Standard.al

Këshilli Kombëtar 1920 dhe Parlamenti këpëratë 2020

0
Nga Ndriçim Mehmeti

100 vite më parë në Lushnjë burra që kishin qëllim të mbanin në këmbë Shqipërinë dhe ta fusnin vendin në rrugën e shtet formimit. Ishin ata burra që në pjesën më të madhe të tyre, nuk pranuan rrogën si parlamentar, duke deklaruar se ‘rroga ime ka me i kalue buxhetit të kabinetit’.

Këshilli Kombëtar në një rrugëtim të shkurtër dha një shembull atë shquar të jetës parlamentare, të miratimit të ligjeve dhe kushtetutës së parë të quajtur ‘Statuti i Lushnjës’, i cili vendoste në shina ligjore jetën politike,m administrative, social e gjyqësore të vendit.

Kreu i shtetit përfaqësohej nga katër patriot, njerëz të shkolluar dhe të nderuar në mbarë vendin për kontributin e tyre: Aqif Biçaku (Elbsasani), Abdi Toptatni dhe dr. Mihal Turtulli. Pushteti legjislativ përfaqësohej Senati si një dhomë e vetme.

Senati ishte tranzitor, por shumë i mirë organizuar. Kishte në përbërjen e tij 37 anëtarë që përfaqësonin gati 20 mijë qytetarë. Ai do të kishte atribute legjislative deri në mbledhjen e Asamblesë kushtetuese. Në mbledhjen e marsit 1920, atij ju dha emri Këshilli Kombëtar dhe funksionoi me këtë emër deri më 1924.

Po tani Shqipni pa më thue si je?

Me një grup njerëzish pa identitet, pa ide, pa shkollë, pa atdhedashuri, pa integritet, por që për çudinë e madhe të jetës politike shqiptare quhen deputetë. Vendin e Hilë Mosit, Dhimitër Kacimbrës, Qazim Koculit, Adem Gjinishit, Bajram Curri, Bektash Cakrani, Fazlli Frashrit etj, e kanë zënë biznesmen, trafikantë, të dyshuar për lidhje me botën e krimit, ata që kanë ndryshuar emrin 4 a 5 herë, të cilët në jetën e vet nuk kanë shkuar kurrë një fjali.

Tani në parlamentin e 2020, me ligj dhe me vulë, të gjithë bëhen garant të hajdutërisë, duke shpresuar se në këmbim do të lëpijnë ndonjë kockë që do të hidhet për ta nga koncensionet dhe PPP e panumërta. Nuk kam ndërmend të përmend asnjë emër të anëtarëve të parlamentit, jo për frikë, porse nuk dua ti bëj reklamë të keqes.

Në 1920, Këshilli Kombëtar kishte në krye një teolog të shquar, Xhemal Nailin e më pas intelektualin patriot Dhimitë Kacimbrën, sot pas 100 vitesh kemi ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit të periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Kishim për kryeministër Sulejman Delvinën dhe pas 100 vitesh kemi Edi Ramën, i vetë deklaruar si një mësues i rëndomtë i vizatimit.

Kishim për ministër arsimi Spiro Pecin, sot kemi Besën, kishim ministër të jashtëm Iljaz Vrionin sot Gent Cakën, kishim ministër finance Ndoc Çobën dhe ne 100 vite më pas kemi një ministër që as vetë nuk e di se ku po shkojnë financat dhe ekonomia e vendit.

Në ditët më të vështira të Shqipërisë më 1920, detajohej me shumë përkushtim e përgjegjësi buxheti i shtetit, ndërsa sot parlamenti ngre dorën njëherazi, për të mos investuar në shëndetësi dhe arsim, vetëm që disa njerëz mos të humbasin milionat që shkojnë në xhepat e tyre, pikërisht nga bekimi që kanë marrë prej këtij parlamenti.

Pra pas 100 vitesh ne jemi në ditën e kiametit, si shoqëri, si jetë politike, apo edhe ekonomike. Në 1920, parlamenti kujdesej për çdo ankimim të popullit, si për shembull për taksën e kripës, duke e detyruar qeverinë që ta ulte këtë taksë me qëllim lehtësimin e buxhetit të familjeve të varfra shqiptare dhe të uljes së kontrabandës së këtij malli.

Ndërsa sot parlamentarët janë shumë të interesuar për rritjen e barrës fiskale në kurriz të popullit, ndërsa vetë shtojnë pagat, privilegjet, kërkojnë zyra e shtëpi me kredi zero dhe së shpejti do të kërkojnë edhe burra e gra, me garanci, për të shijuar jetën e tyre si politikan modern. Parlamenti i 1920, bëri një presion të jashtëzakonshëm që qeveria të zgjidhte çështjen e Vlorës dhe të mos pranonte asnjë kompromis me italianët në kurriz të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Nuk u pranua asnjë kujdestari, asnjë protektorat, asnjë lëshim, veç lirimit të tokave shqiptare nga ushtritë e huaja.

Jo vetëm kaq por Kongresi i Lushnjës i kërkonte me vendim të shpallur botërisht, Fuqive të Mëdha, të rishikonin vendimin në lidhje me Kosovën dhe ta përfshinin brenda territorit shqiptar. Sot kryeministri hap hartën me homologët e tij në Serbi dhe vendos se ku duhet të jenë kufijtë e Kosovës dhe si mund të ndahet në të mirë të Serbisë e në kurriz të shqiptarëve. 100 vite më parë kur ishim gjysmë të pushtuar , ende pa kufij të përcaktuar, pa një qeveri të qëndrueshme, pa shumë mjete që i duhen një shteti për të ekzistuar, ishim të zot të tregonim botës, se nuk i trembeshim as varfërisë e as vështirësive dhe pasojave që la Lufta e Parë Botërore.

Plot dinjitet dhe integritet, përgjegjësi dhe atdhetari treguam se jemi të denjë për të qenë një shtet, si të gjithë të tjerët në Evropë. Sot na përplasin derën në fytyrë. Na tregojnë tonelatat e drogës, numrin e bandave të krimit të organizuar, korrupsionin galopant dhe e kanë krahasuar vendin tonë si model narko-shteti në mes të Evropës. Nuk bëjmë dot zgjedhje të lira, pas 100 vitesh. Përpara 100 vitesh parlamenti ishte gati të vetë shkarkohej e shpërndahej në të paktën dy raste, ndërkaq që sot janë kapur pas karrigeve, rrogës së majme të deputetit, shëtisin studio më studio, duke folur se për çfarë, askush nuk i kupton.

Përpara 100 vitesh kërkohej Komision Ndërkombëtar për të shpëtuar tokat shqiptare prej pushtimit nga të huajt, sot kërkohet ndihma ndërkombëtare të shpëtojmë nga një grup shqiptarësh që kanë uzurpuar gjithçka: Ekonominë, politikën, pronat, financat, asetet e shtetit e që vendosin si t’ju dojë qejfi për jetët tona. Çfarë mund të thuash për një parlament, nga fjalimet e të cilit pak përdoret fjalori shqip, shumë pak flitet për ekonominë, asnjë fjalë për arsimin e shëndetësinë.

Por ama kryetari i parlamentit e ka merak të madh kodin e veshjes në seancë parlamentare, pasi ka mësuar shumë prej shijes së veçantë të fisnikut të pa shoq në sjellje e veshje, z. Kryeministër. Parlamenti i 2020 të kënaq sa herë që dëgjon fjalimin mbi kërpëratën, ndërsa trishtohesh shumë kur lexon se parlamentarët e vitit 1920, merreshin edhe me kripën, alkoolin, vajgurin, pra me zgjidhjen e kërkesave bazike të popullatës, nga veriu në jug. Këshilli Kombëtar i bëri me dije ‘qeverisë se duhet të paraqiste projektin për rrugën Tiranë-Elbasan’, ndërsa në 2020, ministrja Balluku heq nga lista e ndërtimit rrugë që sipas saj ‘nuk përbëjnë ndonjë investim të domosdoshëm dhe nuk janë nevojë emergjente’.

E mbi të gjitha për tu tallur deri në fund me hedhjen e bazave të parlamentarizmit, flasin gjerë e gjatë për të ‘studiuesit e vërtetë’ të kësaj periudhe: Shefi i hipotekave dhe legalizimeve e padyshim deputeti i Lushnjës i kudondodhur nëpër studio. Për të nderuar parlamentin e parë shqiptar dhe fillesat e parlamentarizmit, ka menduar vetë Kryeministri:

Si një dhuratë për këtë 100 vjetor do të shohim live në TV, shkatërrimin e ndërtesës ku u mblodh Këshilli Kombëtar. Na duhen hapësira modern dhe jo vjetërsina, si godina e Teatrit të Kukullave? Sot parlamenti i 2020, duhet të kishte mbyllur dyert, të mos pipëtinte e jo të hapte dyert për qytetarët, për të cilët nuk mendon as edhe një ditë të vitit.

Por të gjitha këto nuk kanë pikë rëndësie. Nuk mund të presësh asgjë më shumë, prej një grupi njerëzish që as në ëndrrën më të bukur të jetës së tyre, nuk e kanë parë të ishin brigadier a përgjegjës komunale, sot kanë emrin e madh parlamentar.

Tani Komandanti do ti vendosi tritolin ndërtesës së vjetër të parlamenti, sikundër ke bërë me shumë objekte të trashëgimisë kulturore. Për këtë vendim do të kesh bekimin e Forumit të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore si dhe të historianit shumë dimensional, shef  aktual i ALUIZNIT dhe Kadastrës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.