Dështimi i paralajmëruar i sistemeve zgjedhore

0
134

Nga Brikena Bogdo

Sistemi që tregon nivelin e demokracisë së një vendi dhe fuqinë e individit është sistemi maxhoritar. Këtë sistem përdorin vende me demokraci të hershme dhe funksionale, si vendet anglosaksone. Por, edhe sistemi maxhoritar, ka ndryshim gati drastik, kur implementohet në vende të konsoliduara demokratike si Anglia, Amerika, me vendet që tentojnë të vendosin demokracinë.

Në Amerike dhe Angli kandidati i pavarur, ka fuqi që të kandidojë, të fitojë dhe të vazhdojë, të jetë pjesë e parlamentit. Elitat partiake nuk mund të eliminojnë politikanë që i konsiderojnë si konkurrentë, ose të papërshtatshëm, pasi ata kandidojnë dhe fitojnë vetë. Para disa vitesh, në SHBA, senatori Joe Liberman fitoi në zgjedhje të përgjithshme, edhe pse nuk u kandidua dhe u kundërshtua nga Partia e tij Demokrate. Në vende me regjime të brishta, edhe kur ja arrin të kandidojë i vetëm dhe të fitojë, elitat politike bëhen bashkë kundër armikut kryesor, individit të pavarur, që ua rrezikon fuqinë, për ta nxjerrë jashtë loje. Në vitin 1998, në Maqedoni, PPD nuk kandidoi deputetin Nazmi Maliqi, i cili kandidoi i pavarur. Por zgjedhjet më pas u shpallën të pavlefshme, disa herë, derisa u zgjodh kandidati i PDSH. Këtu qëndron ndryshimi midis vendeve të zhvilluara dhe atyre që ende rreken midis diktaturës, despotizmit, anarkisë, hajdutërisë; 1. fuqia e individit dhe 2. qasja ndaj sistemit; e implementon saktësisht sistemin, apo jo.

Në Maqedoni, individi ja arrin të kandidojë edhe të fitojë, por nuk e lejojnë të vazhdojë të japë kontributin, pasi fillojnë truket makiaveliste. Pyetje a parë është: A jemi të gatshëm, në Shqipëri, për një sistem maxhoritar? Pyetja e dytë: A kanë mbetur figura me personalitet në Shqipëri? Pyetja e tretë është: A kanë fuqi ekonomike, që të përballen me fushata zgjedhore, tashmë tepër të shtrenjta dhe të kushtueshme? Pyetja e katërt: A mundet, që të përballen të vetëm me struktura të ngritura partiake, me mbështetje të ligjshme dhe ta paligjshme, siç ndodh rëndom në Shqipëri? Figura, që të kenë edhe fuqi intelektuale, edhe fuqi financiare njëkohësisht, është një specie e zhdukur tashmë. Kjo tipologji ishte pjesë e elitës, së krijuar nëpër breza, që punuan përgjatë qindra viteve për të ngritur piramidën elitare, e cila përfshin edhe formim intelektual, të përcjellë dhe fuqizuar nëpër breza, edhe fuqi ekonomike të shtresëzuar nëpër breza. Këtë elitë të pakët, të krijuar në Shqipëri përgjatë shekujve, e shkuli me rrënjë rregjimi Hoxhian, duke i rrëmbyer pasurinë monetare dhe duke i mohuar të drejtën e shkollimit, pasurinë intelektuale. Dhe këtu nuk flas për elita politike, por elita reale piramidale, që do të thotë, bazamentin ku mbështeten e kishin të fuqishëm, shtresat nga ku ngrihen me breza, me fuqi intelektuale dhe financiare.

Pas viteve ‘90, Shqiptarët u përballën me regjime të brishta diktatoriale, që sigurisht nuk do i mundësonte asnjë figure intelektuale të pastër, të krijonte fuqi ekonomike, pasi ai u bë domen i hajdutëve kriminelëve, që më pas u bënë pushtetarë. Me këtë konfiguracion shoqëror të individit, sistemi maxhoritar është ëndërr me sy hapur, pasi specifika kryesore e sistemit maxhoritar është se, votohet direkt për një individ. Dihet që vende me traditë në demokraci, kanë fuqizuar individin për të krijuar më pas sisteme të fuqishme. Kjo është zgjidhja e dilemës, individ, apo sistem? Duam të rregullojmë sistemin pa e zgjidhur problemin, në themel, individin. Tentojmë të rregullojmë sistemet juridike, zgjedhore, politike me po të njëjtët individë të korruptuar. Individët e fortë pjesë e traditave të forta, më pas krijojnë sisteme të forta politike, juridike, ekonomike, zgjedhore. E kundërta ndodh në Shqipëri, individë të dobët, të shkëputur nga traditat dhe elitat reale, krijojnë sisteme të dobta jofunksionale. Me këtë fuqi tejet të dobët të individit, në Shqipëri, aktualisht, degjeneron çdo sistem, sado funksional që të jetë. Hipotetikisht marrim sistemin maxhoritar. Çfarë do të ndodhte, në Shqipëri, sikur të arrinim ta implementonim? Së pari, nuk do të vendosej një figurë publike, që ka patur një rol për komunitetin, por ndonjë biznesmen i dyshimtë me të ardhura, që askush nuk ia kontrollon. Prapa këtij biznesmeni, që kurrsesi nuk mund të jetë i pavarur, qëndron politika, që e vjel, sa herë i nevojitet. Sigurisht lojra politike ndodhin edhe në sistemin maxhoritar.

Partitë, në sistemin maxhoritar, kanë tendenca të krijojnë njësi zgjedhore që nuk kanë asnjëfarë logjike gjeografike. Ato mundet të krijojnë njësi të holla e të gjata, ku përfshijnë sa më shumë partizanë të tyre, ku e kanë fitoren e garantuar. Kësaj tendence nuk kanë mundur t’i shpëtojnë as demokracitë më të përparuara. “Gerrymandering” është fenomen, që e ka prejardhjen nga senatori amerikan Elbridge Gerry i cili në vitin 1812 kishte arritur të krijonte një zonë, tamam për veten. Zona i ngjante një salamandre (lloj zhapiku), fakt që u bë objekt talljeje nga kundërshtarët e tij politikë. Kjo lojë, në Shqipëri, nuk u bë me sistemin proporcional, apo maxhoritar, por u bë me ndarjen territoriale, në mënyrë që të jetë me ngjyrim më rozë, apo blu, sipas nevojave të atij që është në pushtet. Kruja, nga zonë territoriale e Tiranës, kaloi në Qarkun e Durrësit. Kavaja nga zonë e Durrësit, kaloi në Tiranë. Paskuqanin e bashkuan me Kamzën, për ta bërë më blu. Dajtin e kaluan në Tiranë për ta bërë më rozë. U bënë ndarje territoriale, pa lidhje, me plot njësi të çuditshme gerrymanderiane. Gjithsesi e dëmtuara ka rezultuar opozita, pasi është ajo që ka ngritur zërin, për reformën territoriale, që deformon votën e zgjedhësve, ndjeshëm. Gjithsesi është e pranuar tashmë që sistemi maxhoritar, e shpreh fuqinë demokratike shumë më mirë, se sistemi proporcional.

Në sistemin proporcional, deputeti duhet t’i ketë punët mirë me kreun partiak, në mënyrë që të futet përsëri në lista, në pozicion të garantuar. Kjo gjë bën që, deputetët në sistemin proporcional, të jenë tejet të dëgjueshëm dhe servilë. Përkundrazi, në sistemin maxhoritar, e vetmja garanci për t’u rizgjedhur deputet është përkrahja e njësisë që të ka zgjedhur më parë. Në rrethana të caktuara kjo mund t’a detyrojë deputetin të dalë edhe kundër partisë së tij, nëse kjo është kërkesë e votuesve të tij. Prandaj sistemi maxhoritar, promovon demokraci të brendshme, nëpër parti dhe në parlament. Nuk është e rastit që rebelime brenda partive dhe votime kundër qëndrimit të përgjithshëm të partisë ndodhin më shpesh në vende, ku aplikohet sistemi maxhoritar, si në kongresin amerikan, apo parlamentin anglez.

Në Shqipëri, çfarëdolloj sistemi që të zgjedhin partitë, nuk do të ketë aspak ndikim në jetën politike, aq më tepër në rrëzimin e partisë politike në pushtet, pasi do të qëndrojnë tetë vjet, çfarëdo që të ndodhë. Por, shqiptarët duken të lumtur me këtë realitet, pasi janë mësuar me regjime diktatoriale, që qëndrojnë 50 vjet në pushtet. Ata harrojnë që, jo vetëm po humbasin çdo ditë fuqinë e tyre si individë, por po lejojnë individë partiakë që të qëndrojnë në pushtet 20, apo 30 vjet, të cilët nuk po bëjnë më asnjë diferencë me figurat diktatoriale 50 vjeçare. Për këtë arsye, të humbjes së koshiencës së individit, fuqisë dhe pavarsisë së tij, sistemi maxhoritar është totalisht i paqëndrueshëm për shqiptarët. As individi në Shqipëri nuk prodhon dot sistem maxhoritar, as sistemi maxhoritar nuk prodhon dot individë, apo demokraci. Në sistemin proporcional vota e zgjedhësve është e deformuar, por në Shqipëri ky fenomen ekstermizohet. Edhe kur arrihet në aktin e djegjes së mandatit, siç e morri vendimin opozita shqiptare, vazhdimi i listës proporcionale të opozitës, deformoi drastikisht vullnetin e zgjedhësve. Fakti që, në Shqipëri, në zgjedhjet lokale morrën pjesë vetëm 20% e elektoratit, dhe ende parlamenti e qeveria vazhdojnë të funksionojnë, tregon që sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura, është krejt i deformuar. Në rastin e sistemit tonë zgjedhor kemi implementuar sistemin rajonal spanjoll, por nëse në Spanjë është me lista të hapura, ne e deformuam me lista të mbyllura, duke e modifikuar gjenetikisht. Ky është poblemi kryesor në Shqipëri, që implementojmë modele, por të modifikuara, për një interes partiak, individual, të çastit, pa e menduar me vizion për të ardhmen dhe stabilitetin. Ajo që vërtet të bie në sy, është fakti që, pikërisht në vende që kanë hedhur themelet e demokracisë, Itali, apo Greqi, asnjë qeveri nuk arrin të qëndrojë katër vite në pushtet, d.m.th, që të arrijë të mbarojë mandatin. Kjo ndodh për shkak të kulturës demokratike të dorëheqjes, apo të një fleksibiliteti të sistemit politik, që i mundëson ndërrimin, apo rrëzimin e qeverive, edhe pa mbaruar mandati.

Në vendet e konsoliduara demokratike, që përdorin sistemin maxhoritar si Angli, Amerikë, ndryshimi është se, Anglia parlamentare, mundëson rrëzimin e qeverisë më shpesh, ndërsa Amerika ka sistemin presidencial, që konsolidon qëndrimin e forcës politike që fiton zgjedhjet, në katër vjet. Franca kërkoi stabilitet politik, mbas Luftës së Dytë Botërore, kur gjenerali De Gol ndryshoi sistemin, nga parlamentar, në atë gjysëm presidencial, pasi në atë periudhë ekstremisht parlamenti francez, binte edhe çdo tre ditë. Por, të kesh sistem parlamentar dhe qeveria të mos bjerë kurrë, kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Kjo tregon qartazi që çfarëdolloj sistemi, ne e implementojmë mbrapsht. Në Shqipëri, dalë nga një sistem diktatorial, qeveritë ndryshojnw cdo tetë vjet, përveç rastit unikal të vitit 1997. Në sistemin proporcional secili deputet përfaqëson çdokënd dhe askënd. Por, veçanërisht në Shqipëri, ndodh që nuk përfaqëson as veten, pasi kemi parë figura në parlament, që nuk janë askush dhe nuk kanë bërë asgjë për komunitetin. Fatkeqësisht, në këtë pikë kriminaliteti, që kemi si vend, çdo sistem zgjedhor, është dështim i paralajmëruar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here