Shën Valentin, ku ishe?

0
112

Nga Anna Kove

Jam e bukur? Kështu e pyeta pasqyrën sot si shtriga e përrallës, por ajo s’m’u përgjigj. Fillova të pudrosem me kremra dhe ngjyra për të mbuluar shtresë pas shtrese poret e lëkurës dhe të mendimeve, për t’u dukur patjetër e bukur. Ja, i pari, kremi i bardhë i ditës, që do të fshehë ndonjë ëndërr të patretur nate. I dyti do të fshehë njollat e errëta të lëkurës dhe derdhjen e ca mendimeve të errëta mbi të. E treta është e kuqja e mollëzave, kundër trishtimit. Pastaj sytë. Bëj shumë kujdes me ca rrudhëza poshtë tyre që, më shumë se vitet, kam frikë mos më padisin pagjumësinë e natës. Në fund ca pika parfumi dhe çdo gjë që quhet „tualeti i mëngjesit“ mbaron këtu. Bëhet fir ajo që je, dhe formësohet një fytyrë disi tjetër.
Jemi prapë pasqyra përballë meje, e unë përballë vetes. Cilës? Asaj që jam, apo asaj që nuk jam? Asaj që isha, apo asaj që u bëra? Asaj që dua të jem, apo asaj që nuk do mund të jem më kurrë?
“Po tani a dukem bukur?”, pyes prapë, dhe mendimi baret tjetërkund. Si do t‘i dukem sot? Vërtet, si do t’i dukem sot? Apo nuk do vërejë fare gjithë këtë përkujdesje, enkas për të? Vështroj pa dëshirë tjetërsimin tim në gjoja „bukuri“, dhe gjithçka qendërzohet në pyetjen: A jam më e bukur se “ajo”? Këtë herë pyes me zë. Zëri më dridhet dhe jam gati ta bëj pasqyrën copë e çikë, sikur mos të më troshitë mendësia popullore, për tersin që sjell një pasqyrë e thyer. Marr inat dhe me mendësinë popullore, që s’më thotë se ç’ters sjell një zemër e thyer. Si duket ajo? Më dridhet zemra dhe gjunjët, kur jo vetëm mendoj, por dhe besoj se “ajo” ekziston. Si krihet, si vishet, si …?
Oh, unë ende nuk qenkam veshur! Nxjerr nga rafti një fustan blu me guaska deti. Kur më pa për herë të parë me të, më tha: „Dukesh shumë bukur, si mbretëreshë!“ Sikur të isha vetëm për një çast mbretëreshë! Si në përrallë do t’i kërkoj pasqyrës të më tregojë fytyrën e saj. Si në përrallë, mund të kërkoj edhe zemrën e saj. O Zot, ç’tmerr! Ç’do bëja, po ta kisha? Ndoshta bizhu. Një bizhu që shpreh dashurinë më mungon. Kam parë shumë gra të varin në qafë zemra të mbyllura dykapakëshe, që shtrëngojnë fort portrete të fiksuara në çaste jodashurore. Portrete që kurrë s’arrijnë të puthen brenda zemrës së shtrënguar, ku mungon liria, ajri dhe drita. Mendimi i tmerrshëm më shpejt ikën se vjen. Le që unë s’di ç’të bëj ndonjëherë me zemrën time, jo më me të dikujt tjetër.
Dëshirave të shtrigës së përrallave ua zënë vendin disa dëshira të tjera. Sot do ta bëj të më thotë: „Dashuron bukur, mbretëresha ime!“. Dua t’ua thotë të gjithëve. Të gjithë duhet ta njohin pushtetin e dashurisë sime. Po sikur të mos binden? Mund të ndodhë që ndokush të dyshojë. A nuk i ndodhi kështu dhe mbretit Kandaules, tek lëvdoi para miqve magjinë e dashurisë së mbretëreshës së tij? Kur lexova që mbretëresha vrau veten, se iu dyshua pushteti i dashurisë, e urreva mbretin për vdekje. Pse dreqin s’i lëvdoi tjetër gjë? Le të dyshonin! Të paktën mbretëresha do të mbetej gjallë.
Jo, jo, më mirë mos të më thotë asgjë sot. Sot është dita të heshtë. E çoroditur, hallakatem mes dëshirave dhe mungesës së tyre. Nuk di më se ç‘dua. Nga pasqyra, vetja sikur më thotë se duhet të ngutem. Jam bërë shumë vonë!

(Tregim i botuar 15 vjet me pare ne librin me te njetin titull – Pegi/Tirane 2005)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here