Gjata: Shteti mund të mbetet në dorë të një grushti oficerësh policie, që njohin vetëm Edi Ramën!

0
121

Nga Çlirim Gjata

 

Ndryshimet në ligjin për policinë e shtetit, konsistojnë në faktin e kërkuar dhe dëshiruar prej kohësh nga Edi Rama, atë të përgjimeve nga policia pa urdhër prokurori dhe pa vendim gjykate. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një shkelje më shumë e Kushtetutës kto kohë dhe rritje kompetencave abuzive të Kryeministrit, si dhe kufizim më shumë për të drejtat dhe liritë e qytetarëve në vënd.

Policia është insitucion ndihmës i prokurorisë në fushën e ndjekjes penale dhe në asnjë mënyrë, rast e fakt, nuk mund të veprojë jashtë urdhërave dhe kontrollit të prokurorisë e gjykatës në këtë lëmë. Këto janë standarte demokratike Europiane dhe Europa të paktën, ka arritur në këto përfundime pasi ka kaluar si fashizmin ashtu dhe komunizmin. Po ashtu dhe ne kemi një përvojë të jashtëzakonshme negative me raportin e marrdhënjeve shtet individ.

Ndaj dhe pikërisht nga kjo përvojë negative kemi sanksionuar në Kushtetutën tonë të njëjtat standarte si në Europë, siç janë parimi i ndarjes dhe i balancimit të pushteteve, apo i pavarësisë së organeve të drejtësisë. Në unison me këtë në nenin 148 e vijues të saj sanksionohet se, “Prokuroria ushtron ndjekjen penale,…” duke e përcaktuar këtë të fundit si të vetmin organ përgjegjës për ndjekjen penale. Ndaj dhe çdo veprim hetimor ndërmerret nga kjo e fundit. Gjithashtu Kushtetuta garanton, pas reformës në drejtësi, çdo prokuror është i pavarur dhe përgjigjet vetëm para gjykatës për veprimet e tij hetimore.

Policia asesi nuk mund të ndërmarrë vprime hetimore pa urdhërin e prokurorit për disa arsye. Së pari varet nga Ministri dhe Kryeministri, pra i përket egzekutivit si institucion. Së dyti nuk mund të kapërcejë organin e hetimit, që është prokurori. Ndryshe kemi antikushtetutshmëri në veprimet e sajë.

Me ndryshimet e fundit, dhënja e së drejtës së përgjigmit policisë pa urdhër prokurori, pra pa asnjë kontroll, kjo e fundit jo vetëm del mbi prokurorin, si i vetmi organ kushtetues hetimi, por edhe na bëhen dy organe hetimi paralele. Kjo sjell edhe shkeljen e parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve(neni 7 i Kushtetutës), pasi egzekutivi, Kryeministri pra, kështu ndërhyn në punët e prokurorisë si pjesë e gjyqsorit në veprimtarinë hetimore. Dhe prokurori jep llogari para gjykatës, ndërsa policia jo.

Gjithashtu, kjo kompetencë e policisë nuk shërben për gjë tjetër veçse për abuzime në këtë fushë. Policia këtë kompetencë mund ta përdorë ndaj kundërshtarëve politik, ndaj biznesit, apo dhe ndaj kujtdo që nuk i bindet Kryeministrit. Historia e ka provuar këtë. Pa folur gjatë për vendimin nr.43 datë 26.06.2015 të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka shfuqizuar pikërisht këtë kompetencë të policisë. Po citoj disa nga përfundimet e këtijë vendimi: “Heqja e eskluzivitetit organit të Prokurorisë në drejtimin e hetimeve të veprës penale, përbën shmangie të këtij organi nga ushtrimi i veprimtarisë së tij kushtetuese.” Më tej vazhdon: “Në rastin në shqyrtim, përveç problemeve të trajtuara më lart, Gjykata vlerëson se bashkimi në një “dorë” i veprimtarisë gjurmuese me atë hetimore, është një zgjedhje e papërshtatshme dhe e papranueshme në një sistem juridiko-penal të bazuar në modelin akuzator, në të cilin kërkohet një ndarje e saktë midis funksioneve të gjurmimit, hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit të çështjes. Një bashkim i tillë krijon premisa potenciale për arbitraritet, me pasojë cenimin e të drejtave dhe interesave të ligjshme të pjesëmarrësve në proces, si dhe cënimin e parimit të ligjshmërisë, si parim bazë i procesit penal.”.

Më qartë se kaq nuk mund të shprehej kjo Gjykatë dhe kam shkëputur vetëm dy paragrafë të shkurtër nga një vendim me 30 faqe(prandaj Rama nuk do ta shohë me sy Gj.K.).Po kush do të ishin, siç shprehet në vendimin e mësipërm, premisa potenciale për arbitraritet?

Me kompetencat që sanksionohen në ndryshimet e fundit për policinë, çdo shef komisisariati, ose i ngarkuar prej tij, në emër të hetimit policor të krimit të organizuar, pa leje të prokurorit shkon pranë kompanive të telefonisë celulare dhe paraqet listën e atyre që ai do përgjojë.
Dhe këto kompani sipas këtij ligji i vihen në dispozicion policisë. Ato nuk kanë të drejtë dhe as mundësi ti kërkojnë llogari policit se, mbi ç`baza apo kush është kjo listë, cilat janë dyshimet për krime të atyre personave, etj. Afërmendsh këto kompani nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, sepse merren me telefoni dhe jo hetime. Pikërisht këtë e bën prokurori, i cili prandaj është përjashtuar me ligj nga ky operacion hetimor.

Dhe kush i kërkon llogari policisë, ose më mirë të themi policit përkatës, se kush janë personat që do përgjohen? Askush. E pra aty mund të ketë kundërshtarë politikë, biznesmenë, e deri te bashkpuntorë të Kryeministrit, të cilët ai i ruan më fort se kundërshtarët e tij. Pak a shumë si Enver Hoxha të vetët.

Imagjinojeni pak se çfarë mund të ndodhë po u forcua shumë kjo strukturë. Jo vetëm që do të kthehet në një armë personale politike në dorë të Edi Ramës, por nesër mund ti kundërvihet edhe këtij të fundit dhe shtetit në tërësi, ose më e pakta mund të krijohet një strukturë korruptive shtetrore të cilën nuk e prek dot.
Sepse mund të ketë përgjime të tilla për deputete e ministra, për gjithë shtetin, saqë nuk mund të shkarkosh e jo më të ndjekësh penalisht një drejtor policie apo dhe më poshtë, pasi ai të shantazhon me përgjim nën kuadrin e skemës tashmë të njohur “s`keni parë gjë akoma”.

E thënë shkurt, shteti mund të mbetet në dorë të një grushti oficerësh policie, që njohin vetëm Edi Ramën. Kjo ka vetëm një emër: Fashizëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here