Foto e paharrueshme, ja si u tërhoq zvarrë busti i diktatorit në rrugët e Tiranës…

0
82

Masa e madhe e protestuesve qe dhe më energjike kur arriti në sheshin “Skënderbej”, për t’u vendosur afër monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të policisë dhe i forcave të ndërhyrjes së shpejtë që ndodheshin pranë sheshit “Skënderbej” dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin nga Qyteti “Studenti”.

Në sheshin “Skënderbej” kaloi një veturë e bardhë dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhej Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit.

Një grup protestuesish që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit nëpërmjet Rrugës së Elbasanit. Pastaj, pasi kaluan pranë godinës së Bashkisë, u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut.

Policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të shoqëruara me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t’u bëjë presion protestuesve të shumtë për t’u tërhequr dhe për t’u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut. Policia përdori edhe zjarrfikësen, e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe që njolloste rrobat e protestuesve.

Turma tjetër e protestuesve që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në Bllokun qeveritar.

Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën tek sheshi “Skënderbej”, për t’u vendosur tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë, ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga shatërvani, por u zmbrapsën nga policia.

Disa makina të vogla të policisë qarkullonin nëpër sheshin “Skënderbej”, duke u rënë sirenave për t’u bërë protestuesve presion psikologjik. Një djalë i ri, i quajtur Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhej pranë Bankës së Shtetit, për t’u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por, pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve.

Grupi i katërt i protestuesve vjen nga Qyteti “Studenti” dhe vendoset përreth sheshit “Skënderbej”. Ndërmjet protestuesve (banorë kryesisht në Rrugën e Kavajës, në Laprakë, në rrugën “Ali Demi”, Kombinat etj.), që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të diktatorit, hodhën mendimet se si të sulmohej monumenti.

Fillimisht, duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të zmbrapsur dhe për t’u përleshur me policinë. Gjithashtu, pas kësaj nevojitej të ndalohej ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo monumentin e diktatorit komunist. Për të realizuar këtë aksion, Saimir Maloku së bashku me shokët e tij i kërkojnë ndihmë protestuesve për të gjetur midis tyre një shofer.

Prania e ushtarëve të armatosur me snajper sipër Pallatit të Kulturës, hotel “Tiranës”, Muzeut Historik Kombëtar dhe në pallatet përreth e bënte të pamundur dhe tepër të rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër kur të krijohej mundësia. Minutë pas minute shtohej numri i protestuesve në shesh.

Për një moment u dëgjua një e thirrur: “Mos u prapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me fishekë manovër” (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb brenda).

Kjo u dha shumë kurajo protestuesve. Tri makina IFA të policisë të mbuluara me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të madh forcash speciale të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës përreth sheshit tek monumenti.

Ndërkohë sheshi “Skënderbej” ishte mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e përqark tij, që bërtisnin duke thirrur: “Ushtria është me ne, Të hiqet qelbësira, Liri-Demokraci” etj.

Një grup prej 40 deri 50 vetësh shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit të diktatorit. Ata filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve dhe nisën të qëllojnë policinë.

Forcat speciale, të ruajtjes së rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të armatosura me shot gun dhe armë të ndryshme filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti. Ndërkaq protestuesit i kundërpërgjigjeshin duke i qëlluar me gurë e copa mermeri.

Nga krahu lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të shumta të ushtrisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë me qen kufiri. Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të Rrugës së Durrësit dhe të Kavajës etj., policia kishte vendosur snajper dhe kamera të fshehta.

Në mes të radhëve të protestuesve policia dhe Sigurimi i Shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementeve të rrezikshëm rebelë. Por, përpjekjet e policisë dhe të forcave të ndërhyrjes së shpejtë ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve, të cilët u sulën nga të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen.

Protestuesit duke bërtitur: “Fitore, Fitore” u sulën drejt monumentit dhe u bënë zot të sheshit “Skënderbej”. Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit.

Një kameraman i quajtur Agim Buxheli bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të turmës, një qytetar rreth 70 vjeç i quajtur, Hysen Berberi, vjehrri i Saimirit, ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë.

Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë ambulancës nr. 5 që ndodhej përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar tjetër në gjendje të plagosur ishte i shtrirë përtokë.

Gjashtë qytetarë e marrin në krah e vendosin tek një makinë aty pranë dhe e nisin drejt spitalit. Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me forcat speciale tek monumenti, qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të njohur prof. dr. Hysen Heta), mori një makinë IFA të braktisur, që ndodhej në sheshin “Skënderbej”.

Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe. Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri.

Ndërkohë, aty pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në Spitalin Ushtarak në Laprakë.

Para se të nisej makina, shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapa se makina mund të nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u kthye me makinën përsëri në shesh.

“RD”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here