Rama në ‘armiqësi’ me lidershipin shqiptar në rajon…

0
85
Nga Kastriot Islami 

Çdo drejtues i lartë i Shqipërisë, sa herë ka marrë një detyrë të lartë kushtetuese, është vlerësuar nga faktorët e ndryshëm globalë, veçanërisht nga partnerët strategjikë, përveç të tjerash, edhe për ndikimin konstruktiv te faktori shqiptar në vendet e rajonit, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi…

Thënë ndryshe është vlerësuar edhe për rolin potencial e konkret për të përcjellë e marrë mesazhe, por edhe për të moderuar modestisht sjelljet e qëndrimet e lidershipit shqiptar në vendet e rajonit deri edhe të Luginës së Preshevës në Serbi, por pa zënë pozicion paternalist dhe pa ndërhyrë në punët e brendshme në vendet ku jetojnë e madje duke respektuar e nxitur pjesëmarrjen e tyre aktive në axhendat integruese euroatlantike e europiane.

Edi Rama është drejtuesi i vetëm i shtetit shqiptar në këto 30 vjet që ka dalë jashtë këtij roli e misioni, për të mos thënë e ka humbur plotësisht këtë rol e ndikim, madje është kthyer në ‘armiqësor’ në marrëdhëniet me lidershipin shqiptar e në një personazh grotesk e problematik për marrëdhëniet me faktorin shqiptar në rajon, veçanërisht në Kosovë…

Kjo ka ardhur për shumë arsye. Por ajo më themelorja lidhet me qëndrimet të tij tërësisht tinzare e të gabuara, të pakonsultuara e deri antieuropiane e njëkohësisht antishqiptare të përcaktuara nga një politikë e jashtme mediokre vetëm në funksion të zgjerimit pa kufi e forcimit të pushtetit të tij personal, duke qenë në përplasje me interesat shqiptare.

Rama pasi humbi gradualisht mbështetjen politike e elektorale në Shqipëri, dhe duke u përpjekur ta kompensonte atë, herë me qëndrime të dyshimta nacionaliste ekstreme antieuropiane e antiperëndimore dhe herë duke hedhur teza të dyshimta e të papranueshme antishqiptare u fut në marrëdhënie të acarta e deri konfliktuale me partnerët strategjikë por mbi të gjitha me lidershipin shqiptar në rajon duke humbur tërësisht ndikimin e tij tek ata…

Rama po ashtu duke sulmuar për interesa të ngushta të pushtetit të tij personal herë lidershipin e SHBA dhe herë atë të vendeve kryesore të BE është bërë i pabesueshëm jo vetëm për drejtuesit e vendeve partnere kryesorë strategjike por edhe për lidershipin shqiptar në rajon që e kanë parë gjithnjë Shqipërinë në pararojë të zgjidhjes së çështjes së tyre nacionale dhe të marrëdhënieve të partneritetit me faktorët e rëndësishëm globalë…

Rama gjithashtu, duke tentuar të sigurojë eksluzivitetin e moderimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë apo marrë rolin partenalist mbi Kosovën, u largua e u ftoh me lidershipin e Kosovës, ndërkohë që në mënyrë tinzare u kujdes të afrohej disporpocionalisht me Serbinë, aq sa Rama cilësohet aktualisht nga lidershipi aktual i Kosovës më pranë lidershipit serb sesa lidershipit kosovar…

Rama me mbështetjen tinëzare e për interesa të pushtetit të tij personal të opsionit ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë apo të opsionit të Minishengenit Ballkanik pa përfshirë Kosovën apo duke e përfshirë Kosovën jo drejtpërdrejtë në këtë tavolinë ka humbur ndikimin te lidershipi shqiptar në rajon duke marrë ndërkohë mbi vetë urrejtjen e qytetarëve kosovarë që i cilësojnë tradhti këto lëvizje të fundit…

Rama i kompleksuar nga tensionet e krijuara në marrëdhëniet me lidership Kosovar mendoi se mënyra adekuate për të kompensuar këto marrëdhënie të dëmtuara do të ishte afrimi me liderin serb Vuçiç, lëvizje që duket naive dhe në drejtimin e gabuar për më tepër që edhe vetë Vuçiç s’gëzon realisht ndonjë konsideratë për Ramën, përkundrazi, pavarësisht se ndjehet komod me acarimin e ftohjen e marrëdhënieve të Ramës me lidershpin Kosovar.

Rama i ndodhur në këtë situatë të pazakontë, në konflikt më elektoratin shqiptar dhe në armiqësi me faktorin shqiptar në rajon, vetëm për interesa të pushtetit të tij personal, ka ndërmarrë një rrugëtim të çuditshëm mes hapësirave të krijuara nga ribalancimet gjeopolitike, duke shfrytëzuar për arritjen e këtij synimi edhe presidencën e OSBE.

Përfundimisht mund të thuhet se Rama me lëvizjet e tij herë si nacionalist aguridh kundër qëndrimeve të BE e SHBA, herë si nacionalist ekstremist kundër axhendave integruese europiane të shqiptarëve në rajon, dhe herë si tradhtar i interesave kombëtare, ka rritur me sukses e naivisht të humbasë plotësisht ndikimin te lidershipi shqiptar në rajon e mbi të gjitha ka transformojë Shqipërinë nga faktor stabiliteti e sjelljesh konstruktive në zhvillimet rajonale në një vend me një politikë të jashtme e rajonale të paparashikueshme, mediokre dhe inefikase.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here