Standard.al

“Zyrtarë të lartë janë përfshirë në skemë manipulimesh”/ Bardhi: Pas Durrësit dhe Dibrës, edhe Kruja në hetim për vjedhje votash

0

Numri dy i PD-së, Gazment Bardhi konfirmon hetimet nga ana e Prokurorisë së rrethit të Krujës dhe flet për përfshirje të zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste edhe pse për momentin shmang emrat.

“Ka zyrtarë të lartë në nivel qendror dhe lokal të PS që janë përfshirë në një skemë të manipulimit të votimeve nëpërmjet blerjes se votës apo përdorimit te emigrantëve për votime fiktive në zgjedhjet moniste të 30 qershorit”, shprehet Gazment Bardhi për Top-Channel.

Zyrtari demokrat kërkon nga SPAK nisjen e hetimeve për krime elektorale edhe në Tiranë duke u ndalur tek rasti i Hermes Nikajt, të njohur me nofkën “Zogu i Tiranës”, i kapur në përgjime për shitblerje vote me një mikeshën e tij moderatore.

“Thirrja ndaj SPAK të nisë hetimet për të vënë para përgjegjësisë cilindo që ka ndërtuar skemë të manipulimit të votave në 30 qershor”, shton Bardhi.

Por, a besojnë demokratët se SPAK do të bëjë drejtësi, ku vetëm pak ditë më parë akuzuan kreun e kësaj strukture, Arben Kraja, për të shkuarën e tij në periudhën e komunizmit.

“Prokurorët që janë evidentuar në takime me përfaqësues të lartë të qeverisë apo si hetues të komunizmit, duhet të tërhiqen nga SPAK për hir të besueshmërisë”, tha ai.

Viti i ardhshëm politik i demokratëve do të nisë dyerve të drejtësisë më kallëzime pranë SPAK për qeverinë.

“Në fillim të janarit do kemi depozitime të kallëzimeve nga PD për afera korruptive të kësaj qeverie”, shton më tej Bardhi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.