Standard.al

Sondazhi me qytetarët, 63% nuk kanë besim se vettingu do pastrojë drejtësinë

0

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), paralelisht me angazhimin aktiv për monitorimin e procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka realizuar së fundmi një sondazh online me qytetarët.  Sondazhi kishte si qëllim të vlerësonte perceptimin publik të qytetarëve se sa të informuar janë ata për procesin e vettingut dhe nëse kanë besim tek procesi, nisur nga rezultatet e deritanishme të tij.  

 Për shkak të vëmendjes mediatike, institucionale dhe peshës që ka pasur procesi i vettingut në diskursin publik, në përgjithësi qytetarët kanë informacion në lidhje me zhvillimet e reformës në tërësi, dhe për procesin e vettingut, në veçanti. 

 Kjo del qartë edhe nga përfundimet e sondazhit të dytë të realizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjatë muajit Shkurt 2019.

 Në sondazhin online morën pjese 416 qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit. Nga ky sondazh vihet re se informimi i publikut dhe njohja e këtij procesi ka ardhur duke u rritur, ndërkohë që besimi i tyre në rezultatet e këtij procesi nuk është në nivele tërësisht të kënaqshme. KShH dëshiron të theksojë faktin se ky sondazh është kryer vetëm online dhe për rrjedhojë të dhënat nuk duhet të konsiderohen tërësisht të plota dhe as tërësisht të sakta.

A mendoni se jeni të informuar sa duhet, për procesin e Vetting-ut?

A e kuptoni mjaftueshëm këtë proces nëse e keni ndjekur?

Si rezultat i këtij sondazhi, mund të vërehet se: pyetjes “A mendoni se jeni të informuar, sa duhet, për procesin e Vettingut?”, pjesa më e madhe e të intervistuarve  i janë përgjigjur pozitivisht, rreth 67 % e tyre, ndërkohë që një përqindje më e ulët, rreth 33% e qytetarëve, apo 1/3 e tyre, janë përgjigjur negativisht.

Një pyetje tjetër, që ka të bëjë me shkallën e të kuptuarit të procesit nga ata që e kanë ndjekur, ka marrë gjithashtu një përgjigje në favor të njohjes së tij. Në këtë rast numri i atyre që e kuptojnë procesin, krahasuar me numrin e atyre që nuk e kuptojnë është ndjeshëm më i madh. Nga të dhënat e grafikut të mëposhtëm rezulton se rreth 15% e personave të anketuar pretendojnë se nuk e kuptojnë mjaftueshëm procesin ndërkohë që rreth 85% e tyre pretendojnë se e kuptojnë atë.

Nëse e keni ndjekur procesin, a keni besim se ky proces është i drejtë, nisur nga rezultatet që ka pasur deri tani?

A mendoni se Vettingu do të pastrojë vërtet sistemin e drejtësisë dhe do të bëjë këtë sistem më të mirë dhe të besueshëm për qytetarët?

Një nga pikat kyçe të të gjithë procesit është besimi i publikut tek vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në lidhje me këtë, pyetjes: “A e keni ndjekur procesin dhe a keni besim se ky proces është i drejtë, nisur nga rezultatet e arritura?” , deri më tani, pjesa më e madhe i është përgjigjur negativisht. Rreth 63 % e të intervistuarve është mosbesuese ndaj Vettingut dhe rezultateve të tij deri më tani..

Për të shkuar më në detaje të këtij qëndrimi, sondazhi vijon me një tjetër pyetje: “A mendoni se Vettingu do të pastrojë vërtetë sistemin e drejtësisë dhe do ta bëjë këtë sistem më të besueshëm për qytetarët?”. Edhe në këtë rast, pjesa më e madhe e publikut është pesimiste, përkatësisht 2/3 e të intervistuarve ndërkohë që 1/3 e tyre janë optimistë për rezultatet dhe impaktin e këtij procesi.

Rezultatet e këtij sondazhi kanë pasur një numër të madh komentuesish. Sikurse në përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të sondazhit, edhe në komentet e tyre bie në sy, që shumica e personave janë mosbesues ndaj procesit të Vettingut. Kjo për disa arsye. Për një pjesë të komentuesve, vettingu ka ndikime të natyrës politike për të goditur kundërshtarët. Për një komentues i gjithë procesi është “formal”. Në lidhje me zhvillimin e procesit ka vërejtje për sa i takon ritmeve e tij të ngadalta dhe faktit se, kryesisht, është përqendruar te komponenti i pasurisë, duke anashkaluar 2 komponentët e tjerë shumë të rëndësishëm, përkatësisht komponentin e figurës dhe të aftësive profesionale. Për komentues të tjerë ata gjyqtarë, apo prokurorë që janë konsideruar gjithmonë “të paprekshëm”, vazhdojnë të mbeten të tillë, pavarësisht Vettingut. Një bindje e tillë përforcohet nga një komentues tjetër, sipas të cilit në kontrollin e figurave përdoren “standarde të dyfishta”  si në rastin e  disa subjekteve, të cilët edhe pse nuk e kanë justifikuar pasurinë, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë.

Ndërkaq, edhe pse në pakicë,  ka shumë qytetarë që shprehen optimistë, duke besuar që ky proces do ndikojë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe rezultatet e tij do të kontribuojnë në drejtim të çeljes së negociatave të vendit tonë me Bashkimin Evropian, për tu integruar në këtë të fundit. Ka të tjerë të cilët shpresojnë në këtë proces, për të vendosur në vend drejtësinë e munguar si dhe kërkojnë gjithashtu sekuestrimin e pasurive të pamerituar të njerëzve të drejtësisë të larguar nga vettingu. Një pjesë e optimistëve të vettingut kërkojnë ritme më dinamike dhe të shpejta të tij, pasi në këtë periudhë tranzitore ata referojnë se ka gjyqtarë dhe prokurorë që po vijojnë ta shpërdorojnë pozitat e tyre zyrtare, duke dhënë vendime haptazi të padrejta dhe nën ndikimin e korrupsionit. Në radhët e optimistëve ka edhe skeptikë të cilët edhe pse shohin rezultate pozitive, shprehin frikën se krimi dhe korrupsioni i përhapur gjerësisht në vend mund të kapë edhe sistemin e ri të drejtësisë.

 Realizuar nga: Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH).

 Ky sondazh është realizuar online me qytetarët nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe rezultatet e tij nuk shprehin mendimet e donatorit!

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.