Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, 21 vite nga sot, forcat serbe hynë shtëpi më shtëpi në Reçak, ndanë meshkujt më vete dhe më pas ata u gjetën të ekzekutuar në një luginë mbi fshat. Besohet se urdhëri për kryerjen e masakrës doli direkt nga zyra e Milloshevicit. Fillimisht, forcat serbe refuzuan të lejojnë mbikëqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe deklaruan se të gjitha viktimat ishin anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky pretendim u rrëzua pas mbërritjes në terren të Misionit Vëzhgues të OKB-së kryesuar nga William Walker. Më 16 janar ish-shefi i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ambasadori William Walker e cilësoi atë krim kundër njerëzimit. “Nga ajo që unë personalisht kam parë, nuk hezitoj ta përshkruaj ngjarjen si një masakër, padyshim një krim kundër njerëzimit. Bota duhet ta dënojë këtë mizori”, tha atë kohe ambasadori Walker.
Më pas forcat serbe i kishin marrë trupat e të vrarëve dhe i kishin dërguar në Prishtinë në institutin e mjekësisë ligjore dhe vetëm pas një muaji ishte bërë i mundur varrimi i tyre.
Beogradi e shpalli ambasadorin Walker person të padëshirueshëm ndërsa nuk lejoi hyrjen në Kosovë të ish prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, Louise Arbour.
Masakra e Reçakut shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe më 6 shkurt përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.
Më 15 mars të viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë u nënshkrua nga përfaqësuesit e Kosovës por u refuzua nga Beogradi dhe më 24 mars NATO-ja filloi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e trupave të aleancës dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.