Boçi: Nuk ka paqe me Ramën! Ulja jonë jonë në tryezë është hap i rëndësishëm i kësaj beteje…

0
142

Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: Lista e gjatë e deputetëve dhe e kryebashkiakëve të përshirë në krime dëshmon se sa i thellë është kriminalizimi politik i kësaj mazhorance

Pas tryezës PS-PD-LSI, menjëherë në publik u shtrua pyetja se për çfarë ndryshimet do të punojnë partitë. Debatin se opozita nuk kërkon ndryshim të sistemit, ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi e sheh si të fryer më shumë se ç’duhet mediatikisht. “PD në satutin e saj ka përcaktuar si masë selektive në listat, pre-eleminaret për kanditatët e saj, gjë që krijon kushtet për një renditje sipas vullnetit të anëtarësisë”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Boçi tregon planin e PD-së dhe të opozitës së bashkuar për protestat, për të cilat thotë se nuk e pengon tryezën me PS-në për Reformën Zgjedhore.  “”Lufta” është me bustet e gjalla që kanë ngritur një regjim kriminalo-demokratik në zemër të Europës. Protesta nuk e pengon tryezën, madje e shpejton përmbylljen e saj sepse qartazi ajo do të shprehë padurimin qytetar për zgjedhje të parakohëshme. Bashkë me largimin e Ramës është ajo që kërkojnë protestuesit. Do ishte naive të mendohej apo artikulohej që protesta do të pengojë çeljen e negociatave. Kjo retorikë është banale dhe qesharake si shumë pjesë propagandistike të qeverisë”.

A mendoni se tryeza mazhorancë-opozitë, do të jetë fillimi i fundit të krizës politike në vend? Pasi ju si PD kërkoni zgjedhje të parakohshme dhe kur do ti kemi? Në pranverë apo vjeshtë? Nga ana tjetër, në këtë tryezë nuk flitet për ndryshim sistemi, pse?

Kriza politike fillon e zgjidhet kur të krijohet një qeveri tranzitore dhe kemi një datë të zgjedhjeve të parakohshme. Tryeza për reformën zgjedhore është thjesht një modalitet e cila ka vlerë kur produkti i saj të nisë të implementohet, pra të zbatohet në situatën zgjedhore të parakohshme. Mazhoranca me manovrat e saj do përpiqet ta fusë atë në hullinë e tjerrjes pafund për të fituar kohën, siç ka bërë deri më tani kur nuk pranonte paritetin e opozitës në reformën zgjedhore. Përfundimi i tryezës kërkon që të kemi një datë zgjedhjesh të parakohshme, sipas dhe kushteve të vendosura nga Budenstagu dhe të kërkuara nga ne e që njëkohësisht është motivi kryesor për të cilën opozita gjendet në atë tryezë. Nuk ka rëndësi në cilën periudhë pranverë apo vjeshtë zhvillohen ato. Sa më parë aq më mirë është për vendin dhe për politikën. Ato do të sillnin çlirimin e vendit nga kriza e thellë e gjithanshme dhe do krijonin kushte për ngjalljen e një shprese të re për qytetarët.

Ka një debat i cili në pikëpamjen time duket se është më shumë i fryrë se ç’duhet mediatikisht, për qëllime diversive politike ndaj opozitës. Opozita është treguar e hapur ndaj ndryshimeve të sistemit dhe ka gadishmërinë të avancojë në këtë pikë në kuadër të arritjes së qëllimit të saj madhor që është garantimi i votës së lirë dhe të pandikuar nga krimi apo shit-blerja. Mos harrojmë që PD në satutin e saj ka përcaktuar si masë selektive në listat, pre-eleminaret për kanditatët e saj, gjë që krijon kushtet për një renditje sipas vullnetit të anëtarësisë. Kjo masë ndoshta nuk duket e mjaftueshme për mentalitetin tonë politik por ajo vendos së paku një barrierë të vlefshme për të filtruar drejt kandidatët dhe për të shmangur mungesën e vullnetit të mazhorancës për ndryshimin e sistemit në raport me listat e hapura apo të mbyllura.

Thelbi i reformës është pikërisht vota e lirë dhe çdo masë që rrit garantimin e saj përfshi dhe çdo ndryshim sistemi është e mirëpritur nga ajo. Reforma zgjedhore do ishte farsë nëse ajo nuk ndërton brenda saj paketën e masave të propozuara nga ne dhe që prekin shumë aspekte të procesit zgjedhor që lidhen me përfshirjen e krimit, të qeverisë, administratës, policisë. Që parandalojnë paratë e pista të krimit të derdhen lumë për vota. Që ndalojnë financimet e fshehta nga biznese klienteliste, të pa mbikqyrura, të partive politike sipas interesave korruptive të tyre. Që garantojnë drejtësi vote, vullnet të lirë e ndershmëri rezultati. Pa këto nuk ka reformë dhe nuk ka garanci për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Më kryesorja në Reformën Zgjedhore e cila përmbush një nga 9 pikat e Bundestagut Gjerman, mbetet ndarja e krimit nga politika. Duke parë ngjarjet e fundit, të lirimit të të dënuarëve me burgim të përjetshëm, si do të ndahet krimi nga politika? Besoni se këto lirime lidhet me dyshimet që qeveria po bëhet gati për zgjedhje e parakohshme?

Nuk ka më iluzione për askënd. Koha e ëndrrave me një drejtësi apolitike është kapërcyer dhe ja ku jemi: mirë se kemi ardhë në realitet. Drejtësia komandohet nga zyrat e mazhorancës dhe vendimet pikante për lirime absurde merren po atje. Të bindurit kapërcejnë lumin e Vetting-ut ndërsa të pabindurit anatemohen e kërcënohen me mbytje në Vetting. Lidhja e sotme e krimit me politikën në qeverisje është kapilare dhe shumëfishe e ndërthurur me interesa ekonomike oligarkike dhe interesa të drejtpërdrejta të votave politike. Realisht krimi është në qeverisje dhe largimi i tij nuk mund të bëhet thjesht me dëshirën e madhe dhe denoncimet e forta të opozitës. Lista e gjatë e deputetëve dhe e kryebashkiakëve të përshirë në krime dëshmon sesa i thellë është kriminalizimi politik i kësaj mazhorance. Ideatori, frymëzuesi mbështetësi i kësaj simbioze është sot kryeministër. Është si të thuash vetë ai koka e meduzës. Pa prerë kokën e kësaj meduze e strukturuar në mënyrë perfide si organizatë kriminalo-politike, nuk mund të ketë iluzione që krimi do largohet me vullnetin e tij nga politika. Krimi dhe politika e lidhur me të duhet të luftohen deri në fund dhe të vihen para drejtësisë.

Pas rivendosjes së paqes me PS, ju si opozitë i riktheheni protestave në fund të shkurtit. Pse në këtë kohë dhe çfarë do të kërkoni me këtë tubim? Do të pengojë ky vendimin tryezën e paktit dhe mund të çënojë qëndrimin e Europës në lidhje me çeljen e negociatave të anëtarësimit?

Nuk ka paqe me Ramën. Jemi në një përplasje permanente për vlerat e parimet më të larta të demokracisë dhe interesat e qytetarëve. Ulja jonë jonë në tryezë është hap i rëndësishëm i kësaj beteje, e cila po lëviz në shumë drejtime. Në respektimin e zërave e miqve ndërkombëtarë siç janë kushtet e Bundestagut, apo orientimet amerikane. Në një organizim real të strukturave deri në nivel seksioni. Në denoncimet e vazhdueshme për keqqeverisjen dhe bashkëpunimin e saj me krimin. Në ndërtimin e besimit nëpërmjet një programi politik alternativ qeverisës që i jep fund krizës ekonomike e sociale e brakstisjes së vendit.

Në organizimin dhe mbështetjen e protestave të gjitha niveleve si akte që dobësojnë mazhorancën dhe e çojnë atë drejt kapitullimit. Në asnjë moment nuk kemi hequr dorë nga protestat, sepse i konsiderojmë si shprehje masive të zemërimit qytetar dhe si thirrje ndaj qeverisë për të dëgjuar zërin e tyre. Në çdo vend demokratik frekuenca dhe masiviteti i tyre do çonte në largimin e një qeverie. Në Shqipëri ne jemi përballë një junte policore,  e cila bën gjithçka për të mos humbur pushtetin e marrë në bashkëpunim me krimin. Kjo nuk dobëson bindjen tonë për të vazhduar. Përkundrazi. Në këtë aspekt protesta e paralajmëruar është vazhdim i atyre të nisura më 16 shkurt 2019 dhe do ndiqet dhe nga të tjera, derisa qëllimi i qytetarëve për largimin e Ramës dhe hapjes rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme të realizohet. Në rakordim të plotë me gjithë spektrin opozitar dhe me të gjitha format e aksionit tonë qofshin këto institucionale ose joinstitucionale.

Kjo protestë e kësaj rradhe, përcjell dhe simbolikën e përkujtimit të përvjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit që vulosi rënien e regjimit. “Lufta” është me bustet e gjalla që kanë ngritur një regjim kriminalo-demokratik në zemër të Europës. Protesta nuk e pengon tryezën, madje e shpejton përmbylljen e saj sepse qartazi ajo do të shprehë padurimin qytetar për zgjedhje të parakohshme. Bashkë me largimin e Ramës është ajo që kërkojnë protestuesit. Do ishte naive të mendohej apo artikulohej që protesta do të pengojë çeljen e negociatave. Kjo retorikë është banale dhe qesharake si shumë pjesë propagandistike të qeverisë.

“Ministria e Arsimit ka dështuar me reformat e saj”. Ky është qëndrimi i specialistëve veçanërisht pas analizës që ministrja Besa Shahini u bëri rezultateve të dobëta që Shqipëria mori në PISA 2018. Për ju kush e ka fajin? Mësuesit se nuk përshtaten me tekstet e reja apo që Universitetet duhet të ndryshojnë programet?

Dështimi i reformave është meritë e qeverisë dhe Ramës dhe asesi nuk mund t’i atribuohet mësuesve apo iniversiteteve. Sot ato janë në situatën më mjerane të mundshme. Askush nuk i vlerëson, buxheton apo kujdeset për to. Ndërhyrjet arbitrare në legjislacion pa asnjë vizion dhe pa asnjë konsulencë profesionale, ndërhyrjet në maturën shtetërore, në kurrikula, në altertekst, në orare dhe mosvënia dorë në infrastrukturën e rrënuar arsimore, përfshirë aksesorët që janë pjesë e proceseve mësimore, bënë që kjo qeverisje të dështojë me sukses. Fajtorët dihen. Janë Rama, Nikolla, Shahini.

Arsimi është i pabuxhetuar në masën e duhur, në kaos dhe në një renie të lirë degraduese në të gjitha nivelet e tij. Rezultatet e PISA 2018 nuk mund të ishin ndryshe. Tekstet e reja të përkthyera u përzgjodhën me mashtrim publik, për një nivel jo të përputhshëm me gjimnazet tona. Janë të niveleve inferiore nga vendi ku i morën, pavarësisht logos famoze. Për gjimnazet, Britania ka tekste të një cilësie tjetër. Për më tepër vijnë nga një sistem me krejt tjetër strukturë, kulturë nxënieje, metodikë mësimdhënie dhe aftësie ekonomike. Tekstet përpos kësaj kërkojnë bazë mësimore e eksperimentale të fortë, gjë që është neglizhuar plotësisht.

Nga ana e tyre Universitetet nuk janë orientuar të përfshijnë në formimin e mësuesve ndryshimet në sistemin parauniversitar. Kjo sepse mësuesia nuk mbrohet nga shteti, madje përçmohet dhe luftohet, duke i cuar në likuidim shumë degë që përgatisin sot mësuesë. Kjo situatë është dëshmi e mjerimit qeverisës që në fokus nuk as arsimin as fëmijët e të rinjtë shqiptarë, por ka interesat e ditës, përfitimin, zhvatjen, mashtrimin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here