Standard.al

Shteti i Ramës me 4 P: Polici-Parti-Para-Propagandë!!!

0

Në kulmin e përplasjeve për Kushtetutën mes Qeverisë dhe Presidencës, Parlamenti i PS vendoi miratimin e ligjit që heq betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si kompetencë e Presidentit dhe ja kalon atë një noteri të thjeshtë. Po në kulmin debatit për zbatimin korrekt të Reformës në Drejtësi, e cila u miratua më konsensus 4 vjet më parë, këtë të mërkurë që lamë pas, Parlamenti i PS ndryshoi dhe ligjin për gjyqtarët dhe prokurorët duke i dhënë më shumë kompetenca Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Reforma e miratuar me 140 vota, kompetencat për ndëshkimin apo penalizimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve e kish lënë në dorë të dy institucioneve kolegjiale, Këshilli të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Me argumentin për të luftuar krimin, Qeveria futi duart në pushtetin e drejtësisë duke i vënë gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në dorë jo të institucioneve të tjera kontrolluese të drejtësisë, por të një njeriu që është zgjedhur vetëm nga PS dhe është provuar se është i afërm i një deputete dhe ish-ministre të Edi Ramës. Që ndryshime të tilla ligjore janë alarmante dhe shkatërrojnë reformën në drejtësi tani nuk e thonë më vetëm juristët, por edhe njeriu që hartoi reformën në drejtësi socialisti Fatmir Xhafaj. Qeveria tha se këto ndryshime janë pozitive, pasi do pezullohen dhe çohen për ndjekje penale brenda tre ditëve prokurorët dhe gjyqtarët që japin vendime anti-ligjore. Por edhe pse duket diçka pozitive, çështja është se një i zgjedhur nga qeveria nuk mund të përcaktojë me dëshirë e tij nëse një vendim gjykate apo prokurori është i ligjshëm apo jo. Vrulli i qeverisë për të luftuar krimin me paketën ANTI KÇK, mund të godasë gjithë institucionet e pavarura të drejtësisë.

Por skandali i Rilindjes me këto ndryshime ligjore është edhe më i madh. Ndryshimet për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u miratuan në të njëjtën ditë që në Shqipëri, Partia Socialiste kishte ftuar përfaqësuesit e Komisionit të Venecias. Misioni i Venecias ishte në Tiranë për të zgjidhur pikërisht përplasjen mes Qeverisë dhe Presidencës, lidhur me të drejtën ligjore për emërimet dhe betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në të njëjtën ditë që Venecia pyeste për bazën ligjore mbi të cilën veproi PS me rastin e Arta Vorpsit dhe Marsida Xhaferrllarit, Rilindja në Kuvend ndryshoi ligjin pa pyetur askënd dhe duke marrë kompetencat e kreut të shtetit. Nuk është thjesht një gafë politike dhe diplomatike në raport me Komisionin e Venecias. Më shumë se kaq, PS dha mesazhin se as i llogarit qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe raportet e tyre i përdor vetëm për konsum të brendshëm politik. Votimi në prani të Komisionit të Venecias të ligjeve antikushtetuese është degradimi më i madh politik dhe ligjor i një mazhorancës që thotë se qeverisë në mënyrë të ligjshme. Skandali i fundit i PS-së u shtohet edhe shumë skandaleve të tjera ligjore ku Rilindja po kalon kompetencat vetëm në duart e Qeverisë dhe të Policisë duke asgjësuar çdo institucion tjetër. Ligji i fundit që përgjimet telefonike dhe ambinentale i lë në dorë të policisë, pa pasur urdhër nga prokuroria është dhe më alarmanti për liritë dhe të drejtat e njërit në Shqipëri. Është një situatë ku qeveria ka tejkaluar çdo normë ligjore dhe morale.

Një situatë që dje kreu i shtetit, në një reagim të fortë dhe të pazakontë në rrjetet sociale, e cilësoi si grusht shteti dhe qeverisje me PPP (PPP (Polici Parti e Propagandë). “Në shtetin e PPP (Polici Parti Propagandë) nuk ekzistojnë as direktivat e BE, as Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, as Konventat Ndërkombëtare, se kriteret e Kopenhagenit nuk i kujton më njeri që kur u mbyll Ambasada daneze këtu. Në shtetin e PPP (Polici Parti e Propagandë) ekziston vetëm grushti i shtetit dhe shpopullimi i vendit”,- deklaroi kreu i shtetit.

Por Presidenti nuk e tha të plotë, sepse realisht kryeministri zbaton formulën PPPP (Polici-Parti-Para-Propagandë). Në Shqipëri, Rilindja e ka me 4 P e jo me tre! Slogani është me PPP, por në praktikë janë Polici-Parti-Para-Propogandë (PPPP). Pra gjithçka për 10 veta nga oligarkët si dhe kryeministrin e ministra. Kurse për popullin vetëm dajak!

Duke u ndalur në votimin e ndryshimeve për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti shprehet se aktet e pabesa të qeverisë tashmë po kërcënojnë pronat, pasurinë dhe të drejtat e qytetarëve. “Me miratimin në pabesi të plotë të ligjit anti-kushtetues të KRYEKÇK-së një ditë para mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias, të thirrur nga vetë Kuvendi një-partiak, nuk kanë më vlerë as thirrjet “Ndiq paratë” se tashmë paratë, pronat, çdo pasuri dhe të drejtat e shqiptarëve do përqëndrohen në një grusht të vetëm, falë grushtit të shtetit që finalizohet me shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese në Polici kushtetuese të shtetit të PPP”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta.

Pra Rilindja e 4 P-ve ka pushtuar çdo pushtet dhe po boshatis buxhetin e shtetit, sepse asnjë punësim nuk po shton, nuk po rrit pensionet dhe as pagat. Ndaj Presidenti ka harruar një “P” të Rilindjes, që janë paratë. Pa para nuk jetojnë P-të e tjera te Rilindjes! /Koha Jonë/

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.