Ish deputetja e PD Dhurata Çupi, nëpërmjet Facebook i është kundërpërgjigjur Erion Veliajt, pasi ky i fundit u shpreh sot se kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka vendosur një rruge në Tiranë emrin e një krimineli.
Çupi thotë se rruga në fjalë është emëruar nga Partia Socialiste e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, pasi erdhën në pushtet.
Postimi i plotë:
Mashtrimet e Erion Veliajt janë të trasha dhe qesharake. Për të bërë pis kryetarin e PD me trafikantë droge, tutorë prostitutash dhe vrasës, siç është mësuar me kryetarin e tij, Erion Veliaj shpiku sot një sajesë sikur Basha i paska vënë emrin e një krimineli një rruge në Tiranë.
Aspak e vërtetë! Mashtrim banal, por djallëzor! Vëllanë e Mark dhe Arben Frrokut e nderoi Partia Socialiste e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, pasi erdhën në pushtet.
Vendimi i Këshillit Bashkiak në foto tregon se ishte PS ajo që e propozoi dhe e miratoi emrin e rrugës, siç ka bërë, sa herë ka patur pushtet, duke vendosur emra kriminelësh që kanë vrarë dhe torturuar me mijëra shqiptarë gjatë regjimit diktatorial.
Erion Veliaj mund të përpiqet me mashtrime banale të bëjë të duken njësoj Lulzim Basha me Edi Ramën për të përfituar vetë, por e bardha me të zezën janë të pangatërrueshme!
Ne nuk jemi të gjithë njësoj!