Rinisin tubimet/ Studentët në revoltë rinisin protestat: Pakti ishte mashtrim, asnjë nga pikat nuk është plotësuar…

0
193

Një vit pas protestave të fundit, studentët i janë rikthyer sërish atyre duke bojkotuar mësimin. Studentë nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, i janë përgjigjur thirrjes për revoltë nga organizata “Rezistenca Rinore”. Ata kanë bojkotuar mësimin në shenjë protestë kundër Paktit për Universitetin që sipas tyre është një mashtrim. Sipas tyre qeveria është në panik nga protesta, ndaj kanë filluar të ndryshojnë edhe oraret e seminareve dhe të aktiviteteve me qëllim pengimin e protestave. Studentët, kanë theksuar se kushtet në konvikte vijojnë të jenë skandaloze, tarifat nuk janë përgjysmuar dhe studentët vijojnë të mos jenë pjesë e vendimmarrjes në universitete. Ata kërkojnë që mazhoranca të mbajë premtimet dhe kanë paralajmëruar se nuk do t’i ndalojnë protestat derisa diçka e tillë të arrihet. Në dhjetor të vitit të kaluar qindra studentë dolën përpara Ministrisë së Arsimit për të kërkuar arsim cilësor dhe plotësimin e kushteve të tyre. Ata refuzuan ftesat e herëpashershme për dialog të ish-ministres Lindita Nikolla dhe kryeministrit Edi Rama, derisa u arrit Pakti për Universitetin.

 

Rikthimi

 

Studentët prej disa javësh kanë deklaruar se do të rikthehen te protestat masive kundër qeverisë. Ndaj këtë të mërkurë, mbi 500 studentë të revoltuar në Fakultetin Filologjik nisën të brohorasin kundër Paktit për Universitetin. Ata bojkotuan mësimin dhe bënë thirrje që protestës së tyre t’i bashkohen edhe të tjerët. Studentët u grumbulluan pranë Fakultetit dhe në orën 11:00 iu drejtuan Korpusit Universitar. Ata kanë bojkotuar mësimin në shenjë protestë kundër paktit për universitetin që sipas tyre është një mashtrim. Sipas tyre qeveria është në panik nga protesta, ndaj kanë filluar të ndryshojnë edhe oraret e seminareve dhe të aktiviteteve me qëllim pengimin e protestave. Studentët kishin me vete dhe pankartat “meme”, të cilat ironizonin marrëveshjen e arritur vitin e kaluar pas protestave masive që nisën në dhjetor 2018.  “Konviktet janë vetëm fasadë, karta e studentit na doli mashtrim”, thotë njëri prej tyre. “Karta e studentit ka ulje në dyqanet Armani dhe ulje në fotokopjet e letrave. Nuk na ka dhënë ulje te bibliotekat. Kemi vetëm ulje për gjera luksi”.-janë shprehur studentët.

 

Intervista

 

Për “Standard” Eneda, studentja e Inxhinierisë Agrare ka thënë se studentët po u rikthehen protestave pasi asnjë nga pikat që ata kërkuan vitin e kaluar nuk është plotësuar. “Ju rikthehemi protestave këtë vit pasi asnjë nga ato pikat që ne kërkuam vitin e kaluar nuk është plotësuar, përveç Kartës së studentit që gjiithsesi është fasadë, pasi ajo nuk ofron ulje për gjërat që ne i kemi të nevojshme nuk është as për mensë, as për veshje ose për librari e biblioteka, pra për gjërat bazike. Ndërkohë përs i përket uljes së tarifave vazhdojnë të mbeten po njësoj. Dhe për pjesën e bursën, nëse deri vjet do duhej që të kishe vetëm një prind invalid sivjet për të përfituar bursën do duhet t’i kesh të dy prindërit invalid. Kushtet në fakultete mbeten po aq mjerane, vzhdojmë të dridhemi nga i ftohti nëpër sallat e leksioneve. Kushtet në konvikte janë akoma më shumë mjerane, vetëm para disa ditësh në konviktin ku unë banoj ra tavani. Kërkuam që të rriteshin kërkimet shkencore, ato përsëri janë zero, tarifat tona po keqpërdoren pasi nuk po vihen në funksion të kërkimeve shkencore apo përmirësimit të kushteve në fakultete. “-u shpreh ajo.

 

“Pakti “ që nuk u zbatua kurrë

 

Pas protestave të studentëve që nisën më 5 dhjetor të vitit të kaluar për një arsim më cilësor qeveria Rama doli me nje Draft Pakt për Universitetin me anë të të cilit pretendohej se do ti jepej zgjidhje 8 pikave që kërkonin studentët, por studentët kurrë nuk panë asnjë përftim nga ky pakt. Nëse do të shihen zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në universitet shqiptare vërehet qartë se shumica e pikave të përmendura në pakt nuk kanë gjetur zgjdhje; dhe ato që prendohet nga ana e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit se tashmë janë zgjidhur duket qartë se janë zgjidhje gjysmake.

 

Një nga pikat kryesore që studentët kërkonin me ngulm të zbatohej ishte ulja e tarifave në të gjitha programet e studimit, një pikë e cila nuk u zbatua totalisht pasi përgjysmimi i tarifës u bë vetëm për studentët e Bachelor-it ndërsa shumica dërrmuese e studentëve të masterit do të vazhdojë të paguajë tarifa vjetore nga 60,000 deri në 115,000 lekë (të reja) në vit pasi përjashtim bënë vetëm studentët e ekselencës. Kjo u justifikua nga qeveria me faktin që masteri ishte “luks” jo i domosdoshëm. Por si mund të konsiderohet vazhdimi i studimeve në programin master një luks kur të gjithë e dimë shumë mirë që mundësia e punësimit vetëm me diplomën Bachelor, është e pamundur në tregun shqiptar të punës?

 

Një tjetër pikë me të cilën studentët bashkoheshin njëzëri ishte dhe punësimi i studentëve pas mbarimit të studimeve të larta. Qeveria ka treguar se nuk ka asnjë plan konkret për këtë duke i  lënë të rinjtë të papunë, të varfër dhe me dëshirën për të ikur nga vendi i tyre duke i hedhur sytë nga vendet evropiane. Qeveria kërkoi ti hedhë hi syve studentëve me punësimin e pak studentëve ekselentë në administratën e shtetit, por i la të pashpresë dhe në mëshirë të fatit pjesën tjetër të studentëve. Studentët gjithashtu kërkuan rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë  pikë e cila as që u mor parasysh nga qeveria por konsideroi të panegociueshëm jo vetëm rrëzimin e këtij ligji, por edhe ndryshimin e pjesshëm të tij.

 

Ndërkohë kryeministri dhe kryebashkiaku i kanë mëshuar fort suksesit me Kartën e Studentit duke e cilësuar atë si një arritje të madhe që do u sillte studentëve përfitime të mëdha. Ajo që bie në sy është se te Karta e Studentit e prezantuar nga Veliaj dhe Rama është se në në listën e shërbimeve me cmime të reduktuara janë shërbime dytësore, pra nuk plotësojnë nevojat bazë të studentëve. Kjo ka sjellë dhe pakënaqësinë e studentëve të cilët i konsiderojnë kërto shërbime si jo të qenësishme për një student.

Nevoja parësore e studentëve është transporti publik i cili me daljen e kartës nuk pësoi asnjë ndryshim. Ndërkohë, çmimi për abonentë e autobusëve për studentët nuk ka ndryshuar, mbetet po 600 lekë në muaj si ka qenë që në krye të herës. Po ashtu nuk ka asnjë përfitim nga ana e studentëve dhe për transportin ndërqytetas gjë që do ishte goxha lehtësim për studentët pasi shumica vijnë nga rrethet e Shqipërisë. Një tjetër mangësi është se kjo kartë nuk përfshin ulje në cmimet e librave. Askund nuk shihet ndonjë librari që të ofrojë cmime të reduktuara për librat ndërkohë që librat për studentët janë më bazikë sesa kafenetë, piceritë ose kinematë. Për më tepër ulje nuk shihen as në supermarkete ose mensa, të cilat gjithashtu janë nevoja parësore të studentëve. Pra  shumica e shërbimeve  që ofrohen nga karta, nuk janë imediate, në listën e shërbimeve me ulje përfshihen kafene, kinema, që nuk janë nevoja bazike për një student.

 

Dështimi me rikonstroktimin e konvikteve

 

Një tjetër kërkesë e studentëve ishte dhe rikonstruktimi i konvikteve. Kryetari i Bashkisë inspektoi para disa muajsh punimet në disa godina të Qytetit Studenti dhe dukej entuziast për atë që mund të quhet fasada e radhës e cila i ngjan shumë asaj të Kartës së Studentit.  Lyerja e konviktit nga jashtë është fasadë që me të vërtetë të bën përshtypje, por mjafton të ngjitesh në katin e dytë të kësaj godine dhe fare lehtësisht arrin të kuptosh se gjendja e tij është po aq mjerane sa ishte përpara rikonstruktimit të konviktit.  Dhomat vazhdojnë të mbeten po aq të vogla dhe me ato pak orendi të cilat janë drejt degradimit, konkretisht; tre krevate, tre komodina, një raft dhe një tavolinë, kushte që shkojnë drejt kufijve të mbijetesës. Kanë mbetuar po ata lavamanë, po ato prize të cilat nuk arrijnë të përballojnë as një ngrohëse pasi direkt bie automati dhe po ajo pasqyrë e vogël, e ngulur me gozhdë në mur, që sigurisht mbetet e thyer njësoj si më parë . Nuk duhet fasada dhe muret e lyer së jashtmi kur dushet vijojnë të mbeten me orar, kur mungojnë dhe kushtet më bazike të higjenës, kur kemi akoma denoncime nga studentët për rënien e tavanit nga lagështira e madhe, veccanërisht në katet e para të godinave.

 

Dështimi me buxhetin për arsimin

 

Një nga premtimet më të mëdha të kryeministrit pas protestave masive të studentëve ishte shtimi I buxhetit për arsimin. Para disa muajsh u bë e ditur publikisht se as kjo pikë e paktit nuk është zbatuar dhe ka dështuar totalisht.  Qeveria shqiptare në rishikimin e buxhetit 2019 ka shkurtuar fondet për arsimin e lartë me 196 milionë lekë ose rreth 1,6 milionë euro, teksa fondi është 2.5 mln euro më i ulët se, i vitit 2018.  Fondet e dedikuara për universitetin këtë vit janë programuar edhe në një nivel më të ulet se një vit më parë. Në aktin e dytë normativ të buxhetit 2018, fondet për arsimin e lartë ishin 7.5 miliardë lekë ose 300 milionë lekë  (2.5 mln euro) më të larta se rishikimi i fundit i buxhetit 2019. Në buxhetin fillestar të vitit 2019 për Ministrinë e Arsimit ishin miratuar 7.4 miliardë lekë, ndërsa me rishikimin e buxhetit që tashmë është botuar në fletoren zyrtare financimet për arsimin e lartë janë 7.2 miliardë lekë ose rreth 200 milionë lekë më pak në fillim vit. Në 8 vitet e fundit, buxheti i arsimit të lartë është luhatur në 10 miliardë lekë në vit, ku rreth 7 miliardë financohen nga buxheti i shtetit dh pjesa tjetër më shumë se 3 miliardë lekë nga tarifat që paguajnë studentet për studimet e larta.  70% e financimeve sigurohen nga qeveria dhe 30% nga universitetet. Edhe pse tarifat e arsimit të lartë janë rritur me rreth 20% pas vitit 2015, të ardhurat totale prej tyre kanë shënuar rënie, për shkak se numri i studentëve ka ardhur në rënie. Në katër vitet e fundit, për çdo vit akademik, në auditorët e universiteteve shqiptare po ulen më pak studentë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here