Standard.al

Gjermania ashpërson rregullat kundër pastrimit të parave…

0

Gjermania do t’i koordinojë më mirë aktivitetet në luftën kundër pastrimit të parasë dhe terrorizmit financiar. Për këtë Ministria e Financave për herë të parë ka paraqitur një katalog masash.

Në fillim të vitit në Gjermani hyri në fuqi direktiva e rishqyrtuar kundër parave ilegale. Megjithatë në shumë hallka puna çalon. Në nivelin ligjor dhe në sektorin e përmbarimit duhet bërë më shumë, thuhet në qarqet e qeverisë federale.

Ndaj Ministria e Financave do të angazhohet në nivelin e BE-së, që të vendosen rregulla të njësuara për luftën kundër pastrimit të parasë. Direktiva për luftimin e parave ilegale parashikon ndër të tjera një bashkëpunim më të ngushtë me autoritetet në Gjermani në mënyrë që përndjekja penale të jetë më efikase

Ministria e Financave mendon se ka ‘nevojë për përmirësime’.

Njësia kundër pastrimit të parave Financial Intelligence Unit duhet të ketë një akses më të mirë ndaj të dhënave të autoriteteve të tjera hetimore. Gjatë blerjes së arit me para në dorë do të pakësohen kriteret që e kufizojnë identifikimin e blerësit.

Image

Detyrim informimi për noterët

Veçanërisht dega e imobiljareve do të kontrollohet më rreptësisht. Është planifikuar që në kuadër të një udhëzimi ligjor, që do të hyjë në fuqi në gjysmën e parë të vitit, në të ardhmen noterët duhet të denoncojnë transaksionet e dyshimta financiare.

Sfondi i këtij rregulli ka të bëjë me faktin, se që pas krizës mbarëbotërore financiare më 2008 tregu i imobiljareve në shumë shtete pësoi një bum, po kështu edhe në Gjermani. Edhe transaksionet me shuma të mëdha vazhdimisht realizohen me para në dorë, e megjithatë noterët pothuajse nuk i denoncojnë kontratat e dyshimta.

Ministria e Financave nuk donte të përmendte vlerësime të sakta mbi përmasat e problemit. Por meqenëse është e nevojshme të veprohet, qeveria tani ua ka kaluar veprimtarinë ministrive të ndryshme – asaj të Financave, të Punëve të Brendshme, të Drejtësisë, Ekonomisë dhe Ministrisë së Jashtme -puna mes tyre duhet bashkërenduar edhe me punën e landeve dhe të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare BaFin, Entit Federal të Kriminalistikës dhe Shërbimit Informativ Federal.

Po ashtu është angazhuar një bord koordinues, i cili duhet të mblidhet dy herë në vit.

Image

Bafin do një autoritet europian kontroll

Ndërkohë Enti Federal për Mbikëqyrjen Financiare (Bafin) është angazhuar fort për krijimin e një autoriteti më vete të BE-së për luftën kundër pastrimit të parasë. ‘Për ta bllokuar aktivitetin e atyre që pastrojnë paratë ilegale, është e domosdoshme të krijohet një mbikëqyrje e pastrimit të parasë në nviel europian’, tha shefi i Bafin Felix Hufeld të enjten (16.01) gjatë pritjes së fillimit të vitit në Frankfurt mbi Main.

‘Një autoiritet më vete europian, i koordinuar me autoritete kombëtare, do të ishte në këndvështrimin tim zgjidhja më ë mirë për luftimin e pastrimit të parasë në sektorin financiar – e ndoshta kjo mund të ishte edhe mënyra më e mirë për ta luftuar atë me efikasitet.’

Sipas mendimit të mbikqyrësit suprem të financave në Gjermani, do të ishte gabim, që kontrolli t’i delegohej Autoritetit Europian të Mbikëqyrjes Bankare EBA me seli në Paris.

‘Kjo është në kundërshtim me primatin e ndarjes së pushteteve, si dhe kalimin në një dorë të kompetencës së vendosjes së normave dhe zbatimit të normave.’ As Banka Qendrore Europiane (EZB) nuk është e përshtatshme për këtë.

Ajo ka mandatin vetëm nga 19 vende të Euro-Zonës. Pas skandaleve të pastrimit të parasë në shuma miliardëshe si në Danske Bank apo në Maltë, vitin e kaluar EBA-s iu kaluan më shumë kompetenca.

Por ajo është në radhë të parë një përcaktuese e rregullave dhe jo kontrolluese. Kontrolli vazhdon të jetë në përgjegjësinë e autoriteteve kombëtare të mbikëqyrjes, që sipas mendimit të kritikëve, jo gjithmonë bashkëpunojnë sa duhet.

Ndaj ministrat e Financave i kanë bërë thirrje Komisionit të ri të BE-së që të verifikojnë rrugët për harmonizimin e funksioneve kontrolluese brenda një autoriteti të BE-së.

/Marrë nga DW

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.