Standard.al

Dosja/ Musine Kokalari! Gruaja e 88 dosjeve, që i rezistoi 20 viteve burgim

0

 

Në arkivin e Shtetit ruhen 88 dosje për gruan e fortë që i rezistoi 20 viteve burgim dhe internimit të dhimbshëm në Rrëshen, ku vdes nga kanceri. Ditari i Musine Kokalarit rrëfen gjyqin special me akuzën për përmbysjen e qeverisë komuniste.

Gruaja e 88 dosjeve, që i rezistoi 20 viteve burgim

Dosja

Musineja u lind në Adana të Turqisë në vitin 1917 (sipas pasaportës së saj dhe disa dëftesave shkollore, ndërsa sipas një shënimi biografik të vetë Musinesë ditëlindja e saj ka qenë 25 tetor 1918 F.437, D.84, fl.2), në një familje gjirokastrite intelektuale e me tradita patriotike. Ishte vajzë e vetme midis 4 vëllezërve. Babai i saj, Reshati, ishte jurist, në vitin 1920, pas Kongresit kombëtar të Lushnjës, si shumë atdhetarë të tjerë kthehet në atdhe. Dy vëllezërit e saj më të mëdhenj, Vesimi e Mumtazi ishin profesorë në Liceun francez të Gjirokastrës, por u pushuan nga puna sapo erdhi në fuqi A.Zogu. Mumtazi ishte edhe kryetar i shoqërisë “Bashkimi” dhe organizator i sporteve veçanërisht i futbollit. “Jetonim e punonim në mënyrë të thjeshtë e të kulturuar në mes të librave. Ishim familje demokrate, por jo revolucionare. “Zhvillimi i pikëpamjeve demokratike mbeti trashëgim në gjirin e familjes në rrugën tradicionale të kulturës përparimtare dhe qëndrimeve demokratike në marrëdhëniet shoqërore”, – shkruan vetë Musineja. (F.437, D.84, fl.1)

Shkollën fillore e kreu në Gjirokastër, ndërsa të mesmen në Tiranë. Studimet e larta i bëri për gjuhë- letërsi në Universitetin “La Sapienza”, në Romë në vitin 1941. Tema e diplomës së saj ishte mbi Naim Frashërin.

Emërohet më 22 shtator 1942 profesoreshë me orë speciale për lëndën e gjuhësisë pranë Institutit femëror “Nana e Skendërbeut” në Tiranë. (F.437, D.6, fl.1).

Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ajo qëndron në Tiranë, ku përveç punës së saj si profesoreshë e gjuhës, merret edhe me krijimtari letrare, të cilat edhe i boton, studime në fushën e gjuhës e folklorit, si edhe me shqipërime të veprave të autorëve të huaj. Ajo kontribuon edhe në mbarëvajtjen e librarisë “Venus” dhe në shtypshkronjën “Mesagjeritë Shqiptare”, pronë e vëllezërve të saj, të cilat ishte vatra të përhapjes së kulturës dhe atdhedashurisë.

Një tragjedi trondit familjen Kokalari, forcat partizane komuniste më 12 nëntor 1944 në prag të largimit të forcave gjermane nga Tirana, pushkatojnë pa gjyq dhe pa asnjë arsye mjaft njerëz të pafajshëm e midis tyre edhe dy vëllezër të Musinesë. Ishte vetëm fillimi i kalvarit të gjatë të vuajtjeve që prisnin jo vetëm këtë familje të nderuar, por të gjithë Shqipërinë. Por megjithatë ajo nuk heq dorë nga idealet e saj. Vazhdon të jetë e angazhuar në jetën politike të vendit. Së bashku edhe me intelektualë të tjerë nacionalistë ajo duke parandjerë rrezikun që po i kanosej vendit nga vendosja e regjimit komunist, harton dhe nënshkruan një promemorie për misionet aleate në Shqipëri, në lidhje me zgjedhjet e para parlamentare. Shpresat e Musinesë dhe të gjithë patriotëve, që mendonin se Shqipëria do të ishte një republikë demokratike parlamentare e tipit perëndimor u shuan shumë shpejt në mënyrë tragjike. Shqipëria u la nga aleatët perëndimor nën sferën e ndikimit sovjetik dhe të gjithë ata që punuan ose ndoshta thjesht e menduan e dëshiruan të kundërtën përfunduan para togave të ekzekutimit, burgjeve, kampeve , internimit dhe shtypjes dhjetëra-vjeçare. Musineja u burgos, u dënua e më pas vuajti internimin në Rrëshen deri sa ndërroi jetë.

Në A.Q.Sh. sot ka një fond arkivor me emrin -Musine Kokalari-. Në këtë fond janë vendosur dorëshkrime autografe të saj, letërkëmbim me persona të ndryshëm dhe familjarë, dokumente mbi veprimtarinë e librarisë “Venus” dhe shtypshkronjës “Mesagjeritë Shqiptare”. Fondi ka gjithsej 88 njësi ruajtje ose thënë ndryshe dosje, 6806 fletë. Kufijtë kohorë të dokumenteve janë 1921 deri 1983. Dokumentet janë dorëshkrime, shtypshkrime e daktilografime dhe janë të shkruara në gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht, italisht, gjermanisht.

 

 

Lumo Skëndo, lajmërimi para kasaphanës

 

Lumo Skëndo, i biri i Abdyl Frashërit, që përfaqësonte atë trashëgimi taktike si në luftën me hope, se për Shqipërinë demokratike që frymëzonte manifesti politik i Sami Frashërit.

Respekti për Lumo Skëndon ishte i pakufishëm. Ishte figurë e njohur. Dekalogu i Ballit ishte demokratik. Pengesat e luftës paraqiteshin nga goditjet komuniste, kurse pala tjetër ishin ato për opurtinitetin me okupatorin . Qe krijuar një psikozë e gjerë dhe një dëshirë e madhe bashkimi midis dy organizatave. Më kujtohet një herë të vetme që pata rast të bisedoja drejtpërdrejt me Lumo Skëndon në librarinë e tij.

Akoma nuk qe hedhur në ilegalitet.

Ai u ankua se në Shqipëri kishin hyrë agjentë jugosllavë e do merrnin kalanë nga brenda.

“Komunistët e mbajnë me premtime fshatarësinë dhe punëtorët e thjeshtë, Musine”, – më tha. “Këtu jemi përpara një rreziku të jashtëm që gjithçka do të shkojë në dobi të të tjerëve gjithë ky gjak. Unë jam kundër Komunistëve që mbrojnë idetë e tyre, po flas për komunistët shqiptarë dhe ja (më dëftoi një të ri). Ai është një komunist, po e shikon me tjetër sy. Ai më parë mendon për mëmëdhenë dhe nuk është aspak dakord me këta që udhëheqin dhe nuk dihet kush fshihet pas tyre”.

“I nderuar Mitat Bej, – i thashë unë, -ju diskutoni një çështje thjesht nacionale”.

“Po kjo është sot për sot kryesorja,- më tha”. “ Vërtet në qoftë se luftohet ose të presim momentin e goditjes për mos u dëmtuar shumë është një çështje nacionale. Mirëpo komunistët bashkë me nacionalizmin, japin premtime se çdo fitojnë nesër kur të çlirohet Shqipëria. Se mos do ti mbajnë premtimet”, – më tha.

“Atë do ta dëftejë koha”, -u përgjigja unë. Po vetëm fjala nacionalizëm nuk e mbush zemrën e fshatarit dhe të punëtorit, qoftë dhe me shpresë të rrema.

“Kur të çlirohet Shqipëria,- më tha, – unë vetë do të vishem me opinga dhe do të shkoj fshat më fshat për të shpëtuar fshatarin nga varfëria dhe padituria”.

“Mirëpo, këtë duhet ta thoni sot bashkë me luftën, me dyfekun dhe me pendën që të ndjek nga prapa për atë që ke në zemër.

“ Rreziku komunist është më kryesori”,- më tha ai. “Unë vetë, ti e di që s’kam kurrgjë se humbas si pasuri sa s’kam kurrgjë, veç librarisë, që sheh dhe atë personalen që do ta lë trashëgim pas vdekjes, shtetit dhe brezave të ardhshëm. Po diktatura e kuqe është mizore dhe derdh lumenj gjaku. Ndodhemi përpara një kasaphane”.

 

Nexhmije Xhuglini donte të na urdhëronte

 

Dëshira e flaktë e të gjithëve ishte bashkimi. Kurse unë e shikoja jo në prizmin e një bashkimi të Ballit kombëtar me Frontin Nacional Çlirimtar, mbi një bazë aleance demokratike dhe mbi këtë bazë kur rashë në kontakt me Nexhmije Xhuglinin (Hoxha më vonë) dhe parashtrova intensifikimin e luftës kundër okupatorit unë ja parashtrova që të hynim në gjirin e Frontit Nacional Çlirimtar, jo si individë të veçantë, po si një grup demokratik ose më mirë si parti (Social Demokrate që të përfaqësonte rrugën e mesme që të lidhte me të forcat e pa kristalizuara, duke u radhitur me të në aleancë me Partinë Komuniste në gjirin e Frontit Nacional Çlirimtar). Ajo nuk e pranoi këtë tezë dhe tha se sot nuk është koha e formimit të partive të tjera, po e organizmit të luftës kundra okupatorit.

-Ç’të keqe ka këtu?- i thashë unë, – ju jeni komunistë dhe midis jush i rrihni problemet shoqërore mbi parimet tuaja, dhe ne jemi demokratë dhe rrahim midis nesh problemet shoqërore dhe njëkohësisht i japim rëndësi në radhë të parë luftës kundër okupatorit. Këto mbledhje qenë bërë në shtëpinë e mësueses Razie Hallullit, ajo vetë ishte pjesëtare, ishte dhe Mefaret Frashëri , Afërdita Asllani si dhe Gjokoroce. Këto tre të parat më përkrahnin, e fundit mbante heshtje. Në atë periudhë pune të përbashkët, nxuarmë numrin e parë të revistës “Gruaja shqiptare”. Unë bëra hyrjen, shkrova një tregim “Hieja e djalit”, po këmbëngulja e Nexhmijes vazhdoi. Ajo dëshironte që ne të urdhëroheshim prej saj, të vepronim sipas urdhrave të saj dhe asgjë tjetër. Ky moskuptim dhe mos dashje solli largimin tim së fundi nga gjiri i Frontit Nac. Çlirimtar ku tentova që të hynim si një grup, në fillim dhe të formonim Partinë Social-Demokratike bashkë me luftën kundër okupatorit.

 

 

 

Hidhet me vete

 

Pretenca Kokalari

 

Musine Kokalari

Parashtrova krijimin e Partisë Social- Demorakte. Ne botuam një trakt dhe lajmëruam formimin e saj. U bë vetëm një mbledhje. Atë e organizoi Skënder Muçua. U mblodhëm në një shtëpi në rrugën e Elbasanit. Ishin mbledhur rreth 60 burra…Veç të zotit të shtëpisë ishte dhe Qiriako Harit, anëtar i frontit, njeri aktiv për ta. Fjalën e rastit e mbajti Skënderi. Foli për situatën, për luftërat që kishin bërë në rrethin e Vlorës, për bashkimin që duhej në popull, për përpjekjet për t’u marrë vesh me Frontin, në një luftë më intensive si dhe formimin e Partisë Social-Demokrate (ne katër ishin grupi i parë). Si mbaroi fjalën, u ngarkova unë dhe lexova programin. Erdhi momenti delikat. I zoti i shtëpisë tha: Ne jemi në front, punojmë sakrifikohemi, po na duan sa për të shkuar radhën. E shfaqi pakënaqësinë e tij të vërtetë. Skënder Muçua u nxitua. U drejtohet atyre të dyve: A do të hyni dhe ju në partinë Social-Demokrate? Qirjako Haritua mbeti në pozitë të keqe. Mendohesh të gjente një përgjigje. Shoku i tij po thellohej e nuk nxitohej. Gjithë ata burra, në përgjithësi, nuk thanë asnjë fjalë. Atëherë unë e mora vetë fjalën dhe iu drejtova vetëm, Skënderit: Sot është hera e parë që mblidhemi. Ne që komunikuam duhet të bëjmë punën tonë kryesore të organizmit. Të bëjmë luftën, të japim prova dhe pastaj këta njerëz të cilëve iu drejtove të vendosin për hapin e tyre.

Unë nuk doja përçarje dhe as që të cenohej Fronti Nac. Çlirimtar. Duhej të mbetej gjithmonë rruga drejt bashkimit, afrimit, në rast nevoje dhe aprovimi të hynim si parti S. Demokrate. Qirjako Harito e mori veten, gjithashtu dhe shoku tjetër. Mendimin tim e aprovuan dhe anuan që sa më parë të arrinin në qëllimin e caktuar. Ata do të mbeteshin gjithmonë një element, në favor të luftës, të bashkimit dhe të demokracisë. Po për fat të keq dhe kjo tentative shkoi kot. Mitat beu tregoi pakënaqësinë e vet dhe ndikoi keq në marrëdhëniet midis Skënderit dhe Isuf Luzit, që ishin në grindje e në ambicie. Selmani ishte tip i heshtur. As ndizte, as shuante. Unë u zemërova se pashë me një herë se krerët e Ballit nuk frymëzoheshin nga demokracia, po donte të shkonte përpara, duke ruajtur vetëm prestigjin e Lumo Skëndos, që të mbizotëronte në sajë të emrit të babait. Rruga tragjike dhe pozita demokratike ishte gjithmonë , sa në krahun komunist në shënjestër po as dhe aq nga elementi udhëheqës i Ballit, që donte të mbahej në këmbë me influencat personale. Moment tragjik. Ata bënë çmos të kundërshtonin. Atëherë mua më hipi një inat i madh e shkova drejt tek Nexhat Peshkëpia, profesor dhe sekretar i Ballit në Tiranë dhe pasi plotësova numrin e parë të gazetës „Zëri i lirisë“ i thashë ose botojeni, ose ne do të lidhemi, të gjithë sa jemi, me komunistët.

-Musine,- më tha ai, – kjo nuk është e drejtë. Ju organizoheni dhe kërkoni të mbani të fshehta forcat tuaja. Juve ju kanë nxitur komunistët që të shkaktoni përçarje në radhët e Ballit.

-Do ta botoni gazetën e do ta dërgoni atje ku dërgoni dhe shtypin e Ballit,- i thashë.- Të lutem mos na pengoni. Ne nuk duam përçarje dhe gaboni krejtësisht. Të lutem mos na pengoni. Në vend që të luftojmë ju hiqni dhe bazat më të thjeshta të demokracisë, me të cilën mburret Balli se i ka.

Nexhati, si dhe të tjerët besonin se ne ishim lidhur me njëri-tjetrin mes një vargan njerëz që ata s’e dinin. Dhe vërtet, ose dyshonin se ishin komunistët që na shtynin ose na mbushesh mendja se do të hidheshim me komunistët. Nexhati u detyrua të botojë gazetën “Zëri i lirisë” dhe ta shpërndajnë. Atëherë ata Skënderin e bënë redaktor të gazetës që nxirrte Balli. Unë merrja material andej këndej. Ndihmonte dhe Isuf Luzi dhe e vetme munda të nxirja vetëm gjashtë numra. Asnjëri nuk e dinte sa ishim, se kush ishim de kishe nxirrte gazetën. Vetëm unë ngula këmbë. Besoja në fitoren e saj ? Jo, dhe ne të katër që e themeluam nuk u takuam më herë bashkë. Unë i nxora ato gjashtë numra vetëm me një qëllim: Qe përshkuar një rrugë, një program partie. Pas çlirimit, në qoftë se do të ishte Shqipëria demokratike të mbështeteshim në atë rrugë dhe të vazhdonte.

***

Filloi lufta e Tiranës. 12 nëntor, m’i morën dy vëllezër e shumë veta në lagje (për fat që vëllai i tretë ishte i sëmurë me tifo) i vranë “ushtarak çlirimtarë “. Më 13 nëntor më arrestuan. Më mbajtën në një shtëpi tek lagja e jonë. Ndaj të gdhirë kapërcyem tek rruga e Fortuzit, nën gatishmërinë e tanksit gjerman. Na shpunë në rrugën Bardhyl. Na përplasën në bimsat e një shtëpie ku qenë shumë të burgosur, të mbledhur andej këndej. Më mori në pyetje Sylo Kozeli dhe Sotir Polena. Më thanë: Je social demokrate?

-Po, u thashë.

-Ke sjellë përçarje? – më thanë.

-Bini një njeri që të vërtetojë këtë, – i thashë unë.

S’ke bërë luftë, – më thanë.

S’na latë ju të bënim, – u përgjigja.

E, ç’ke bërë?

Jam marrë me shkrime. Kam botuar libër për fëmijë.

Libër, – u përgjigj me injorancë Sulo Kozeli.

Lufta është bërë dhe bëhet me pendë dhe me armë. Ti e
bëre me armë, por me pendë s’je i zoti ta bësh.

Më dërguan prapë në birucë.

Erdhëm tek rruga e Dibrës. Më liruan, një herë, më kapën për herë të dytë, ku më vizitoi Beqir Balluku. Për 28 Nëntorin 1944 më liruan. Dy vrasje të pafajshme; në shtëpi më gjeti çlirimi dhe me pasigurinë e rrojtjes. Filloi tragjedia e individit demokrat, nënë diktaturën e proletariatit. Kështu u mbyll epoka e Rilindjes dhe tendenca demokratike nga pozita humaniste që mbron popullin e thjeshtë, njeriun e punës për të shpëtuar nga skllavëria fizike dhe shpirtërore dhe dinjitetin njerëzor. Hyri dhuna dhe gjakderdhja për të shfarosur demokraten dhe gëzimi mizor për gjakderdhje, me forcë e me mospërfillje.

Botëkuptimi i ri i diktaturës së proletariatit, ndonëse në fillim nuk e zbatoi tërësisht, u ndesh që në luftë e sipër me botëkuptimin demokratik iluminist progresiv, si qëndrim oportunist që gjatë luftës antifashiste.

***

…Sonte jemi mbledhur këtu për një notë. Ne jemi një koalicion demokratik dhe duam që në zgjedhje të marrin pjesë shumë parti. Pra, duhet të përpilojmë një notë dhe të kërkojmë
nga aleatët që të ndërhyjnë pranë Qeverisë të shtyjnë votat, të marim pjesë dhe ne. Fituam, humbëm atë e di populli.

Jeni dakord? – i pyeta unë.

Po, – thanë me entuziazëm që të gjithë.

Secili të ruajë të fshehtat ose idealet e veta pa u përzierë tek njeri-tjetri dhe pa kërkuar të futi hundët në punët e brendshme.

Më se e drejtë, – thanë të gjithë.
Unë mora penën, përpilova notën.

Atë e firmosën katër zogistë, katër të rezistencës, unë, Musa Dizdari, një shoku im në trurin e Social Demokrates. Me qenë se nuk kisha kërkuar të hapeshim me të tjerët vura unë me dorën time dy emra shokësh demokratë. Në qoftë se do të dilte mbarë, ata s’do të ishin kundra. Në qoftë se dilte keq, ata nuk pësonin gjë, si nuk pësuan me të vërtetë, pasi unë deklarova në hetuesi që ata s’kishin dijeni për veten e koalicionin demokratik.

Një kopje e shpuri Shaban Balla tek Anglezët dhe një kopje tek Amerikanët.

Unë pata vetëm një rast të flitja me oficerin Palmer, që të përkrahnin këtë hap në qoftë se donin që zgjedhjet të ishin demokratike, siç pretendonin ata.

Mirëpo aleatët nuk ndërhynë pranë Qeverisë. E lanë në heshtje. Dhe qe një rast që të faktonin se kishin forca në vend që donin zgjedhje me shumë parti.

…Nuk them se ishim viktima të tyre, se unë e quajta me arsye të bëja tentativën e tretë të Social Demokratikes. Humbën, se të tjerët kishin punuar për idenë e tyre, ishin organizuar, kishin luftuar dhe kishin bërë sakrifica. Këtë nuk e tund as topi. Superioriteti i tyre ishte i padiskutueshëm dhe i merituar, sikundër qe e merituar dhe humbja t’onë. Po që ata më prapa sakrifikuan duke organizuar grupazhe treguan dhe inferioritetin e tyre që nuk duhej t’i forconin këta me duart e tyre. Shumë njerëz të mirë humbën kot mbas nesh.

 

***

Më 23 Janar 1946, u arrestova. Të parët qenë grupet zogiste dhe të rezistencës. Ata u arrestuan më 10 Janar. Tani para hetuesisë u shtrua çështja e notës: ishte Nesti Kerenxhi, Siri Çarçani, Edip Çuçi, Kadri Hazbiu etj., që u ra akuza ime. Unë e kisha të lehtë të mbrohesha, ata e kishin të zorshme të mbanin në këmbë akuzën e përmbysjes së Pushtetit.

Filloi hetuesia. Më pyetën për notën. Sigurisht kishin folur të tjerët para meje, po ata nuk e kishin qartësuar dhe synimet e duhura për t’ u mbrojtur.

Fillova unë: notën e bëmë në emër të tre grupeve, aleatëve të cilët ju i lejonit që të vëzhgonin se ishin demokratike. Çështja u shtrua, si një koalicion demokratik se secili grup me programin të paraqiste kandidatët e vet pasi të shtyheshin zgjedhjet dhe të merrnin pjesë dhe ne.

Çudi, – tha Nesti Kerenxhi që ishte kryetari i Sigurimit. -Ti vjen nga një familje demokratike, antizogiste. Si u bashkove me monarkistët.

-Këtë mësim e kam marrë nga ju – u përgjigja unë si do që jeni komunistë dhe partia komuniste drejtonte në Front, ju futët Bazin e Canit, përfaqësuesit e Ahmet Zogut, i njohur botërisht.

Ata mbenë. Nuk dinin si të përgjigjeshin.

Ju deshët të përmbysnit Pushtetin, – thanë.

Jo, ne kërkuam shtytjen e zgjedhjeve. Unë as që kisha grumbulluar njerëz, veç dy veta. Ne do të përmbysnim Pushtetin?

Ti përdore dhe parinë. Të përfitohej nga forcat e tyre dhe të dilje në krye – thanë.

Kjo s’është e vërtetë. As që di sa forca kanë, dhe sikur të ishin të shumta. Kur nuk ju likuiduan bashkë me gjermanët, s’kishin mundësi të përmbysnin tani.

Ata, atë synonin, shtyrjen!

Unë përgjigjem se ç’pretendoja unë. S’jap llogari për qëllimet e të tjerëve. Ata, po të ishin të zotë, të përmbysnin një Pushtet që ka marrë fuqinë në dorë, të jeni të sigurt dhe neve të ideologjisë do t’na shuanin nga faqja e dheut.

Pse nuk ja drejtove Qeverisë notën? – më thanë. Atëherë ne nuk të arrestonim.

-Kjo s’kishte si të bëhesh. Elementi që s’është me ju dhe sikur të bënim ne një notë Qeverisë do të thoshin që këtë lojë e kanë kurdisur komunistët që të shohin se kush janë ata që nuk
mendojnë si ju. Pra duhej, që gjithë elementi i kanalizuar në programet e veta të dilte hapët. Në fitonte vota, mirë, në qoftë se nuk fitonte, mbyllej ky hesap. Kështu dhe aleatët, me anën e notës viheshin përpara nj ë qëndrimi dhe nuk kurdisnin pas krahëve e të mbanin njerëzit me shpresa. Nota ju shkoi dhe ata duhet të thoshin: në Shqipëri ka elementë që do të marrë pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet të jenë të lira, të marrin pjesë të gjithë, Ata se bënë këtë
dhe unë jam në vështirësi të vërtetoj përmbajtjen e notës.

-Ju donit përçarje.

-Aspak i thashë. Ne nuk ngajtëm nga elementi brenda Frontit. Le të dalë një e të thotë se e kemi nxitur. Ne donim që në Front të kishte vetëm një parti komuniste. Po edhe Social-Demokrate ose dhe një tjetër.

-Ne bëmë luftën, – përsëritën.

-Po dhe ne, në mos me armë, me mënyra të tjera nuk bashkëpunuam me okupatorin. Ju e dini dhe e kuptoni dhe vetë: unë s’kam bërë gjë kundër jush, as kam bashkëpunuar me
okupatorin. Po ju do të më dënoni jo se kam bërë faj, po se ju komunistët nuk lejoni parti tjetër dhe gjeni sebep e thoni se doni të përmbysni Pushtetin.

Unë s’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ti fitove në zgjedhje, mirë po unë në burg nuk duhet të jem. Ti më arrestove e thua se jam fajtore. Atë s’e pranoj.

-Po ju donit të kishit dhe shtypin tuaj? – më pyetën.

-Po, – i thashë unë.

-Dhe kush do të bashkëpunonte në atë shtyp?

-Kjo nuk pyetet. Mos vallë s’jemi në gjendje të botojmë një gazetë?

-Po të fitonim dhe do të nxirrnim shtypin dhe njerëzit hapët do të shfaqin mendimet. Dhe ju do të shikonit se kush i shkruante. Ju s’keni deklaruar që duhet të jesh pa tjetër komunist. Ju mbroni
shtypin e lirë.

-Po ju shtypin fashist.

-Unë s’jam fashiste. Kam kulturë demokrate, jam nxënëse e të ndriturit Sami Frashëri. Komuniste s’jam dhe as që e kuptoj.

-E mbyllën! Po të kishe drejtuar notën Qeverisë ti nuk do të ishe arrestuar. A e mendove se mund të hyje në burg? Më pyetën.

-Po si, më shumë se 99%. Po të paktën jam në burg, po e di pse jam. Në më dënofshi, padrejtësisht dhe atë do ta di. Këto teza i mbrojta dhe me shkrim.

Prokurori Gjon Banushi, kryetari Frederik Nosi, s’e bëmë dhe proces në gjykatën e lartë e përsëritën dhe i mbrojta tezat e mia gjer në fund.

Në 2 Qershor filloi gjyqi special.

1972

 

Dënimi i Musinesë

Pretenca qe e fortë. Musineja mendonte se do ta dënonin me vdekje. Prokurori e akuzoi se ishin një bllok që donin të përmbysnin pushteti. E dënuan me 30 vjet burg. Musineja nuk pranoi avokat duke lexuar vetë fjalën: “Në këtë gjyq janë të pandehur 36 veta. Katër grupe. Në tre grupe kemi vetëm një gjë të përbashkët: një notë drejtuar aleatëve, që të shtyheshin votimet dhe si koalicion demokratik të merrnim pjesë në zgjedhje. Jo për përmbysjen e Pushtetit, po për zgjedhje demokratike”. Gjyqi vazhdoi 15 ditë dhe Musinesë iu ulën vitet e burgimit në 20. Një vit ka qëndruar e izoluar natë e ditë në errësirë. Akuzat nuk mbaronin aq sa një oficer i kish thënë nën zë se “sikur të besonin ato që kanë folur për ty, to do të vareshe të paktën tre herë”. Më 8 tetor 1961 u lirua nga burgu, duke e internuar më pas në Rrëshen, së bashku me nënën e saj, e cila vdiq mjaft shpejt. “Këtu filluan vuajtjet dhe lufta në punën e rëndë”, do të kujtonte Musineja. Jeta në Rrëshen ishte një kapitull tragjik më vete, vuajtjes dhe shëmtimesh për social demokraten e parë, dhe njeriun që besonte tek humanizmi ku popujt çliroheshin nga heronjtë e përsosur moralisht, duke i bërë njerëzit e lirë.

 

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.