Zëri i Amerikë për ekstradimin e “gylenistit”: Ende mister procedurat e ndjekura nga autoritetet shqiptare

0
92

Procedurat e ndjekura nga autoritetet shqiptare ndaj shtetasit turk Harun Çelik, i larguar nga vendi i tij si mbështetës i lëvizjes Gylen, për shkak të kërcënimeve ndaj jetës, mbeten ende mister. As avokatët shqiptarë që e mbrojtën 42-vjeçarin me profesion mësues, në përballjen gjyqësore, pasi u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente falso duke udhëtuar drejt Kanadasë, nuk e kanë të qartë se për çfarë arsyesh dhe mbi ç’bazë ligjore ai u mor më 1 Janar nga autoritetet e Emigracionit dhe Kufirit, dhe po atë mbrëmje me shpejtësi e hipën në avionin e linjës Air Albania drejt Stambollit. Për këtë, ata kanë kërkuar zyrtarisht informacion, se çfarë ka ndodhur me klientin e tyre, fakt që shton dhe më shumë pikëpyetjet mbi veprimet e palës shqiptare.

Mbi rastin nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar. Ndërsa i pyetur nga “Zëri i Amerikës”, zëdhënësi i policisë, Gent Mullaj, tha se “ky shtetas është kapur me dokumenta fallco në dalje në Rinas dhe për këtë u dënua. Në bazë të ligjit për të Huajt, janë bërë proceduarat ligjore për largim nga Shqipëria”. Zoti Mullaj përdor termin “largim”, i parashikuar në ligjin për të Huajt, i cili përcakton dhe rastet se kur ushtrohet kjo masë. Mbetet e paqartë se ku përfshihet rasti i 42-vjeçarit, por sidoqoftë, ligji parashikon një afat kohor disa ditor për ekzekutimin e urdhërit të largimit, ndërkohë që Harun Çelikut nuk i janë lënë as disa orë. Sapo ka përmbyllur procedurat e daljes nga burgu, ai është marrë nga autoritetet e Emigracionit dhe Kufirit, që i kanë bërë të ditur detyrimin për t’u nisur drejt Turqisë. Për më tepër, i njejti ligj, njeh, përmes një neni të posaçëm, dhe të drejtën e ankimimit. “I huaji, subjekt i një urdhri largimi, ka të drejtën e ankimit administrativ dhe gjyqësor, sipas legjislacionit në fuqi”, saktëson ligji.

Në mediat shqiptare policia citohet ta ketë përshkruar rastin e 42-vjeçarit turk si një “dëbim” nga Shqipëria, duke ju referuar sërish Ligjit për të Huajt, pa specifikuar megjithatë, se në cilin nga 6 momentet e parashikuara nga legjislacioni për marrjen e masës së dëbimit, përfshihet ai i Harun Çelikut. Por sërish, në asnjë moment nuk parashikohet dëbimi i menjëhershëm, ndërsa njihet po ashtu e drejta e ankimimit. “I huaji ka të drejtë të ankimojë urdhrin e dëbimit të autoritetit përgjegjës për kufirin dhe migracionin,sipas legjislacionit në fuqi”, përcakton një nen i posaçëm i ligjit, i cili në një pikë tjetër të tij saktëson se “deri në përfundimin e procedurës së ankimit, i huaji mbahet në kushtet e masave alternative të mbikëqyrjes ose në qendrën e mbyllur, në pritje të largimit të menjëhershëm, sipas urdhrit të nxjerrë për këtë qëllim”. Ndërsa 42-vjeçarit turk, siç pohojnë dhe mbrojtësit e tij ligjorë, nuk i është lënë asnjë mundësi e tillë.

Njëri prej avokatëve, Alban Bengasi i ka thënë “Zërit të Amerikës” se “zoti Çelik u kërkoi zyrtarëve azil politik por kjo iu refuzua nga autoritetet e policisë së burgjeve.” Ai shpjegoi se këtë kërkesë ai e ka bërë në prani të një përkthyesi, por drejtuesit e burgut i kishin thënë se do të duhej ta bëntë një gjë të tillë kur të lirohej, gjë që nga avokati shihet si një shkelje e të drejtave të klientit të tij.

Veprimeve të dyshimta të autoriteteve shqiptare, ju shtuan dhe njoftimet e mediave turke se dërgimi në Turqi i Harun Çelikut ishin një operacion i kryer nga shërbimet sekrete turke për kapjen e një anëtari të FETO-s, inicialet me të cilat tregohet në Turqi, lëvizja e Fetullah Gulenit e konsideruar një organizatë terroriste nga Erdogani. Policia shqiptare nuk ka komentuar njoftimet e shtypit turk, ndërsa

Endri Fuga nga zyra e kryeministrit, duke folur pak ditë më parë për “BIRN” tha se se “shtetasi në fjalë është një individ që ka hyrë me dokumente fallco në Shqipëri dhe si i tillë është përzënë nga vendi, ashtu siç [ndodh] me këdo e kudo. Të tjerat janë përralla që s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën dhe me qeverinë e Shqipërisë,” tha Fuga.

Pikëpyetjet mbi shkeljet e mundshme të detyrimeve ndërkombëtare dhe të vetë legjislacionit vendas, nga ana e autoriteteve shqiptare, për t’i bërë, me gjasë, një favor udhëheqësve turq, ushqehen dhe nga marrëdhëniet e veçanta që kryeministri Edi Rama ka me presidentin turk Erdogan. Zyrtarë të lartë turq që kanë vizituar Shqipërinë në mënyrë të përsëritur kanë ngritur çështjen e ndëshkimit të “gylenistëve” që mund të strehohen në territorin shqiptar. Më 26 korrik të vitit të kaluar, ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu, i deklaroi mediave të vendit të tij në përfundim të vizitës në Tiranë se kishte diskutuar me homologun e tij shqiptar Sandër Lleshaj dhe kryeministrin Rama për “luftën ndaj FETO-s” dhe se ishte “i kënaqur nga qasja e autoriteteve shqiptare për këtë çështje”. /Voa/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here