Standard.al

Zëri i Amerikës: Nuk jemi në kohën kur qeveria ndikon politikën editoriale, jemi në kohën kur qeveria kontrollon në mënyrë tërësore politikën editoriale

0

Nga Zëri i Amerikës 

 

Media në Shqipëri pritet të ndeshet gjatë këtij viti me një terren në vështirë përballë propagandës në rritje të zyrtarëve dhe ngushtimit të hapësirave të lirisë për informim dhe raportim. Konstatimi vjen nga grupimet e gazetarëve dhe të shoqërisë civile, që thonë se media po funksionon përmes një sistemi të deformuar, për shkak të ndërthurjes se interesave financiare të disa pronarëve me pushtetin politik. Drafti anti-shpifje i qeverisë, që kritikohet njëzëri nga komuniteti i gazetarëve dhe institucionet ndërkombëtare, me argumentin se ngushton hapësirat e informimit dhe raportimit në mediat on-line, erdhi në një moment kur këto media po sfidonin lajmet që prodhohen dhe shpërndahen nga zyrat e shtypit, thonë gazetarët.

Spektri mediatik shqiptar vlerësohet nga analistë, gazetarë dhe pjestarë të shoqërisë civile, të jetë nën trysninë e vazhdueshme të zyrtarëve të veshur me pushtet. Informaliteti në media, propaganda qeveritare dhe ngushtimi i hapësirës së informacionit dhe raportimit janë sot problemet më shqetësuese.

Analisti Fatos Lubonja argumenton se ka një vetëdorëzim të medias, pasi ato nuk janë produkt i tregut të lirë, por i bizneseve të pronarëve.

“Vetëdorëzimi është i qartë, ka të bëjë me konfliktin e interesit që kanë pronarët e mediave, të cilët duhet të mbrojnë interesat e bizneseve të tyre. Mirëpo këtu ka një konflikt, sepse nga një anë rritja dhe mbajtja në këmbë e biznesit në Shqipëri është bërë gjithë e më e pamundur pa mbështetjen e qeverisë, pa tenderat që jep qeveria, pa lejet e ndërtimit, lejet e ndryshme, konçensionet. Dhe pa dyshim që qeveria pastaj përmes kësaj kapje, që i ka bërë ekonomisë, ushtron presion mbi produktin tjetër, që duhet të prodhojnë mediat që është informacioni”, argumenton Fatos Lubonja, analist.

Gazetari i BIRN Gjergj Erebara thotë se numri i gazetarëve aktivë është në rënie dhe se redaksitë në media të ndryshme janë në tkurrje, për shkak të zvogëlimit të buxhetit të reklamave dhe ndërthurjes se interesave financiare të disa pronarëve të medias me pushtetin politik.

“Tregu shqiptar është i dominuar nga shumë pak reklamues të mëdhenj, përsa i përket televizioneve. Gazetat, që janë kontribut i qytetarit drejtpërdrejt, në financat e një media, është në rënie drastike, drejt asgjë​simit total. Gjatë vitit të kaluar u mbyll dhe gazeta Shekulli print, që ishte një nga gazetat më të vjetra në vend”, – thotë Gjergj Erbara, gazetar i BIRN.

Dhe kjo gjendje ka sjellë përparimin e propagandës së zyrtarëve, thonë gazetarët. Informacioni dhe raportimi është zëvendësuar me prodhimin e lajmeve të realizuara nga zyrat e shtypit, pohojnë ata.

“Propaganda zyrtare determinon informacionin dhe raportimin në media. Më së shumti kjo është e ndikueshme si e tillë mbi median tradicionale, të cilat aktualisht kanë dhe pjesën më të madhe të tregut mediatik të Shqipërisë”, shprehet Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Analisti Fatos Lubonja kur flet për rritjen e propagandës së qeverisë ka parasysh televizionin e kryeministrit ERTV.

Ky është një nga skandalet dhe turpet më të mëdha të Shqipërisë, ku kryeministri krijon në zyrat e tij televizionin e tij, që prodhon vazhdimisht lajmet siç do vetë, si edhe shpërndan lajmet në gjithë televzionet e tjera private dhe publike”, thotë Fatos Lubonja, analist.

Gjatë seancës parlamentare në dhjetor ku u miratua drafti antishpifje i qeverisë, kryeministri Edi Rama kishte këtë përgjigje për kritikët e propagandës përmes televizionit me emrin e tij.

“Vetëm një të mirë ka kjo zhurmë, që bën publicitet për ERTV-në . “Televizion” – thotë! Mjafton të vesh një logo në një faqe video të Facebook-ut dhe ta quajnë televizion. Ky është qëllimi në fakt që ta quajnë televizion dhe ta ndjejnë konkurrent, ndërkohë që ERTV nuk pranon publicitet dhe nuk merr para nën dorë dhe kushton 100 herë më pak se portali më irrelevant, por është çështje vizioni dhe inteligjence, nuk është çështje parash”, – tha kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar.

Interesit të “Zërit të Amerikës” mbi shqetësimet e komunitetit të gazetarëve dhe shoqërisë civile për propagandën në rritje të zyrtarëve të qeverisë, për produktin e gatshëm që u ofrohet mediave nga televizioni i kryeministrit ERTV, kostot e tij dhe faktin se kush i mbulon ato, zyra e shtypit pranë kryeminstrit nuk iu përgjigj.

Gazetarët mendojnë se zyrat e shtypit janë prodhuesit më të mëdhenj të lajmeve të rreme në Shqipëri.

Drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj thotë se gjatë punës së saj gjen gjithnjë e më pak hapësirë transparence në zyrat dhe faqet online të institucioneve, sidomos kur interesohet për menaxhimin e parave publike.

“Do të sjell një shembull. Agjensisë së Prokurimeve Publike ne i dërgojmë vazhdimisht kërkesa për informacion për dokumenta që janë në faqen e tyre por që nuk klikohen, ose nuk janë të aksesueshme, ose mungojnë tabela të tëra të cilat afishohen si tabela të mundshme për publikim, apo për tenderat, të cilët i kanë vetëm në një periudhë dy-tre javore dokumentacionin on line. Dhe cila është përgjigja e tyre? Është që ky dokumentacion dhe gjithçka tjetër është e aksesueshme në buletin. Ne e dimë shumë mirë​ që buletinet janë formate krejt të shkurtuara dhe detyrimi për t’i publikuar në​ faqen elektronike është krejt i ndryshëm”, – shprehet Aranita Brahaj, drejtore e Open Data Albania.

Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë mendon se në momentin që qeveria u ndje e kërcënuar nga mediat e reja on-line, vendosi të miratojë ligjin antishpifje i cili detyron AMA të marrë rolin e gjykatës dhe mediat ta paguajnë gjobën pa shkuar në gjykatë, që praktikisht, sipas zotit Çipa, do të thotë mbyllje e tyre.

Kryeministri Rama gjatë prezantimit të draftit në parlament, kishte këtë qëndrim ndaj kundërshtarëve të draftit.

“AMA nuk zëvendëson gjykatën. Ndërkohë që nuk ekziston mbyllja. Thjesht nuk ekziston. Kush thotë që ky ligj mbyll portalet gënjen. Nuk ka lexuar ligjin”, – tha kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare në dhjetor të vitit kaluar.

Ndërkohë gazetarët i kujtojnë shefit të qeverisë kritikat për draftin anti-shpifje nga institucionet ndërkombëtare, edhe pse ai mbrojti idenë se paketa ligjore kishte mbështetjen e OSBE-së, duke nënvizuar se paragrafi i pagesës së gjobës pa shkuar në gjykatë nuk është ndryshuar.

“Drafti e ka lënë në fuqi këtë gjë, që kryhet veprimi përmbarimor i penalitetit financiar dhe pastaj ti ke të drejtë ta vazhdosh proçesin në rrugën gjyqësore”, shprehet Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Analistët dhe gazetarët i shohin përpjekjet e qeverisë për miratimin e draftit anti-shpifje si vazhdimësi e vullnetit të mbrapshtë për të kontrolluar mediat.

“Nuk jemi në kohën kur qeveria ndikon politikën editoriale, jemi në kohën kur qeveria kontrollon në mënyrë tërësore politikën editoriale”, – thotë Gjergj Erebara, gazetar i “BIRN”.

Presidenti Ilir Meta të dielën e ktheu draftin antishpfije të qeverisë në parlament për rishqyrtim, me argmumentin se bie ndesh me parimet kushtetuese, ndërkohë që Unioni i Gazetarëve paralajmëron që nëse shumica qeverisëse nuk tërhiqet, do ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Në këto kushte media pritet të ballafaqohet gjatë këtij viti me një terren të vështirë, në përpjekje për të ruajtur të pacunguar informacionin dhe raportimin, përballë propagangës dhe tentativave të pushtetit politik për ngushtimin e hapësirës së lirisë së medias në Shqipëri.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.