Musine Kokaklari! Politikania e adhuruar nga burrat e shtetit, nga Enver Hoxha…..Bukuria e saj, një mallkim për të

0
230

 

Speciale/ 103 vjet nga lindja e shkrimtares dhe politikanes socialdemokrate Musine Kokalari

 

Musine Kokalari

Politikania e adhuruar nga burrat e shtetit

 

 

E adhuruan, e dashuruan, e urryen, por ajo vetë përjetoi një dashuri platonike duke refuzuar poetë, shkrimtarë, diktatorin deri në sakrificë me jetën – 20 vite burg, tortura dhe vdekja nga metastazat e kancerit e hedhur në internim. Për herë të parë një bibliografi e emrave që e dashuruan Musinenë nga diktatori Enver Hoxha, adhurimi i Mit’hat Frashërit, dashuria platonike e izraelitit, ndjeshmëria intelektuale e Selaudin Totos, “tradhtia” e Abaz Xhomos, dhe romani një mijë faqe e Shefqet Musarajt.

Violeta Murati

Nga mosha, Hektori mezi zbret në ish-kafenë “Venus” tani me emër tjetër… “Grali”. Është i nipi i Musine Kokalarit për të cilin mendojmë se mund të na dorëzonte për botim letërkëmbimet që Musineja ka pasur me personalitete…Dikur ajo rrugë e njohur prej librarisë së famshme “Venus” të vëllezërve Kokalari, tani ka ushqim kinez, indian apo fast food, dhe asnjë tabelë nuk shoqëron ndonjë histori aty.

“Unë nuk kam asnjë dorëshkrim”, i përgjigjet direkt, e ftohtë pyetjes sonë Hektori që nuk dëgjon pa aparat në vesh, dhe trupin e mbajtur mbi një shkop.

Nuk dihet për ç’arsye por familja e Kokalarit, trashëgimtarë të Musinesë ende nuk kanë publikuar letra të saj. “Kurnacëria” e Hektorit, nipit të Musinesë vazhdon të tregojë kokëfortësinë, sikur duan ta ruajnë sqimën që pati politikania në të ri përballë burrave që e adhuruan.

Por në anën tjetër të kësaj medalje është mbledhësi i punëve e dorëshkrimeve të Musinesë, bibliografi Nevruz Shehu, i cili në sinqeritet na thotë se i është dashur të abuzonte ca me to. Në fakt, Shehu është i pari që ka thyer akullin duke zbuluar gruan që adhurohej nga burra të shtetit, deri te diktatori që jetoi i pari gjithë ditët e jetës së tij, për gati 40 vjet mes urrejtjes dhe dobësisë për vajzën uragan, së cilës ia mori jetën burgjeve, torturave dhe internimit. Po asnjë fjalë nuk u dha nga Musineja, që shembi gjithë “burrërinë” e diktatorit, që nderonte adhuruesit e saj, dhe në ëndrra përjetonte dashuritë platonike. U dashurua prej burrash inteligjentë, që sfidonin dhe aristokratet evropiane përballë saj. Musine Kokalari nuk do ta prekte në asnjë çast intimitetin e saj shpirtëror duke e ruajtur deri në fund, me ironinë e tragjizmit të jetës. Ajo ruante etikë aristokrateje, e jo kushdo mund t’i afrohej, por kushdo mund të gjente një pritje elegante me finesë femërore, e zgjuarsi të dukshme.

Në vitin 1945 përfshihet në lëvizjen aktive politike me një grup të madh intelektualësh duke kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve të 2 dhjetorit të atij viti. Ajo u bashkua me forca të tjera politike duke krijuar për herë të parë “Koalicionin Demokrat” duke u drejtuar një notë aleatëve, Amerikës dhe Anglisë, për shtyrjen dhe vëzhgimin e zgjedhjeve. Nota e dërguar si dhe programi u shkrua nga Musine Kokalari.

Për qëndrimin e saj antikomunist dhe luftën totale për instalimin e një sistemi demokratik e pluralist në Shqipëri, arrestohet në 23 janar të vitit 1946.

Në qelitë e hetuesisë përballon torturat nga më çnjerëzoret dhe asnjëherë nuk mohon se është luftëtare e pluralizmit në vendin e saj, duke e quajtur si të vetmen rrugë për përparimin dhe zhvillimin e një shoqërie.

Në sallën e gjyqit nuk pranon të ketë avokat dhe jep me shkrim mbrojtjen ku ushtron dhe argumenton domosdoshmërinë e zgjedhjeve pluraliste.

Është e vetëdijshme për dënimin që do të marrë dhe nuk pendohet për aktivitetin e kryer. Dënohet 30 vjet, më vonë 20 vjet, dhe kryen 16 vjet në disa vende të Shqipërisë.

Kjo është një linjë e shkurtër historie për të kuptuar pse diktatori dërgoi në burg njerëzit e tij si Mehmet Shehun apo Kadri Hazbiun, që Musineja të bindet për t’i kërkojë falje. Madje në një seancë torturuese i vendosin një mace për ta gërvishtur dhe për ta përgjakur, derisa ajo arriti të bjerë në gjendje të fikëti, por sërish nuk pranoi të kërkonte falje.

 

Vitet me Enverin, simpati apo dashuri

I ndjekur nga hija e Musinesë, Enver Hoxha shkruan veprat “Vitet e vegjëlisë” dhe “Vitet e rinisë”… “Ka qenë një nga marrëdhëniet ajsberg për ndërgjegjen dhe psikologjinë e shqiptarëve për 50 vite midis Musinesë dhe Enverit”, thotë Shehu.

Ishte qershor i viti 1983 kur Enveri informohet se Musine Kokalari është duke shkuar drejt vdekjes. Ajo vuan me kancer dhe diabet. Vazhdon të mbajë qëndrim kokëfortë për 40 vite.

-“Asnjë letër për falje s’ka dërguar që nga viti 1946 që preferoi burgun si armike e Partisë dhe tani po vdes e vetme. U mundova ta zhduk po nuk është e thjeshtë ta zhdukësh një njeri si ajo”

-“Ajo po vdes…nuk i kam faj. Këta janë njerëz idealistë që kënaqen duke vdekur, duke menduar se hyjnë në radhën e heronjve” – ndoshta do ishte më mirë të pushkatohej qysh atëherë – janë pëshpëritjet e diktatorit në librin “Vitet e vegjëlisë”.

-“Një libër që duhej të dilte para se Musineja të vdiste, që të kuptonte se ai s’kish sagë me të”, thotë bibliografi Nevruz Shehu.

-“Unë nuk i kam asnjë faj, as asaj as familjes Kokalari” – ky mendim torturues i diktatorit do ishte befasi për Musinesë kur e deshifroi gjithë përmbajtjen e internuar ndërkohë në Rrëshen. Ishte apo nuk ishte mesazh për Musinenë? Bibliografi Shehu na sugjeron faqe për faqe librin “Vite të vegjëlisë”: të jetë urrejtje apo dobësi? Ndërgjegje apo ankth para historisë? Mbrojtje apo pendesë?

-“…u rrita dhe mora mësimet e para të jetës në rrethin tim familjar, të mësuesve e të shokëve të shkollës, në mes të njerëzve të thjeshtë e të mrekullueshëm të vendlindjes sime”, (f. 11).

-“mësues e profesorë shqiptarë kishim Vesim e Muntaz Kokalarin, që dinin frëngjisht…” (po aty). Vesimi e Muntazi ishin vëllezërit e Musinesë, në natën e 12 nëntorit të vitit 1944 thirren nga formacionet partizane dhe gjenden të pushkatuar në bodrumet e një hoteli. Musineja në të njëjtën kohë thirret e mbahet në arrest dy herë. Enver Hoxha pretendon në librin e tij sikur nuk dinte gjë, thotë Shehu duke shtuar se kjo nuk qëndron mbasi u denoncua nga Kristo Themelko në Plenumin e Beratit se kishte marrë urdhër nga Enver Hoxha për pushkatimin e sa më shumë intelektualëve me prirje nacionaliste që të arrinte në fitoren e zgjedhjeve të ’45-ës.

“Në të dy librat e Enverit vihet re jo me vështirësi nostalgjia për shtëpinë e kokalarëve ku bën pjesë dhe Musineja. Ndoshta është nostalgji që vjen në moshën e pleqërisë, kur ndjen se çfarë ke bërë dhe çfarë gjykimi do të kesh nga historia, miqtë, e bashkëkohësit”, thotë Shehu për diktatorin, i cili nuk guxoi ta përmendte asnjëherë në shkrime Musinenë megjithëse ishte femra më e njohur në Shqipëri, me të cilën “kërkontë të lante duart” duke folur ca fjalë të ngrohta për Kokalarët. Qëndrimi kaq gjatë në librat “Vite të vegjëlisë” dhe “Vite të rinisë” nuk mund të jetë i rastësishëm; Ai ka një brengë! Sipas bibliografit: “ai ka dashurinë e refuzuar”, “politikën e kundërshtuar”, “personalitetin e zbehur”, “burrërinë e përunjur”, “gjirokastrin e fyer aq rëndë nga moshatarët e tij”, “hoxhatin që pushkatoi nga fisi i vet jo pak”! Ndërkohë që pretendohet se arsyejt pse xhelozohej aq shumë diktatori nga Musineja ishte diploma e Romës, dhe që bukuria e saj tundonte cdo kënd duke shtuar njëkohësisht dhe cinizmin pse ajo ishte shkrimtare.

Bibliografi zbulon se në vitet ‘40 – ‘41 nëna e Enverit i propozon Hanushes (nënës së Musinesë) për të marrë për nuse Musinenë për Enverin.

Enver Hoxha duhet të ketë pasur dijeni për këtë. “Ai ka pasur marrëdhënie familjare me Kokalarajt ku është njohur me Musinenë dhe kanë pasur shoqëri dhe korrespondencë letrash (siç ka pohuar drejtori i Arkivit Shaban Sinani). Kjo shoqëri ka pasur në bazë afrinë gjinore dhe letrat janë me përmbajtje të ngrohtë fisnore. Por kjo korrespondencë ndërpritet pasi Enveri merr përgjigje negative”, tregon Shehu.

Musineja e kishte kundërshtuar pasi e konsideronte incest martesën në brezin e tyre dhe në të njëjtën kohë midis saj dhe Enverit kishte diferencë të theksuar arsimore e kulturore, kur në këtë kohë Enveri kishte lënë përgjysmë studimet në Francë.

Ishte prag zgjedhjesh më 1945 dhe hamendësohet se Enveri kërkonte nga Musineja t’i merrte krahët duke e joshur ndoshta dhe me propozimin e tij për t’u martuar.

Në vitin 1946 deri në vitin 1961 qëndroi në burg dhe mbas këtij viti e çojnë të rrethuar me policë e makina në Rrëshen. Aty vëzhgohej sistematikisht nga Sigurimi i Shtetit duke u izoluar krejtësisht nga të afërmit e saj për t’i bërë vizita.

Në dhjetor 1980, sëmuret me kancer në gjoks. Nga mjekët e spitalit onkologjik në tiranë trajtohet në mënyrë mizore duke u nxjerrë pa u shëruar dhe duke u fyer vazhdimisht. Për të shpëtuar veprat e saj ajo i shkruan të nipit: “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale”. Duke u përballur me dhimbjet e metastazave kanceroze i duhet të përballej dhe me mjekët të cilët, me orientim nga Komiteti Qendror i Partisë, e zvarritën, nuk e mjekuan, e fyen dhe i krijuan kushtet e vdekjes së përshpejtuar. Më 13 gusht të vitit 1983, vdes krejt e vetmuar. Megjithatë, për këtë marrëdhënie, bibliografi nevruz Shehu nga thotë se midis Enverit dhe Musinesë ka pasur një letërkëmbim në vitet ’38-’39, por që nuk flitet për marrëdhënie dashurie, por vetëm simpatie.

 

Dashuria e pathënë për izraelitin

Më shtat të lartë, flokët gështenjjë të hedhura anash me përkujdesje, sy të zezë në të kaftë, të mëdhenjj, fytyrë të pastër e shprehëse…është përshkrimi që sjell bibliografi duke treguar, ashtu si nipi i Musinesë se janë në dorëshkrim një tufë letrash me rrethin e shoqërisë, shoqe të Institutit Qiriazi apo nga Roma, ku edhe studioi. Janë letra të zakonshme, pa rëndësinë që kërkoni ju, si letërkëmbime me personalitete- na thotë Hektori, nipi i Kokalarëve. I pohon këto letra Shehu duke treguar se përmes tyre ndjen një komunikim të sinqertë, pa paragjykime, si tendencë e femrave të civilizuara, e me dinjitet- në këtë aureolë konsolidohet personaliteti i Musinesë: ndjeshmëri, e çiltër, idealiste, e prirë drejt heronjve.

Këto dhunti e vunë në qendër të vëmendjes së djemve intelektualë.

Në moshën 20 vjeçare ajo dashuroi një djalë dhe “kjo dashuri ishte platonike në suazën romantike dhe modeleve të librave të lexuar prej saj, por dhe nga mjedisi”, thotë Shehu. Këtij djali që dashuronte aq shumë, Musineja i dedikon skicën “Shoku im”, shkruar në vitin 1937, që ruhet në Arkivin e Shtetit, me nr. 75 të dosjes. Mund të thuhet një letër e hapur dashurie: “E bukur e ëmbël është gjetja e njjë shoku të vërtetë e një shoku të pandarë. Të do, të shoqëron, s’të lë dhe të këshillon, të flet në heshtje dhe të gëzon. Nuk të harron, nuk të përbuz, nuk të rren, nuk përqesh, nuk të lajkaton, vetëm të shoqëron.

Kam dhe unë një shokun tim, është i vendosur kundrejt meje, para syve të mi rri dhe aty heshturazi. Me ngadal shihet njëra pas tjetrës një miqësi e pa djallëzuar, e pa harruar. Kështu më thotë, kështu më pëshpërit, mos u mërzit nuk jam njeri koti, nuk të lëshoj edhe nëse ti bën kështu…”

Ajo kërkonte një njëri të përkryer, të zhveshur nga ambicia, cmira, mashtrimi. Kërkon një person që ta dojë e ta nderojë… – na thotë Shehu, duke e parë si dashuri ideale të Musinesë. Ajo përjeton, sipas bibliografit, dashurinë platonike në distancë; të përfytyrimit të plotë të asaj që dëshiron, ëndërron…Kush ishte ky djalë? Pas vitit ’90 një nga shoqet më të afërta të shkollës, e cila ka vuajtur përndjekjet komuniste, Selfixhe Ciu e ka treguar këtë histori, cili ishte djaloshi që e frymëzoi. Bibliografi na jep pohimin e saj: “Shkrimi “shoku im” është për një djalosh izraelit me emrin Aleksandër Patak. Ishte një miqësi e çiltër, dashuri platonike, e zemrës së secilit pa e pohuar askush asnjëherë”. Patak ishte shok klase në gjimnaz, bukurosh, me konstrukt atleti dhe mjaft inteligjent… s’dihet ku shkoi më vonë.

 

Mit’hat Frashëri, letër të çmuar për dashurinë

“Dy vrasje të pafajshme. Në Shqipëri më gjeti çlirimi dhe më pasigurinë e rrojtjes…”, – shkruan Musineja, në rininë e saj të hershme, kur i kishin pushkatuar dy xhaxhallarët, dhe vazhdonte të mbante librarinë “Venus” të hapur, pasi vuajti disa ditë birucave, ku në të njëjtën kohë, prej kësaj situate Mit’hat Frashëri dhe Isuf Luzi i dërgojnë njoftim që të shkojë me ta për t’u larguar nga Shqipëria. Por miqësia e Frashërit me Musinenë kishte nisur në vitin 1943, vit dhe kur i ka shprehur adhurimin. Bibliografi Shehu na tregon se ata kishin korrespodencë kur Musineja ishte me studime në Itali. Ai e kishte ndihmuar për mbrojtjen e diplomës. Miqësia me Mit’hatit mendohet ta ketë shtyrë dhe Musinenë që ta mbronte doktoraturën me Naim Frashërin në universitetin italian ku edhe studioi. Por bibliografi na thotë se “Musineja e nderonte, por nuk e dashuronte Mit’hatin”. Edhe pse ky i propozoi, vajza e re nuk u fye. “Nuk i pranoi këtij personaliteti që e respektonte për ndriçimin që kishte dhe fuqinë e tij mendore, pasi dashuronte një dikë tjetër”. Mirëpo nga ana tjetër Mit’hat Frashëri adhurohej nga mjaft vajza të përzgjedhura aristokrate prej të cilave i vinin letra dashurie, por ndër to idhull pati Musinenë. Bibliografi Shehu na thotë se kjo ishte dashuri gëtiane, pasi Mit’hati ishte 70 vjeç kur i propozoi vajzës 17-vjeçare. Letrën e propozimit ia bëri me shkronja të arta në një letër shumë të çmuar. Mendohet se larg vendit, Mit’hat beu ka shkruar në ditarin e tij për Musinenë që pritet të zbulohet…

 

 

Abaz Xhomo, emri që zbulohet për herë të parë

Për lidhjet dashurore mes Musinesë dhe A. Xh. rrëfimi ka ndodhur në një libër. Te “Sonata e hënës” të një autoreje, Eglantina Mandias, tregohet lindja e një dashurie midis A. Xh. dhe Musine Kokalarit. Pyetja është: A është një dashuri reale apo fantazi e autores? Shehu na tregon se është munduar shumë derisa gjeti dhe ra në kontakt me autoren e librit, e cila e ka lënë mister këtë enigmë të historisë reale të romanit të saj. Deri në vitin 1946, tetë ditë para arrestimit të A. Xh.-së Musine kishte pasur korrespondencë të rregullt me të, duke shkuar deri në ëndërrimet e martesës. Me Musinenë ishte njohur në librarinë e saj, “Venus”, thotë Shehu, duke shtuar se më vonë kishin shkëmbyer mjaft literaturë dhe mendime mbi botën intelektuale.

  1. Xh. ka qenë një nga burrat më të bukur, ishte në qeverinë e zogut, dhe shok shkolle me Enverin – na thotë Shehu.

Ky ishte i vetmi person që Musine kishte dashuruar. Në Rrëshen A. Xh. i kishte dërguar libra, të cilat vetëm Musineja mund t’i merrte vesh se ishin prej tij.

Ky ishte i vetmi njeri që i erdhi në kujtesë në burg, në ëndërr, në spitale… Për këtë dashuri Shehu na thotë se Eglantina i ka garantuar se “është treguar korrekte në pasqyrimin e saj në libër”, por pa i treguar emrin e plotë të A. Xh-së. Dhe ky djalosh e ka dashuruar gjithë jetën Musinenë. Emrin e A.Xh-së për herë të parë bibliografi arrin ta zërë në gojë për revistën “Forum”, quhej Abaz Xhomo. “Se kush ishte A. Xh ishte një aventurë”, rrëfen Shehu. Emri i tij është mbajtur i fshehtë sepse ishte burrë i martuar, me Vitori Xhomon, e njohur si spikerja e parë shqiptare. Me ikjen nga jeta të bashkëshortes së Abazit, për të mos e lënduar atë Shehu ndjehet i lirë ta thotë emrin që e dashuroi thellësisht Musinenë, në vitet e saj më të vështira, ato të burgut dhe internimit. Ndonëse Vitoria tregohet se kishte dijeni për këtë lidhje, dhe brenda saj e kishte pranuar. Por bibliografi na pohon se nuk e njëjtë kjo dashuri nga ana e Musinesë, e cila nuk e ka pranuar kur Abaz Xhomo ja shprehu dashurinë. Mbyllja në çmendi, shtrimi i tij në spitalin psikiatrik – bibliografi guxon të na i thotë ndoshta si shkak për dashurinë e Musinesë!

 

 

Selaudin Toto, dashuri intelektuale

 

Ishin letrat e shoqeve të Musinesë ku zbulohet dashuria që kishte për të një nga intelektualët e kohës, Selaudon Toto, vëllai i Ismet e Et’hem Totos, i cili do të pushkatohej me grupimin e deputetëve në vitin 1947.

Ishin vitet ’41 – ’42, dhe Selaudini e ka dashur shumë Musinenë – thotë Shehu duke na vënë në dispozicion letrat e shoqeve të Musinesë, ku njihet kjo tërheqje shpirtërore: “Kemi patur rastin të njifemi me Selaudin Toton, i cili na çan veshët duke folur për ty. Po i luan mendja të shkretit. Nuk të heq nga goja, thotë se e vetmja vajzë që na nderon Shqipërinë je ti. Për ne të dyja pati një përshtypje të keqe se ka një javë që s’kemi hapur gojë, madje dje na tha se jemi pyka. Le po kur na pyeti se ç’libra kemi këndue, neve i thamë: Pinochion dhe Marc Aurelion. Dje, njoftëm Sadik Hiton, i cili filloi me folë aq shumë për ty, sa Selaudini u bë xheloz gati sa su rrafën.

Mos kujto se tallemi, biles nuk mund t’i shkruajmë të gjitha, por kur të vimë në verë, kemi me t’i tregue me gojë, le ëq ishalla që atëhere të jetë mbarue puna. Ruhu mos e refuzo se kemi me t’mbyt, mbasi asht një djalë xhevair. Paska pas hak Fejza që e lavdëronte aq tepër, biles thuaj të na gjejë edhe ne një si ai. Sidoqoftë o goce, duhet ta marrësh sepse është krim të bësh të vuaj një djalë si Selaudini…”

 të përqafoj

 Marga

Në këtë kohë Selaudini punonte si sekretar në zyrën e Kosovës nën drejtimin e Hamit Kokalarit, i cili studion problemin e Kosovës dhe përkthen Edith Durham “20 vjet përpjekje ballkanike”, të cilën e boton në “Mesagjeritë shqiptare” 1944, që botohej nga Musineja.

 

 

 

Shefqet Musaraj, 1000 faqet që e ndanë nga Musineja

Njeh dhe admiron Musine Kokalarin duke e vendosur në një roman prej 1 mijë faqesh. Është romani i shkruar në socrealizëm, konsideruar historiko-letrar me titullin “Para agimit” ku personazhi kryesor Ermira Velo duket se është frymëzim dashurie. Bibliografi thotë se për këtë përfundim i referohet përputhjes së bashkëkohësve dhe fakteve historike prej të cilave vjen në aludimin artistik personazhi i Ermira Velos, e pranuar se është Musineja. Këtë mendim e ka pranuar edhe familja duke parë në vepër të përshkruar me imtësi gjithë mjedisin e shtëpisë, miqtë e familjes, mendësinë apo bibliotekën. Shehu na tregon se ka shfrytëzuar 83 dosje të Musinesë në Arkiv, ka folur me bashkëkohësit, si dhe me familjarët e Musinesë për këtë fakt, dhe përgjigjet konvergojnë në një pikë se: Shefqet Musaraj me Ermira Velon ka pasur parasysh Musinenë, ku autori i ka qëndruar me besnikëri portretit shpirtëror, intelektual, fizik e familjar e shoqëror me personazhin. Në ç’rrethana janë njohur Musaraj me Musinenë, e tregon fakti se shkrimtari punonte gatë viteve ’43 si sekretar i vëllait të Musinesë, Muntazit. Shehu thotë se kur bashkëkohësit kanë lexuar romanin e kanë kuptuar pa mundim se kishin parasysh intelektualen e cila fillimisht kishte bindje komuniste, e nuk u lëkund deri në dështimin e kësaj dashurie. Ndërsa shoku i Ermira Velos në roman, me emrin Qemal Orhani mund të konsiderohet një biografi e jetës shoqërore të Musarajt. Ermira dhe Qemali konfliktohen jo pak herë kur Ermira (Musineja) kërkon zhvillimin e shoqërisë përmes evolucionit, Qemali nëpërmjet revolucionit. Ermira kërkon përfshirjen e elitës intelektuale në për problemet madhore të vendit, Qemali ka besim tek masat e gjera të popullit, te njeriu i ri me edukim komunist nën kudhrat e diktaturës së proletariatit. Këtu idetë e tyre ndahen. Ja një fragment domethënës: “Po mua më quajnë Ermira Velo dhe vij nga një familje që s’është aq mangut sa pandeh ti nga kultura, as nga ndjenjat e atdhetarisë. Më kupton? Nuk jam as aventuriere unë, që të shkoj pas asaj turmës sate të verbër…amorfe,…profane, aq të shtrenjtë për ty me shokë…ku e ke elitën e vendit zotrote, ku? Apo te komisarët e tu që nuk dihet nga mbahet pena?

-Ata dijnë të paktën si mbahet pushka,- tha pas pak si i vrarë shpirtërisht

-Po edhe penën zonjushë e nderuar, do ta mësojmë…Jo për të nënshkruar akte tradhëtie, siç bëjnë idhujt e ty, po për të tjera qëllime…Injorante!- shtoi në fund si nëpër dhëmbë, duke i kthyer shpinën vajzës dhe duke e mbajtur pas Vasos që kishte arritur pranë tij dhe “për çudi, po shqyhej në gaz”.

 

 

 

 

Fisi Hoxhaj

Fisi Hoxhaj është fis autokton në qytetin e Gjirokastrës. Nga pema gjenealogjike e vitit 1944, tregohet identifikimi që në fillimin e shekullit XVI me Kolë Gjonin, pra në periudhën e kristianizmit. Ende është toponimia me emrin “Mulliri i Kolës”, pranë trojeve të hoxhajve. Në fisin e hoxhajve është familja e Musinesë, ku stërgjyshi i saj, i mbetur jetim, shkonte te dajot (vëllezërit e nënës së Kokalarëve), dhe aty mbasi krijon familjen, merr mbiemrin Kokalaraj në nderim të atyre që e rritën, por edhe në inkuadrimin në atë fis. Deri në vitin 1925, Musineja e ka mbiemrin dhe Hoxha edhe Kokalari dhe ky mbiemër ndërrohet plotësisht në “Kokalari” në vitin 1930.

Ky material ka autoresine e

Gazeta Standard dhe

Standard.al

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here