Standard.al

A përçahet opozita me koalicionin e të vegjëlve/ Flasin Mediu, Ndoka dhe Shehi: Jemi vagon brenda trenit…

0

Një vit pas djegies së mandateve nga ana e opozitës, tre prej aleatëve të Lulzim Bashës, kanë kritika për rrugën që ka ndjekur kryedemokrati, për çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Në një intervistë për Fax Nees, Fatmir Mediu, Nard Ndoka dhe Dashamir Shehu, u shprehën se partitë opozitare kanë qenë gjithnjë pro ndryshimit të sistemit zgjedhor, ndërsa tashmë propozojnë që të ketë një koalicion më të vogël, mes tyre, në mënyrë që të maksimalizojnë votat në zgjedhjet e radhës.

“Ky është një propozim që ka bërë Partia Republikane, dhe ia ka propozuar partive të tjera të koalicionit, synohet që të maksimalizohen votat. Nuk ka të bëjë me interes specifike të PR apo të ndonjë force politike, por synohet që të ketë një pluralizëm më të madh në Kuvendin e Shqipërisë.

Unë nuk mendoj se nuk ka kohë për ndryshimin e sistemit, unë mendoj se nuk ka dëshirë për ta bërë atë. Kemi kuota, emërime nga kryetarët e partive, në këtë mënyrë parlamenti nuk është i zgjedhur drejtpërdrejtë nga publiku. Unë mendoj se sistemi propocional kombëtar me lista të hapura, do të sillte një parlament më funksional, dhe do të shmangte shitblerjen e votave”, u shpreh Mediu, ndërkohë që foli dhe për shqetësimet e fundit të ngritura nga presidenti Meta për kapjen e Reformës në Drejtësi.

“Unë mendoj se presidenti do të bënte mirë që të na mblidhte ne të gjithë si parti opozitare, pavarësisht se shqetësimi i tij është totalisht i drejtë dhe legjitim.

Opozita sesnibilizoi opinionin e jashtëm dhe të brendshëm për situatën ku ndodhej vendi, po të kishte një opozitë në Kuvend, mbase do të kishte frenuar shkelje të tilla në reformën në drejtësi. Opozita duhet të dijë të ndajë qëndrimin politik nga veprimi politik”, u shpreh Mediu.

Ndërkohë të njëjtin qendrim për ndryshimin e sistemit e shprehu dhe Ndoka, i cili tha se djegia e mandateve, bëri që opozita të merrte vëmendje edhe nderkombëtarish.

“Ne jemi të interesuar për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por nuk duam që sistemi të bëhet në nxitim e sipër, duam që të ketë një konsultim publik për këtë.

Djegia e mandateve ishte e drejtë për faktin që arritëm të ndërkombëtarizojmë krizën politike. Dolëm nga parlamenti por morëm përfaqësimin e popullit”, u shpreh Ndoka, i cili shtoi se opozita edhe pse jashtë parlamentit, ka sot impakt te publiku, dhe denoncon raste të shumta korruptive nga ana e mazhorancës.

Edhe Dashamir Shehi është i mendimit se një koalicion më i vogël mes opozitës do të maksimalizonte votat, edhe pse do të duhet që të ketë një ndryshim në Kodin Zgjedhor, dhe që të pranohet nga grupi i Reformës. Partitë e vogla nuk duan që votat e tyre ti kalojnë partisë së dytë të koalicionit, që me formulën e tanishme do ti takonin LSI-së.

“Ne kemi nevojë për të gjithë, edhe për ata të quajturit kundërshtarë dhe disidentë, që janë dhe brenda të djathtës, që janë aty dhe që një formulë e re do ti ndihmonte që të angazhoheshin. Është një tren i gjatë i madh, që ka për lokomotivë PD, dhe pastaj vijnë vagonat, por që do të ecin sipas mënyrës së tyre, është një formulë pragmatiste, por secili do të marrë aq deputetë sa vota ka marrë.

Votat grupohen te partitë më të mëdha, dhe i vendos në një marrëdhënie të pabarabartë partitë e koalicionit. Kjo është formula që i përfaqëson të gjitha palët, diku janë 3 parti, diku tjetër janë 5, opozita nuk po ndahet, thjesht po zgjerohet.

Nuk e dimë nëse kjo formulë do të respektohet nga pala tjetër, do çohet për diskutim në grupine Reformës, dhe duhet që të kalohet në Kuvend. Korigjon disa prej defekteve që ka sot sistemi. Duhet të vazhdojmë sqarimet sesi po shkelet Kushtetuta, njësoj siç ka nisur presidenti Meta të denoncojë ditët e fundit”, është shprehur Shehi, i cili komentoi dhe djegien e mandateve, që sipas tij i solli opozitës mbështetjen popullore. “Ne kemi moralin tashmë që ti kërkojmë publikut të na mbështesë. Nuk e llogaritëm pjesën që do të kishte hyrje nga listat, dhe kjo ndoshta e zbehu pak aksionin tonë”, shtoi kreu i LZHK-së.

Të tre përfaqësuesit e opozitës nuk e përjashtuan mundësinë për të rikthyer protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, në rast se ai nuk pranon që të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.