Arrestimet e bujshme për tërmetin, pse u shmang bashkia e Tiranës

0
101

Prokuroria e Tiranës kundërshtoi akuzat se kishte shmangur zyrtarët e bashkisë së kryeqytetit gjatë hetimit të dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit, duke pretenduar se nuk i kishte akoma aktet e ekspertimit të ndërtesave për të arritur në përfundime mbi përgjegjësitë penale.

Tre përfaqësues të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dy të policisë së kryeqytetit njoftuan të mërkurën për mediat gjatë një konference për shtyp detaje nga operacioni ende në vazhdim për ndalimin e 42 personave të proceduar për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit në bashkitë Tiranë dhe Vorë.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj e konsideroi si një sukses ndalimin e 31 personave deri mesditën e të mërkurës dhe të procedimit të 11 të tjerëve, mes tyre zyrtarë të lartë ish-komunave Farkë e Yzberisht.

“Prokuroria e Tiranës në 27 nëntor 2019, ka filluar një hetim pas tërmetit, duke u munduar të nxjerrë në pah dhe të evidentojë shkeljet e bëra nga punonjës të administratës shtetërore, por edhe nga ndërtuesit, që sollën si pasojë nxjerrjen e disa ndërtimeve e banesave të pabanueshme me akte konstatimi,” tha Imeraj.

Sipas Imerajt deri tani, Prokuroria ka arritur të evidentojë dëme në 25 institucione; 134 pallate dhe mbi 100 banesa private. Megjithatë, të dhënat e bëra publike se të ndaluarit nga policia ishin kryesisht zyrtarë të ish-komunave të kontrolluara dikur nga Partia Demokratike në opozitë; kanë ngritur dyshimeve dhe akuza në media se operacioni ishte selektiv dhe ka bërë një sy qorr ndaj bashkisë së Tiranës.

“Duket haptazi! Po të shikosh edhe ish-komunat janë kryesisht djathtas. Ka një lloj selektiviteti,” tha Ramiz Billa, njëri prej avokatëve që përfaqësojnë të pandehurit.

Imeraj deklaroi gjatë konferencës për shtyp se Prokuroria nuk i kishte diferencuar zonat periferike të kryeqytetit – dikur territor administrative të ish-komunave, me qendrën e bashkisë më të madhe në vend dhe paralajmëroi se hetimi do të shtrihej edhe në bashkinë e Tiranës.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës u justifikua se hetimi kishte prekur vetëm ish-komunat për faktin se organi akuzës kishte marrë vetëm për këto zona në administrim aktet e ekspertimit të banesave të dëmtuara.

Rezultate vetëm për zonat periferike

Tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 6.3 i shkallës Rihter i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe më shumë se 900 të plagosur në Durrës, Krujë, Tiranë dhe Lezhë, ndërkohë që qindra ndërtesa u dëmtuan duke u kthyer në të pabanueshme dhe mijëra vetë u lanë të pastrehë.

Drejtuesja Imeraj shpjegoi se hetimi nuk ishte përqendruar vetëm në zonat periferike të kryeqytetit, Kasharit, Vorës dhe Farkës, ku deri tani sipas saj ishin siguruar prova të plota për të krijuar dyshimin e arsyeshëm për arrestimet e bëra. Ajo tha se hetimi ka një shtrirje për të gjitha ndërtesat në Tiranë të cilat janë konstatuar të pabanueshme, por pa dhënë detaje për këtë pjesë të verifikimit.

E pyetur nga BIRN për mungesën e rezultateve të hetimit për pjesën qendrore të bashkisë së Tiranës, Imeraj tha se hetimi vazhdonte për çdo ndërtesë edhe në qendër edhe në periferi.

“Është konkluduar vetëm për atë pjesë që kemi akte ekspertimi. Presim aktet për pjesën tjetër dhe do veprohet në të njëjtën mënyrë”, shpjegoi Imeraj.

Interesimit të BIRN lidhur me indetifikimin e përgjegjësve për dëmtimet në pallatin nr.159 në Kombinat, ku sipas banorëve pasojat kanë ardhur nga ndërhyrja e kryer nga Bashkia e Tiranës në katin e parë për të ndërtuar një qendër për të moshuarit, Imeraj u përgjigj se edhe ky pallat ishte objekt hetim, por se pritej ende ekspertiza.

Ndërkohë, prokurori Erion Imeraj nënvizoi se hetimet ishin përqendruar në zonat periferike të bashkisë sepse dëmtimet atje kanë qenë më të mëdha.

“Përsa i përket hetimeve ato janë shtrirë në zonën e Vorës, Kasharit dhe të Farkës, ku dëmtimet kanë qenë më të mëdha nga tërmeti,” tha ai.

“Po vazhdon hetimi në njësinë administrative të Dajtit dhe në Bashkinë e Kamzës dhe njësi të tjera administrative të cilat janë evidentuar me probleme në ndërtim ose qoftë edhe me sinjalizim nga shtetasit e ndryshëm që kanë pësuar dëmtime në objekte”, shtoi Imeraj.

Ai ju shmang pyetjes së gazetarëve nëse po hetohej për zyrtarë të Bashkisë së Tiranës lidhur me pasojat e sjella prej tërmetit në zonën qendrore të bashkisë e cila është drejtuar ndër vite nga kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës Lulzim Basha.

“Ky është një informacion që nuk mund ta japim në këtë moment,” tha Imeraj.

“Deri tani personat të cilëve u kemi atribuar faktet penale, janë personat e ndaluar, persona të tjerë nëse ka ose do ketë, nuk është momenti”, shtoi Imeraj, ndërsa shtoi se nuk kishte dijeni që të ishte dëmtuar edhe godina e Kryeministrisë.

Mundësia e parashkrimit

Avokati Ramiz Billa gjithashtu deklaroi se nuk kishte prova për akuzën e ngritur ndaj të mbrojturve prej tij, emrat e të cilëve nuk preferoi t’i bënte publik, duke nënvijëzuar se faktet për të cilat akuzoheshin ishIN parashkruar.

“Është akuzë e pabazuar në prova e fakte. Kanë ngritur një akuzë në grup për një objekt që është ndërtuar në vitin 2006. Vepra kryesore për të cilën akuzon prokuroria është ajo e falsifikimit. Ndërkohë që kjo vepër penale lidhur me ndërtimin e pallatit në vitit 2006 është parashkruar”, tha Billa, i cili shtoi se të dyshuarit janë thirrur në polici pa u pyetur kurrë më parë dhe janë ndaluar, ose u kanë shkuar ti arrestojnë në banesa.

Të proceduarit nga prokuroria akuzohen për veprat penale “shpërdorim detyre”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “ndërtim i paligjshëm”.

Veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “falsifikimi i dokumenteve” parashikojnë dënimin maksimal nga shtatë vjet burgim secila, ndërsa “ndërtimi i paligjshëm” dënimin nga tre deri në tetë vjet burgim, kur ka sjellë pasoja të rënda apo është kryer për qëllime përfitimi.

Ndërkohë, në nenin 66 të Kodit Penal, “parashkrimi i ndjekjes penale”, pika (c) parashikohet se nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar “dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim”. Bazuar në këtë nen të Kodit Penal, të ndaluarit të cilët akuzohen për veprat penale të sipërcituara, nëse i kanë konsumuar ato para janarit të vitit 2010 ka gjasa ti shpëtojnë përgjegjësisë.

Prokurori Erion Imeraj deklaroi gjaë konferencës për shtyp se organi akuzës do të verifikojnë në vazhdimësi nëse ka ndonjë rast të parashkrimit, por nuk dha detaje nëse të arrestuarit ishin ndaluar për paligjshmëri të kryera para vitit 2010 ose të mëvonshme.

Hetimi i prokurorisë

Prokurori Imeraj sqaroi gjatë konferencës për shtyp se janë disa subjekte nën hetim, kryesisht ata që kanë pasur apo kanë funksione publike në njësitë administrative apo ish-komunat e Tiranës. Mes të proceduarve janë edhe ish-kryetari i ish-Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku dhe ish-kryetari i ish-Komunës Yzberisht, Besnik Fuçia. Në pranga ka rënë edhe ndërtuesja Vjollca Hoxholli që sipas prokurorisë ka dalë nga projekti fillestar i pallatit dhe se ka mungesë dokumentacioni.

Prokurori Imeraj tha se janë proceduar edhe subjektet të cilët janë nënkontraktorë apo drejtues ligjorë e teknikë të firmave të ndërtimit, si edhe individë privatë të cilët për shkak të përshtatjes së godinave të vjetra të para viteve ’90 kanë kryer punime, kryesisht në katet e para.

“Lidhur me shkeljet vlen të theksohet se funksionarët e ish-komunave kanë dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin dhe në mungesë të theksuar dokumentacioni teknik dhe ligjor,” tha Imeraj.

Sipas Prokurorisë në lejet e dhëna nga këto ish-zyrtarë mungojnë studimet sizmologjikë, të cilat për një kategori ndërtesash, ato mbi shtatë kate është akt i domosdoshëm. Mungojnë në disa dosje oponencat teknike në lejet e ndërtimit të dhëna nga këto njësi; mungojnë procesverbalet të përfundimit të punimeve të objektit; mungojnë procesverbalet e përfundimit të karabinave të objektit dhe dokumente të tjera teknike. Kurse për objektet e legalizuara prokurori Imeraj tha se mungojnë aktet për qëndrueshmërinë e tyre duke i cilësuar ato si të domosdoshme.

Më tej ai shpjegoi edhe shkeljet e kryera kryesisht nga të punësuarit prej shoqërive të ndërtimit.

“Për drejtuesit ligjorë dhe teknikë të subjekteve dhe nënkontraktorëve, vlen të theksohet se ka shkelje nga ana e tyre, ka mangësi në aktet e kolaudimit të objektit,” tha Imeraj, duke shtuar se në disa raste mungon fare ky akt, apo nuk gjendet në dosje.

Prokurori nënvijëzoi se në dosjet e këtyre objekteve ka mangësi edhe të dokumenteve të tjera, përfshirë aktet e marrjes në dorëzim të shesheve të ndërtimit; aktet e piketimit të objekteve të konfirmuara nga zyra e urbanistikës; procesverbali i gërmimit për miratimin e tabanit të themelit i shoqëruar me fotografitë; procesverbalet e betonimit të themelit; procesverbalet e lidhjes së hekurit; procesverbalet e kryerjes së provave për betonet; procesverbalet e provave të hekurit të përdorur në objekt; certifikatat e cilësisë së punimeve që janë për materialet e përdorura dhe një sërë aktesh.

Sipas prokurorisë, në disa raste mungon edhe leja e shfrytëzimit të objektit dhënë nga njësia administrative përkatëse. Kurse në objektet e ndërtuara para viteve ‘90 ka dëmtime që kanë cënuar strukturën dhe kollonat e objekteve me qëllim për ti përshtatur ato për ambiente shërbimi apo biznese të ndryshme.

Në fund të konferencës për shtyp, prokurori Alket Mersini dhe drejtuesja Elisabeta Imeraj u bënë thirrje qytetarëve që u janë dëmtuar banesat, për të cilat nuk është kryer ende kallëzim penal, të shkojnë dhe të kryejnë denoncimet përkatëse./Reporter.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here