Standard.al

Rama, përdhunim për të na ruajtur vi*gjërinë!!!

0
Nga Doan Gjyzeli

A mund të ndodhë që të përdhunosh dikë duke i premtuar se vetëm kështu mund t’ia ruash virgjërinë?

Atij që nuk i ka shkuar mendja se ka nga ata që e shesin përdhunimin për ruajtje morali dhe virgjërie të atij që dhunojnë, mjafton të shohë veprimin e kryeministrit Rama me OFL-në, ku pasi përfshiu në këto shtatë vite krimin në qeverisje, tani na thotë se ka gjetur një rrugë ideale për t’i mundur kriminelët, ‘me një formular 48 orësh’.

Në fakt, halli duket krejt tjetërkund. Fuqia që i jepet policisë që të përgjojë këdo pa vendim gjykate duket misioni i vërtetë i gjithë këtij aksioni, duke i hapur rrugën policisë së Ramës që të përcaktojë se cili është armiku i qeverisjes së tij. ‘Juve ju dhimbsen kriminelët që i mbroni?’, pyeste në emisionin ‘Opinion’ përpara gazetarëve kryeministri Rama, për t’i vënë në një situatë të sikletshme, a thua se po bënte bisedë fshatçe e jo si kreu i qeverisë, që ka detyrë të trajtojë jo vetëm gazetarët, por edhe çdo qytetar me dinjitet dhe t’ua lërë në dorë organeve të drejtësisë të shpallin dikë fajtor ose jo. Por në fakt, për Ramën kjo është rruga e vërtetë: T’i japë të drejtë vetes të përcaktojë ai dhe vetëm ai se kush është kriminel, kush është fajtor e kush është i pafajshëm.

Kushdo që e dëgjoi kryeministrin Rama përballë gazetarëve, do të haste fare lehtë ngjyrat e një çingie, që kur shkon diku, nuk dëgjon asgjë nga ajo që i thuhet dhe kërkohet, por ka mendjen te hedhja e fallit të vet, duke menduar se formulat me magji, me hipnoza, do të jenë të mjaftueshme që qytetarët të mendojnë se kanë një kryeministër që shqetësohet vetëm për ta, dhe se tashmë ka marrë në dorë vetë situatën për të ndëshkuar të këqijtë.

Dhe këtë e thotë pa pranuar për asnjë çast se ka dështuar me krimin në këto shtatë vite qeverisje. Madje, jo vetëm ka dështuar, por edhe i ka graduar përfaqësues në Kuvend e në pushtetin lokal, duke i dhënë një status publik për të vendosur për qytetarët e tjerë. Dhe në këtë rrugëtim të komunikimit me shqiptarët, Rama nuk denjon të përgjigjet as për makinat që përdor, as për fotot me të akuzuarit për krime dhe që policia e tij u kërkon, as kur i thonë se është manipuluar sondazhi për performancën e ministrave nga zyrat e socialistëve. Në vend të përgjigjeve ai ka në stilin e tij fyerjen për këdo që ka kurajën ta pyesë për përgjegjësinë si kreu i qeverisë.

Është pikërisht ky përdhunim i hapur i çdo vlere shoqërore, që ai e ka bekuar deri në atë pikë sa e thotë hapur se ‘edhe po të shkojë në burg, Dako është miku im’. A thua se deputetët dhe kryebashkiakët e nxjerrë jashtë nga ligji i dekriminalizimit, e të tjerë që po hetohen si të dënuar në periudha të ndryshme për vepra penale të ndëshkueshme jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht, janë thjesht një aksident.

Në fakt, kaq shumë ‘aksidente’ në përzgjedhjet politikë tregojnë që vetë kryeministri është një aksident, që po shkakton kaq shumë dëme në jetën e shqiptarëve, sa më shumë se gjysma nuk shohin asnjë shpresë të jetojnë këtu, ku për të diturin e për të drejtin nuk ka më vend e nuk interesohet më askush.

Por, përveç shqetësimit se si Rama po merr në dorë të drejtën që kanë gjykatat dhe vetëm gjykatat për të shpallur dikë fajtor apo të pafajshëm, ajo që vlen të pyesim është fakti se përse qytetarët nuk po arrijnë ende të lexojnë këtë përdhunim të së drejtës së tyre, përmes përgjimeve selektive që po kërkon të ligjërojë kryeministri? A kanë dijeni qytetarët sot se, dhënia e fuqisë për policinë për të përgjuar këdo pa vendim gjykate i ka vënë tashmë të gjithë nën një represion të pastër qeveritar?

Deri më sot, përgjigjet e këtyre pyetjeve kanë qenë të vështira, për shkak se qeveria ka investuar gjithçka që qytetarët të vetëfajësohen. Qeveria e sotme i ka lënë të lirë të besojnë se, ajo që nuk kanë arritur ka qenë kryesisht faji i tyre, pasi nuk kanë ditur të vjedhin kur kanë qenë në vende pune, kur kanë pasur mundësi.

Madje, ky mentalitet ka shumë mundësi t’u bashkëngjitet edhe të dëmtuarve të tërmetit, të cilët mund të fajësojnë veten që nuk hetuan vendet ku blenë shtëpitë, nuk bënë studime gjeologjike për tokën. Pasi ‘shoku i Ramës, z. Dako’, nuk ka shanse të fajësohet. Madje qytetarët e dëmtuar duhet të falënderojnë Zotin që Rama nuk ka sulur policinë që t’i arrestojë për syleshësi në gjetjen e opsioneve për shtëpitë e tyre. Sepse…. Kjo qeveri përdhunimin e ka për të mirën e qytetarëve, që t’u ruajë atyre virgjërinë…

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.