Tirana, kryeqyteti europian i rinisë, që po i ikin të rinjtë nga sytë këmbët

0
142

A ka mbetur kush pa i parë këto pamje? Kapërcimet e mureve të ambasadave, varjet për fije të jetës nëpër direqe anijesh, përndjekje me qen e uniforma në përpjekjen për të rrëzuar simbolin e diktaturës.

Shqiptarët e përsëriten eksodin masiv në marsin e vitin 1991, përmes portit të Durrësit, e tentuan edhe një herë pas pranverës famëkeqe të vitit 1997, e provuan me skafe e gomone, duke u ndeshur me vdekjen për çdo natë e duke ju dorëzuar asaj në dhjetëra raste, me përfundim në varrin masiv të thellesive të Adriatikut e Jonit.

Po e provojnë sot, me llotari, me kërkesa të vazhdueshme për azil; po ikin prej një vendi, për fat të pozicionuar gjeografikisht në zemër të Europës, me burime natyrore dhe klimë të admirueshme.

A është shpallur Tirana, kryeqyteti europian i rinisë për vitin 2022? Atëherë, çfarë i detyron të rinjtë e shtetit me kryeqytet europian të rinisë të kërkojnë vazhdimisht të ikin?

Ky “Wind of change” duket sikur s’paska fryrë si duhet veç për ne, vendin e fundit diktatorial të Bllokut tëq Lindjes.

Për këtë “erë ndryshimesh” duhet të udhëtosh nga Podgorica, sepse një ndër aeroportet më të shtrenjtë në botë që për ironi mban emrin e “Nënë Terezës”, ofron bileta me çmime të çmendura.

Dhe sërish për ironi, në të njëjtën datë që Shqipëria përuron stadiumin e ri me kapacitet thuajse 20.000 vende, në një show ku himni kombëtar copëtohet, e dhjetëra incidente ndodhin, ti gjendesh në korin e Pallatit të Sportit në Budapest, me të njëjtin kapacitet, duke kënduar “Wind of change”.

Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye për të mos e dashur Shqipërinë; shqiptarët ikin për të vrarë mungesën e meritokracisë, shqiptarët ikin se vazhdojnë të mos jenë të lirë në shprehjen e mendimeve të tyre; shqiptarët ikin se janë ende të uritur në sistemin kapitalist dhe ekonominë e tregut që e kërkuan me ngulm në vitet ’90; shqiptarët ikin se bërtasin ende si afro 30 vjet më parë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”; shqiptarët ikin se janë ende të pazotë të marrin në dore fatin e tyre; shqiptaret ikin sepse ja kanë lënë në dorë Shqipërinë kujtdo tjetër, përveçse shqiptarëve.

Shqiptaret ikin sepse as kujtime s’u kane mbetur më. Edhe ato, një copëz perëndim, me të cilin dikur lepiheshin radiove e antenave me kanoçe po shkojnë t’i gjejnë në Malin e Zi a në Maqedoni.

/ Nga Kozeta Kurti – Ora News

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here