Show i anti-KÇK/ A luftohet krimi pa hetuar lejet e Veliajt në Tiranë?

0
98

Nëse policët e OLF, që po bëjnë show në gjithë Shqipërinë duke ndaluar makinat e shtrenjta, kanë një mundësi për të treguar se e kanë seriozisht, ata mund të mos merren me dukjen e parave të krimit, por me lavatriçen kryesore të tij.

Fjala është për flluskën e industrisë së ndërtimit në Tiranë dhe për absurdin e çuditshëm që, megjithëse shqiptarët emigrojnë, megjithëse po ndërtohet pa fund, çmimet në kryeqytet sërish rriten.

Një investigim i plotë i revistës Monitor flet për para të pista që po mbajnë të fryrë flluskën e ndërtimeve në Tiranë.

Nisur nga konstatimi i Raportit Europian të drogave për vitin 2019, që konkludon se ‘në Shqipëri cash-i i përfituar nga kontrabandimi i drogave futet në Shqipëri me makina dhe investohet në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm’, shkrimi bën bilancet absurde të kapërcimit të shtrenjtësisë për M2.

Aty theksohet se sipas operatorëve të tregut, shtrenjtimi ka ndodhur në të gjitha zonat dhe është i dukshëm në pallatet e reja që sapo kanë nisur të ndërtohen.

Mesatarisht, nëse do të blesh sot një hyrje, duhet të paguash 100- 150 euro më shumë për metër katror, sesa pak kohë më parë, madje në disa zona rritja është dhe më e fortë në 300- 600 euro më shumë.

Më e shtrenjta është zona e bllokut që ka dyfishin e rritjes (8.8%, çmimet shkojnë mesatarisht deri në 1450 për metër). Ndërsa ajo që ka pësuar rritjen më të ndjeshme është zona jashtë unazës (deri në 17% në harkun kohor të një viti).

Nga një mesatare prej 850 euro për metër, sot flitet për çmime deri në 1050 euro.

Po si është e mundur kjo rritje galopante çmimesh, kur Erion Veliaj po mbërrin rekordin e mbi 1000 lejeve të ndërtimit të firmosura prej tij?

Asnjë ekonomist nuk mund ta shpjegojë atë në mënyrë racionale, veçse me burimin e parave të pista.

Dhe nëse aksioni anti KÇK nuk mbetet vetëm në kuadrin e show-t që ndalon makinat e shtrenjta për t’i shfaqur në TV, ai le të futet të shikojë se nga rrjedhin paratë që mbajnë të fryrë flluskën e ndërtimit.

Pa bërë këtë, gjithçka duket si një film i parë edhe më parë. /Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here