Standard.al

“Ligji antiKÇK nuk zbatohet për miqtë trafikantë të Olsi Ramës”/ PD: Pse nuk verifikohet pasuria e Ermal Hoxhës?!

0

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, FLAMUR NOKA

Edi Rama është i pafuqishëm për të luftuar krimin e organizuar, sepse ai është vetë krimi i organizuar. Me pasuritë e trafikantëve të drogës, Edi Rama ka lidhur pushtetin dhe pasurimin e paligjshëm të tij dhe të familjes së tij.

Në vend të show-t qesharak dhe turizmit policor nga një qytet në tjetrin, e ashtuquajtura Forca e Ligjit mund të bënte shumë punë në Tiranë me trafikantët e drogës në miqësi dhe në biznes me vëllanë e kryeministrit.

Pasuritë e Ermal Hoxhës, bashkëpunëtorit të Olsi Ramës për ngritjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, nuk duhet të mbeten të paprekshme.

Financieri i grupit të strukturuar kriminal, që, menjëherë pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, ngriti laboratorin e parë të kokainës në Shqipëri, nuk duhet të ketë mbrojtjen e Olsi Ramës nga ligji i Edi Ramës.

Fatkeqësisht, rastet si ky i Ermal Hoxhës, Saimir Tahirit apo Taulant Ballës me mikun e tij trafikant droge, që merr tendera publikë tregojnë sesa thellë e ka kriminalizuar Edi Rama politikën dhe vendimmarrjen.

Fatmirësisht, shqiptarët janë vetëdijësuar se ligji në duart e Edi Ramës është vetëm një mjet që i shërben pushtetit të tij dhe jo interesit publik.

Në çdo sondazh online, ku qytetarët votojnë të lirë, tregon mosbesimin e thellë të shqiptarëve tek kjo qeveri dhe tek ky kryeministër.

Shqiptarët e dinë se nuk ka asnjë shans që Edi Rama të luftojë krimin e organizuar, pasi ai është produkti politik i parave të pista të krimit të organizuar.

Gjatë gjithë karrierës se tij politike, Edi Rama ka siguruar vota dhe para prej krimit të organizuar, duke u dhënë trafikantëve të drogës leje ndërtimi, koncesione, tendera dhe pasuri publike.
Për të luftuar krimin e organizuar, Shqipëria nuk ka nevojë për ligje të reja propagandistike, që nuk zbatohen kurrë për miqtë, familjarët dhe klientët e kryeministrit. Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër që nuk është peng i krimit të organizuar.

Partia Demokratike është e vetmja forcë e madhe politike që mund ta sigurojë këtë. Ne kemi treguar se vullnetin për të goditur krimin dhe për të luftuar korrupsionin, dy armiqtë më të mëdhenj të zhvillimit dhe mirëqenies së shqiptarëve.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.