Standard.al

Vasili: Reforma në drejtësi, te ngrihet komision hetimi BE-SHBA…

0

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka kërkuar që SHBA-ja dhe BE-ja të ngrejnë një komision për hetimin dhe monitorimin e Reformës në Drejtësi.

‘Kemi hyrë në vitin e katërt të kësaj reforme, por konstatohet se ngjarje shumë të rënda, vendimeve skandaloze, institucionet të bllokuara dhe pandëshkueshmëri që thellohet e që ka thelluar më tej në mënyrë dramatike korrupsionin në Shqipëri’, deklaroi Vasili gjatë një konference për mediat nga selia e LSI-së.

Më poshtë, deklarata e plotë e Petrit Vasilit:

Të nderuar qytetare dhe qytetarë!

Të gjithë pa përjashtim, mbi 90% kanë mbështetur dhe mbështesim Reformën në Drejtësi. Po kështu edhe politika shqiptare e demonstro më 21-22 korrik me 140 votat e saj që mbështeste Reformën në Drejtësi.

Tani kemi hyrë në vitin e katërt të kësaj reforme, por konstatohet se ngjarje shumë të rënda, vendimeve skandaloze, institucionet të bllokuara dhe pandëshkueshmëri që thellohet e që ka thelluar më tej në mënyrë dramatike korrupsionin në Shqipëri.

Kemi një drejtësi e cila nuk ndëshkon ata që neglizhuan paralajmërimeve të Presidentit dhe dhanë garanci të rreme dhe shteti rezultoi tërësisht i papërgatitur për të përballuar katastrofën dhe për të shpëtuar jetë njerëzish. Ndaj tyre nuk ka asnjë qëndrim, nuk ka asnjë përgjegjës, nuk ka asnjë hetim.

Drejtësi e cila nuk nxjerr para përgjegjësisë shkaktarët e 52 viktimave në Durrës, Thumanë e gjetkë, por përkundrazi kemi një drejtësi që bën sikur lufton shkaktarët e neglizhencës për tërmetin në Tiranë e gjithkund tjetër ku nuk pati asnjë viktimë të vetme. Pra një fshehje e qartë politike e përgjegjësive shumë të rënda që bien mbi ta.

Drejtësi që varros e mbron korrupsionin e Unazës së Re e që nuk heton qeveritarët, ministra, drejtorë, por bën sikur çon në gjykatë një copë recepsionist mbi të cilin me demek rëndojnë të gjithë përgjegjësitë e rënda, ku është dhe përgjegjësia e tenderit skandaloz në OST, që të gjitha së bashku kanë emrin e vetëm një recepsionisti të vogël dhe jo emrat e dinozaurëve të politikës qeveritare që rrëmbejnë e shqyejnë fondet publike.

Kemi një drejtësi, e cila sot liron pa iu dridhur qerpiku njëri pas tjetrit kriminelë të rrezikshëm, ku as mendja më e çartur nuk do të ekzistonte, ku as drejtësia e vjetër nuk rrezikoi të binte në këto nivele.

Ndaj sot, kjo reformë që ka hyrë në vitin e katërt të saj, duhet shpëtuar patjetër për të mirën e popullit shqiptar, dhe ne kërkojmë qartë dhe prerë, ngritjen e një komisioni hetim-monitorimi të BE-së dhe SHBA-së për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe për përdorimin e fondeve pa fund në dispozicion të saj.

Ne kërkojmë ngritjen e këtij komisioni hetim-monitorimi BE-SHBA, sepse:

Gjykatat më të larta, Kushtetuese dhe ajo e Lartë nuk funksionojnë dhe zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është sulmuar për tu kapur nga Rilindja duke tentuar të rrëmbejë edhe kompetencën e Presidentit për këtë qëllim.

Rreziqet e paralajmëruara nga Komisioni i Venecias për kapjen e Vettingut nga qeveria janë evidente dhe organizma joqeveritare, si Komisioni i Helsinkit ka evidentuar vettingut me dy standarde.

Gjithashtu, ODIHR në raportin e votimeve të 30 qershorit, ka evidentuar qartë se gjyqtarët nga frika dhe presioni i vettingut jepnin vendime në favor të qeverisë. Pra Vettingu si mjet shantazhi për të dhënë vendime në favor të qeverisë. Shumë e rëndë.

Është dramatike që shumica e rekomandimeve të ONM-së, që përfaqësonte BE dhe SHBA, për përjashtimin e kandidatëve me rekorde skandaloze dhe të papranueshme për t’u zgjedhur në KLGJ dhe KLP, dy prej organeve më të rëndësishme të qeverisjes së gjyqësorit,  janë hedhur poshtë me arrogancë nga Rilindja dhe ata u zgjodhën edhe në krye të dy institucioneve të sapo krijuara.

Nepotizmi dhe kapja politike e drejtuesve të institucioneve nga Rilindja është fakt evident dhe i qartë flagrant, madje dy prej tyre, KLP dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, janë qartazi familjarë të afërt me Rilindjen duke hequr çdolloj besimi të publikut se këtu do të kemi një drejtësi të paanshme dhe të shkëputur nga politika. Kunati i një ministreje dhe vëllai i një tjetre, për të cilët nuk ka shqiptar që do të besonte se këta do të ishin të paanshëm sa herë do të kishte çështje që lidhen me qeverinë.

Qindra kandidatë janë përjashtuar qëllimisht nga gara për institucionet duke eliminuar thelbin e reformës, konkurrimin mbi disa alternativa apo mundësive që mjaft të rinj apo kuadro të rinjtë të përgatitur e të zot të hynin në garë, duke e katandisur atë me një kandidat për një vend. Ashtu siç rezultoi deri në pozicionin më të lartë atë të Gjykatës Kushtetuese, duke çuar në zgjedhje të detyruara, të paralajmëruara që lejojnë kapjen e drejtësisë nga qeveria, kryeministri dhe Rilindja.

KED një tjetër institucion i rëndësishëm në këtë proces, u kthye në një institucion të politikave personale, me shkelje flagrante të kryetarit të saj duke cënuar rëndë transparencën e tij, që është ngritur edhe nga Avokati i Popullit, duke marrë një sërë veprimesh të paligjshme dhe antikushtetuese, duke humbur tërësisht besimin në një proces seleksionimi të paanshëm, të drejtë dhe që mundësonte garë, e duke i hequr zemrën thelbit të reformës.

Prandaj, sot më e rëndësishme së dje, po e përsërisim është ngritja e një komisioni hetim-monitorimi SHBA-BE për reformën në drejtësi, sepse bllokimi i Gjykatës Kushtetuese nga Rilindja ka sjellë pandëshkueshmërinë e qeverisë për veprime që kanë shkelur rëndë duke sjellë qindra milionë të parave publike, kanë sjellë kufizime, dëmtime, dhunim të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë, ka sjellë rrëmbim të pronës të mijëra qytetarëve.

Bllokimi i gjykatës së lartë ka shkaktuar mohimin e drejtësisë për mbi 35 mijë dosje dhe ka mundësuar lirimin e dhjetëra kriminelëve duke shkaktuar dhe një de strukturim dhe shkatërrim të sistemit të drejtësisë sepse i heq këtij sistemi shkallën më të lartë të animimit, shkallën e tretë dhe duke e kthyer de facto në një sistem vetëm me dy shkallë, ku dhe në këto dy shkallë ka institucione mjaft të bllokuara, por praktikisht duke e bërë vetëm me dy shkallë. Në vend që të prodhonte një drejtësi integrale, të plotë me të gjitha elementët e saj, sot përkundrazi kemi një cungim skandaloz të frikshëm, i pa përfytyruar që mund të prodhohej dhe ky vazhdon të jetë i tillë edhe pas 4 vjetëve që kjo reformë ka filluar.

Dhjetëra milionë euro, dollarë dhe lekë janë shpenzuar për këtë Reformë dhe vazhdojnë  të shpenzojnë, por është e qartë që rezultatet e saj janë shumë larg përditshmërive, asaj që kanë shpresuar, asaj që kanë dashur shqiptarët dhe prandaj ne jemi më të shqetësuar sot se më parë sepse nuk duam që mbi 90% e besim të shqiptarëve të kthehet në të kundërt, pasi vendi ka nevojë për një drejtësi të pavarur të pa kapur nga politika si asnjëherë më parë, si inkurajim edhe për besimin e institucioneve dhe për të ecur përpara në integrimin europian.

Duke përfunduar deshëm të ritheksojmë se ngritja e një komisioni monitorimi BE-SHBA për hetim-monitorimin e kësaj reforme është shumë e nevojshme për ti dhënë përgjigje pyetjeve të mëdha:

1- Pse u shkelën në mënyrë flagrante të gjitha afatet kushtetuese të vendosura në Kushtetutën e Shqipërisë, kush është përgjegjës për to, pra kush e ka marrë përgjegjësinë se si e kreu për to dhe si duhet të përgjigjen shkelësit e afateve në raport me ligjin?

2- Pse u deformuan ligjet e reformës me interpretime antikushtetuese dhe antiligjore duke kulmuar me zgjedhje anti-ligjore dhe Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe kush morri përgjegjësinë dhe kush është shkaktari që mori kurajën të shkelë Kushtetutën dhe të shpikë institucione që nuk ekzistonin në Kushtetutë dhe të shpiktë votime deri me 36 vota që nuk ekzistonin në Kushtetutë?

3- Si po përdoren dhe si përdoren dhjetëra milionë euro, dollarë dhe lekë? Në funksion të kujt? Me çfarë procedura dhe çfarë rezultati prodhoi?

4- Pse u lejua dhe kush e lejoi dhe e kontrolloi dhe kush e justifikoi fenomenin e nepotizmit të padëgjuar në strukturën e drejtësisë deri në kokën e institucionit të drejtësisë?

5- E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, cili ishte qëllimi politik, kush ishin motivuesit, kush ishin jutsifikuesit, shqiptarë dhe ndërkombëtarë për refuzimin, hedhjen poshtë me arrogancë të paketës së opozitës për ndryshimet e domosdoshme të ligjeve dhe paketës përkatëse për të kthyer Reformën në frymën e 21-22 korrikut ku u votua me 140 vota, me mbështetjen e Komisionit të Venecias dhe që ishte me qëllime dhe objektive tërësisht të tjera. Përgjegjësit kryesor për ndryshimin e kësaj Reforme, të kësaj pakete ishin sigurisht në interes të kapjes së drejtësisë, por evidentimi nga një Komision i tillë do ishte shumë i dobishëm për të treguar të vërtetat shqiptarëve e për të treguar vullenetin për të rikthyer Reformën e Drejtësisë në shinat e asaj Reforme që shqiptarët duan.

Është shumë i qartë nevoja e evidentimit të rolit të mazhorancës pasi pa një drejtësi të pavarur, të pakapur nga politika, pa ngritjen e institucioneve solide, pa çlirimin e institucioneve nga kapja, nuk do të kemi as ndëshkim të fajtorëve, do të kemi një korrupsion që do të shkojë e të thellohet në mënyrë të frikshme si në të gjithë institucionet e tregojnë. Do të kemi një humbje tërësisht të shpresës dhe do vazhdojmë të izolohemi gjithnjë e më shumë pasi integrimi europian pa një drejtësi të pavarur dhe të pakapur nga politika nuk ka dhe nuk mund të ketë pikërisht 2 nga kushtet e Bundestagut janë ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të cilat vazhdojnë të bllokohen me qëllim apo të luftohet për ta kapur nga mazhoranca për ta mbajtur Shqipërinë jashtë europës e duke thelluar krizën ekonomike, politike dhe shoqërore në vend.

Faleminderit të gjithëve!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.