Standard.al

Koronavirusi, gjithçka duhet të dini mbi virusin vdekjeprurës/ Si mund të mbroheni…

0

Ka shkuar në 41 numri i personave që kanë humbur jetën në Kinë si pasojë e koronavirusit. Përhapja me shpejtësi e këtij virusi, por edhe pasojat fatale të tij, kanë vënë në alert edhe Ministrinë e Shëndetësisë, e cila ka njoftuar masat e ndërmarra për të mos lejuar depërtimin e tij në vendin tonë.

Ndërsa vihet në dukje se Shqipëria është vend me rrezikshmëri të ulët për t’u prekur nga koronavirusi i ri i identifikuar në Ëuhan, Kinë, ku strukturat përkatëse janë vënë në lëvizje për të parandaluar përhapjen e tij.

“Në zbatim të rekomandimeve të OBSHsë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka nxjerrë një urdhër për marrjen e masave parapërgatitore, për t’u mbrojtur nga depërtimi i koronavirusit të ri, edhe pse duhet theksuar se, sipas OBSH, jemi në kushtet kur ende nuk ka të dhëna të qarta mbi mënyrën e transmetimit nga njeriu te njeriu. Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik duhet të përforcojë survejancën e infeksioneve të rënda respiratore akute në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit.

Urdhri specifikon që ISHP të përgatisë përkufizimin e rastit, udhëzimet për survejancën, hetimin epidemiologjik dhe menaxhimin e rasteve në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit”, thuhet në njoftim. Po sipas urdhrit të ministres, strukturat përgjegjëse të marrin masat për vënien në zbatim të planeve të emergjencës për reagimin ndaj infeksioneve virale, sipas shkallës së rrezikshmërisë.

APELI I AMBASADORIT

Dje ka reaguar edhe ambasadori shqiptar në Kinë, Selim Belortaja. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Belortaja u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë, që të anulojnë vizitat në Kinë, pas përhapjes së koronavirusit, i cili ka marrë deri më tani 41 jetë njerëzish.

“Të dashur miq e bashkëkombës, kudo ku jeni. Siç e dini, Kina po kalon një situatë dramatike. Koronavirusi jo vetëm po merr jetë njerëzish, por, për shkak të potencialit të një rreziku në përmasa që mund të imagjinohen, po shtrëngon autoritetet të zbatojnë masa super të rrepta për frenimin e epidemisë, si mbyllje e transportit, superkontroll i lëvizjes së njerëzve, anulim i festimeve e grumbullimeve, si dhe disa shërbimeve publike në disa qytete, tashmë edhe përtej provincës Hubei dhe kryeqendrës Wuhan, ku virusi shpërtheu dhe beteja është përqendruar.

Numri faktik i vdekjeve nuk e shfaq mirë potencialin e rrezikut që është pranuar edhe nga OBSH dhe që potencialisht mund të agravojë në ditët në vijim. Autoritetet dhe mjekësia këtu po punojnë heroikisht. Këshilloj fort që derisa situata të merret plotësisht nën kontroll, udhëtimet dhe kontaktet fizike me Kinën t’i shtyni për më vonë! Ju lutem, informohuni sa më mirë e binduni vetë para se t’i hyni një situate me shumë rrezik nga virusi, por edhe të papritur për shkak të kontrolleve të pazakonshme”, shkruan ambasadori shqiptar në Kinë.

MBI KORONOVIRUSIN

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, koronaviruset (CoV) janë një familje e madhe e viruseve që shkaktojnë sëmundje, duke filluar nga ftohja e zakonshme deri te sëmundjet më të rënda siç janë Sindroma Respiratore e Lindjes së Mes me (MERS-CoV). Një koronavirus i ri (nCoV) është një lloj i ri që nuk është identifikuar më parë te njerëzit. Koronaviruset transmetohen midis kafshëve dhe njerëzve. Shenjat e zakonshme të infeksionit përfshijnë simptoma të frymëmarrjes, ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje.

Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë akute të frymëmarrjes, insuficiencë renale, madje edhe vdekje.

Rekomandimet standarde për të parandaluar përhapjen e infeksionit përfshijnë larjen e rregullt të duarve, mbulimin e gojës dhe hundës kur kollitet dhe teshtini, shmangni kontaktin e ngushtë me këdo që tregon simptoma të sëmundjes së frymëmarrjes si kollitja dhe teshtitja.

Çfarë është koronavirusi?

Koronaviruset janë familja e viruseve, të cilat shkaktojnë sëmundje nga një rrufë e lehtë deri në sëmundje më të rënda si Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (Middle East Respiratory Syndrome MERS) dhe Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (Severe Acute Respiratory Syndrome SARS).

Çfarë është një koronavirus i ri?

Koronavirus i ri është (nCoV) është një lloj (shtam) i ri i koronavirusit, i cili nuk është identifikuar më parë te njerëzit.

A mund të infektohen njerëzit me koronavirusin e ri, ku si burim infektimi janë kafshët?

Hetimet e hollësishme në Kinë në vitin 2002 kanë zbuluar se SARS-CoV u transmetua nga macet te njerëzit, kurse në Arabinë Saudite në vitin 2012 u zbulua MERSCoV nga devetë te njerëzit. Njihen disa koronaviruse, të cilat po qarkullojnë në kafshë, por që akoma nuk kanë infektuar njerëzit. Ndërkohë që survejanca në të gjithë botën përmirësohet, ka të ngjarë që të identifikohen më shumë koronaviruse.

Cilat janë simptomat e një personi të infektuar me koronavirus?

Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.

A transmetohet koronavirusi nga njeriu te njeriu?

Po, disa koronaviruse mund të transmetohen nga njeriu te njeriu, zakonisht pas një kontakti të ngushtë/të afërt me një pacient të infektuar, në mjedisin e punës ose në një qendër të kujdesit shëndetësor.

A ka vaksinë për këtë lloj të ri të koronavirusit?

Kur një sëmundje është e re, nuk ka vaksinë për të, dhe mund të duhen disa vite derisa të prodhohet një vaksinë e re. A ka një trajtim/mjekim për koronavirusin e ri? Nuk ka një mjekim/trajtim specifik për sëmundjet e shkaktuara nga një koronavirus i ri. Megjithatë, shumë nga simptomat mund të trajtohen në varësi të gjendjes klinike të pacientit.

Çfarë duhet të bëj për t’u mbrojtur?

Rekomandimet standarde për të zvogëluar ekspozimin dhe transmetimin e një sërë sëmundjesh përfshijnë: ruajtjen e higjienës së duarve dhe të frymëmarrjes, praktikat e higjienës ushqimore, si dhe kur është e mundur shmangia e kontakteve të ngushta me çdo person që shfaq simptoma të sëmundjeve respiratore, si kollë apo teshtitje.

A është personeli shëndetësor i rriskuar nga koronavirusi i ri?

Po, ata mund të jenë të rrezikuar nga koronavirusi i ri, pasi personeli i kujdesit shëndetësor është në kontakt me pacientët më shpesh sesa popullata e përgjithshme. OBSH-ja rekomandon që personeli i kujdesit shëndetësor të zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme masat e duhura të parandalimit dhe kontrollit të infeksionit.

Cilat janë rekomandimet për vendet?

OBSH inkurajon të gjithë vendet të rrisin survejancën për infeksionet e rënda respiratore akute (SARI), të shikojnë me kujdes çdo model të pazakontë të këtyre infeksioneve ose pneumonisë dhe të njoftojnë OBSH-në për çdo rast të dyshuar ose konfirmuar të infeksionit me koronavirusin e ri.

Vendet inkurajohen të vazhdojnë të forcojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (2005) /Panorama

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.