu brutal dhe të pa kompromis. Gjatë ushtrimit të detyrës si Ambasador i SHBA në Berlin, ai ka zemëruar shumë zyrtarë gjermanë me qëndrimin e tij jo simpatik. Në veçanti, ai akuzoi Berlinin për “fyerje” të Shteteve të Bashkuara pasi një ministër gjerman tërhoqi një paralele midis spiunazhit të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Shumë politikanë gjermanë konsiderojnë se ai ndërhynte në çështje të brendshme qeveritare të Republikës Federale të Gjermanisë, shkruan “New York Times”, duke i vlerësuar aktet e tij si “një ndërhyrje të jashtëzakonshme në punët e brendshme, që zakonisht shmangen nga diplomatët”.

“Ai sulmoi ato që i quante politika ‘të dështuara’ të kufijve të hapur në Gjermani, që lejuan depërtimin e qindra mija refugjatëve sirianë. Ai kritikoi qëndrimet e Berlinit ndaj Iranit, politikat për shpenzimet ushtarake dhe investimin kinez në rrjetet botërore të telefonisë. Ai ka shprehur gjithashtu vendosmëri për të fuqizuar konservatorët në mbarë Evropën”, shkruan “New York Times”.

“Unë absolutisht dua që të fuqizoj konservatorët e tjerë në mbarë Evropën”, pati deklaruar Grenell për median e ekstremit të djathtë “Breitbart”, pas mbërritjes në Gjermani.

Prestigjiozja gjermane ”Der Spiegel”, në një shkrim të fillimvitit të kaluar theksonte se Grenell pretendonte se kushdo që bënte thirrje për sigurimin e kufijve në Gjermani, përballej me “reagim të tepruar”. “Ky diskurs, thoshte ai, po kontrollohet me të madhe prej ‘elitave në Berlin’ dhe argumentonte se kushdo që flet haptazi për çështjen, rrezikon të portretizohet si pjesë e ‘së djathtës ekstreme radikale’ nga mediat gjermane”.

Edhe në Kosovë Grenell ka lënë gjurmë me brutalitetin e vet. Ai nxiti keqkuptime të shumta si me këmbënguljen për përfundimin e shpejtë të dialogut po ashtu edhe me refuzimin e tij për tu takuar me kryeministrin Albin Kurti, në konferencën e sigurisë në Munih, për sa kohë që qeveria e tij nuk pranonte të hiqte taksat ndaj produkteve serbe. Në të kundër ai priti Hashim Thaçin me të cilin ka mbajtur gjithmonë një marrëdhënie të privilegjuar.

Richard Grenell do të zëvendësojë drejtorin aktual në detyrë të inteligjencës, Joe Maguire, të cilin Presidenti Trump e falënderoi për “punën e mrekullueshme”. Shumë opozitarë demokratë denoncuan mungesën e përvojës në çështjet e inteligjencës të Richard Grenell-it të mërkurën në mbrëmje, madje e etiketuan atë “qenush” të Donald Trump.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.