Ministrja e Arsimit përvesh mëngët, ushtarët e saj në Tiranë bojkotojnë mbledhjet e Senatit për të dështuar miratimin e rregullores…

0
93

Rektori i UT Prof. Dr. Mynyr Koni nepermjet nje postimi ne Facebook, ka denoncuar Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në lidhje me zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë.

Postimi i plote

Letër e hapur drejtuar personelit akademik të Universitetit të Tiranës.

Të nderuar kolegë,

Të gjithë e dimë që jemi në vitin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese të reja në Universitetin e Tiranës dhe besoj se të gjithë kanë mësuar se data 8 Maj 2020, është data e zgjedhjeve, në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë.

Sapo mësova se Urdhëri i Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë në lidhje me zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë, ishte shpallur në faqen zyrtare të MASR ( në datën 16 Janar 2020), pa pritur përcjelljen në rrugë zyrtare të tij nga MASR, në mënyrë të menjëhershme, në cilësinë e Kryetarit të Senatit Akademik, në datën 20 Janar 2020, njoftova zhvillimin e mbledhjes së Senatit Akademik, për ditën e enjte, datë 23 Janar 2020, ora 11:00, ku pika kryesore e rendit të ditës ishte pikërisht mbi Urdhërin e Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë nr.8, datë 14.01.2020 “Për procesin zgjedhor për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë”.

Por, një ditë përpara datës së mbledhjes, nga asistentja ime mësova se disa nga anëtarët e Senatit Akademik, kishin kërkuar shtyrje të datës së mbledhjes, me justifikimin “ ….se nuk është respektuar afati prej 7(shtatë) ditësh…”, i përcaktuar në Statutin e UT.

Kjo është sa qesharake, po aq edhe e paimagjinueshme, sidomos për çështjen në fjalë dhe rëndësinë që ka ajo.

Së pari, dua t’ju informoj se Senati Akademik i UT, si organ kolegjial (shiko nenin 37, pika 1 të ligjit të arsimit të lartë 80/2015), funksionimin e tij e mbështet në ligjin nr.8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”; në ligjin nr.80/2015 datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”dhe në nenin 32, pika 6 e Statutit të UT.

Në nenin 5 të ligjit nr.8480 datë 27.05.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”, përcaktohet se: “Mbledhjet e jashtëzakonshme thirren nga kryetari, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe me ligj”.

Së dyti, në zbatim të nenit 131, pika 2 e ligjit të arsimit të lartë 80/2015, dhe të Statutit të UT, Senati Akademik i Universiteti i Tiranës, ka për detyrim ligjor hartimin dhe miratimin e Rregullores së Zgjedhjeve dhe sipas pikës 3 të Urdhërit të Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë nr.8, datë 14.01.2020 “Për procesin zgjedhor për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë”, Rregullorja e Zgjedhjeve e UT, duhet të jetë e miratuar 60(gjashtëdhjetë) ditë përpara datës së fillimit të procesit zgjedhor. Duke patur parasysh se data e fillimit të procesit zgjedhor, sipas pikës 1 të këtij Urdhëri, është data 9 Prill 2020, Rregullorja e Zgjedhjeve e UT, duhet të jetë hartuar dhe miratuar përpara datës 9 Shkurt 2020.

Besoj se është shumë e kuptueshme nga të gjithë se sa emergjente dhe e domosdoshme ishte zhvillimi në ditën dhe në datën e caktuar të mbledhjes së Senatit Akademik të UT.

Por një numër i caktuar senatorësh, nga Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Shkencave Sociale, si dhe 4 (katër) studentët senator, zgjodhën të mos vinin, duke bojkotuar në këtë mënyrë mbledhjen e Senatit Akademik; duke krijuar artifica dhe justifikime qesharake dhe aspak në dinjitetin e profesoratit dhe të rolit dhe të funksioneve që ka një anëtar i Senatit Akademik, sidomos kur bëhet fjalë për çështje kaq të rëndësishme, siç janë zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese të reja në Universitetin e Tiranës; si dhe, respektimin e afateve kohore për hartimin dhe miratimin e Rregullores së Zgjedhjeve të UT, mbi bazën e të cilës, do të zhvillohen këto zgjedhje.

Bojkotimi i mbledhjes të Senatit Akademik nga senatorët e sipërcituar, bëri që të mos arrihej koourumi i nevojshëm dhe mbledhja e Senatit Akademik të mos zhvillohej, duke mos arritur të merrej asnjë vendim.

Të nderuar kolegë,

Në fakt, situata të tilla të ngjashme, fatkeqësisht kanë ndodhur edhe herë të tjera, dhe në të gjitha rastet, janë pothuajse të njëjtët senatorë të sipërcituar ata kanë zgjedhur të bojkotojnë mbledhjet, dhe bëhet fjalë për mbledhje në momente dhe ngjarje mjaft të rëndësishme për institucionin, duke u bërë shkaktarët kryesore për vonesa në vendimarrrje të caktuara apo në zvarritje në kohë për çështje mjaft të rëndësishme për UT.

Kështu, mund të përmendim;

• Mbledhja e datës 26 Tetor 2017, në të cilën ishte parashikuar miratimi i kandidaturës për Zv.Rektor të Universitetit të Tiranës; përzgjedhja e anëtarit të Bordit të Administrimit, përfaqësues i Universitetit të Tiranës;
• Mbledhja e datës 12 Korrik 2018, në të cilën ishte parashikuar diskutimi dhe miratimi i Projekt statutit të UT;
• Mbledhja e datës 13 Dhjetor 2018, në të cilën ishte parashikuar reflektimi dhe qëndrimi i Senatit Akademik ndaj konstatimeve të MASR për Statutin e UT;
• Mbledhja e datës 28 Mars 2019, në të cilën ishte parashikuar zgjedhja e anëtarëve të Komisionieve të përhershme në nivel institucioni ( si p.sh Komisioni i Promovimit të Personelit Akademik); zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Etikës të UT.

Sikurse vihet re, në të gjitha rastet e sipërcituara, tematika e mbledhjes së Senatit Akademik, ka qenë mjaft e rëndësishme dhe shumë domethënëse për veprimtarinë normale të Universitetit të Tiranës, dhe, për të gjitha rastet, kërkohej vendimmarrja e Senatit Akademik, në zbatim të ligjit të arsimit të lartë 80/2015.

Por këta senatorë, zgjodhën të bojkotojnë mbledhjet, duke shkaktuar vonesa, me qëllim bllokimin e veprimtarisë së Universitetit të Tiranës dhe kryesisht të Rektorit të Universitetit të Tiranës.

Por sigurisht, në asnjë rast ata nuk ja kanë dalë.

Të nderuar kolegë,

Gjithkush nga ju mund të mendojë me të drejtë se përse dhe pse pikërisht tani, po ju bëj me dije mbi këtë situatë.

Në fakt, gjithmonë kam menduar se situata do të ndryshojë dhe kam shpresuar se profesorët që janë votuar dhe janë zgjedhur nga ana juaj për të kryer funksionet dhe rolin aq të rëndësishëm si anëtarë të Senatit Akademik të UT, do të fillonin ta kryenin atë.

Por tashmë, në përfundim të mandatit të këtij organi kolegjial, shpreh bindjen time të plotë se ata kanë shpërdoruar votën dhe besimin tuaj që i zgjodhët në këtë detyrë dhe kanë treguar një papërgjegjshmëri të plotë për realizimin e detyrës që kishin marrë përsëripër për ta kryer.

Gjithashtu, zgjodha këtë moment për t’ju informuar, pasi edhe rëndësia e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në Universitetin e Tiranës, është mjaft i rëndësishëm për institucionin.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, mbetem shpresëplotë në qëndrimin tuaj të drejtë dhe parimor; në qytetarinë dhe dinjitetin e secilit prej jush.

Rektori i Universitetit të Tiranës

Prof.Dr.Mynyr Koni

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here