Kryemadhi takime në Uashington për të rakorduar zgjidhjen e krizës: Shqipërisë po i ikën palca kurrizore, rinia

0
188

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në vizitën e saj në Uashington, SHBA u intervistua edhe nga gazetari Beqir Sina në televizionin shqiptaro-ameikan AlbTV Usa.

Pjesë nga intervista:

Znj.Kryemadhi ju vini në SHBA, pas një situate që ka kaluar kohët e fundit Shqipëria. Në pikat e përgjitshme cila është situata sot në vendin tonë?

Është ajo që thashë dhe pak më përpara në takim, në kuadrin e sensibilizimit të të gjithë shoqërisë shqiptare, sidomos të brezit të ri që është larguar nga Shqipëria për shkak të mungesës së funksionimit të shtetit, për shkak të mungesës së ofrimit të mundësive për të rinjtë shqiptarë. Shumë të rinj dhe të reja shqiptarë janë larguar drejt Amerikës, Anglisë, Gjermanisë dhe shumë vendeve të tjera dhe pjesa më e rëndë që po e dëmton faktikisht shtetin tonë është palca kurrizore e kombit që janë intelektualë, shtresa e mesme dhe pjesa më e shkolluar e saj. Ne ishim në Michigan, në takimin e parë i cili ishte shumë mbresëlënës por ishte dhe shumë ngacmues dhe ndërkohë ajo që pashë sot këtu ku gati 80% e sallës ishin anëtarë të LSI të cilët kanë qenë pjesë e LRI, më pas pjesë e strukturave drejtuese, të cilët shumë shpejt janë sistemuar dhe janë integruar në jetën e shtetit amerikan. Por kjo është njëra anë e medaljes.

Ana tjetër është varfëria që i ndodh çdo ditë e më shumë Shqipërisë, gjë që e dobëson jashtëzakonisht rolin e Shqipërisë jo vetëm në rajon por dhe mundësinë dhe të ardhmen e brezave të rinj që ne shpresojmë që do të rriten dhe do të vazhdojnë për të mbajtur në këmbë identitetin tonë kombëtar. Meqë të vish në Amerikë është e vështirë sepse është goxha larg, ne do të përfitojmë nga rasti për të bërë dhe disa takime të tjera në Uashington, me drejtues të institucioneve të SHBA në mënyrë të tillë për të rakorduar dhe për të ecur përpara me një axhendë që është shumë e rëndësishme për të zgjidhur këtë moment krize të cilën po kalon sot Shqipëria.

Shqipëria ka një hartë shumë të veçantë që është, 9 kushtet e Bundestagut, ku dhe për to janë dhe SHBA, krijimi të cilave dhe hapja e negociatave të Shqipërisë me BE, është e vetmja rrugë e cila mbyll përfundimisht çdo iluzion të çdo interesi tjetër që nuk është pjesë e strategjisë shqiptare. Që janë dy partnerët tanë kryesorë BE dhe aleati ynë i vetëm strategjik, SHBA.

Hapja e negociatave e qartëson përfundimisht axhendën e Shqipërisë dhe jetës politike shqiptare. Kushtet në të cilat ndodhet sot rajoni, janë mjaft të vështira dhe integrimi dhe organizimi i gjithë faktorit shqiptar që jetojnë në SHBA, ka të bëjë jo vetëm me sensibilizimin e ngritjes së problematikave por edhe angazhimin e gjithë qytetarëve shqiptar, pra shtetasve shqiptaro-amerikan të cilët nëpërmjet ndikimit të tyre qoftë ndikimit politik, qoftë ndikimit ekonomik, për të detyruar politikën shqiptare, pra ne që në një farë mënyrë kemi arritur të krijojmë këtë lloj konfuzioni politik, për t’i dhënë drejtimin përfundimisht dhe për ta mbyllur njëherë e përgjithmonë tranzicionin.

Mbylla e tranzicionit, hapja e negociatave do të kërkojë kapacitete shumë të mëdha njerëzore. Sepse sot Shqipëria vërtet është e gatshme shpirtërisht për të hapur negociatat me BE, por sot Shqipëria nuk ofron kapacitetet njerëzore, intelektuale dhe profesionale për të ofruar dhe për të ecur në gjithë procesin e antarësimit të Shqipërisë në BE. Edhe pse BE sot gjendet në kushte shumë të vështira, e vetmja mënyrë e thashë dhe më përpara, dielli në Shqipëri lind nga perëndimi dhe kjo është e vetmja mënyrë që ne të fuqizojmë rolin e Shqipërisë në rajon dhe t’i kthehemi atij stabiliteti që Shqipëria ka krijuar në këto 30 vite të tranzicionit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here