Deklarata bombë e Henze : Tërmeti ‘nxori zbuluar’ mënyrën e qeverisjes. Zgjedhjet nxjerrin Shqipërinë nga kriza

0
100

EKSKLUZIVE PËR SHTV

Përshëndetje z. Henze!
Jeni sërish në Shqipëri, e cila po kalon një situatë të rëndë për shkak të tërmetit, situatë të cilën për ta kaluar duhet një plan kombëtar. Në Shqipëri më 21 shtator ne kishim një ngjarje të përafërt. A po shohim një shmangie nga përgjegjësitë?
Henze: E rëndësishme është që të themi se përgjegjësinë politike në çdo situatë, si në situata katastrofe natyrore, si në situata normale, e ka padyshim qeveria. Për raste fatkeqësish natyrore, si ky tërmet, Qeveria duhet të ketë një strukturë të posaçme të mirëorganizuar, të ketë mjetet e duhura, njerëzit që dinë kur edhe si të veprojnë. Ne për shembull në Gjermani kemi një organizatë që quhet organizata teknike e ndihmave, e cila është një organizatë paralele me shërbimin zjarrfikës, e shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë vendin, e cila shërben në raste të tilla fatkeqësish natyrore, e mirëpajisur me mjetet e duhura dhe personelin e mirëtrajnuar për mënyrën e veprimit.
Përsa i përket rastit të tërmetit fatkeq në Durrës, vlen të evidentohet përkushtimi dhe puna e palodhur e atyre njerëzve të emergjencave civile, të cilët bënë të pamundurën edhe pse nuk kishin mjete, nuk kishin dorashka, nuk kishin skafandra, apo mjete të tjera të nevojshme për kësi rastesh. Kjo duhet vlerësuar. Por, nga ana tjetër, referuar faktit që këto struktuara ishin lënë në këtë gjendje, pa mjetet e nevojshme, padyshim që dikush duhet të marrë përgjegjësi. Në rastin e Durrësit, për shembull, përgjegjësinë e mbajnë së bashku, pushteti vendor aty, e po ashtu pushteti qendror. Në rastin konkret, si në pushtetin vendor dhe në atë qendror, është i njëjti grupim politik që drejton, i cili në mënyrë të pashmangshme ka edhe përgjegjësinë politike.
Dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjarët e viktimave dhe solidarizohem me ta dhe të gjithë qytetarët e tjerë të prekur nga kjo fatkeqësi.
Çollaku: Ndërkohë kreu i opozitës dhe përfaqësuesit e tjerë të saj i kanë kërkuar qeverisë të anulojë koncesionet për këtë vit dhe këto para t’i kalojë për rindërtim. Qeveria e ka refuzuar këtë kërkesë. A duket si e marrë peng nga këto grupe interesi?
Henze: Nga sa kemi parë ne nga jashtë një pjesë e madhe e projekteve PPP, për të mos thënë të gjitha, kanë shumë problematika dhe nevojitet një verifikim i thellë dhe i hollësishëm i tyre. Thënë këtë, është qeveria ajo që ka përgjegjësinë politike, si për menaxhimin e situatës për të ndihmuar qytetarët e dëmtuar, e po ashtu për të plotësuar kushtet dhe nevojat e ekipeve të emergjencës civile. Të mos harrojmë që mirë apo keq, kjo qeveri është votuar nga shqiptarët. Këta njerëz që i kanë dhënë votën, i kanë dhënë besimin kësaj qeverie, sot ndodhen në mes të katër rrugëve për shkak të fatkeqësisë natyrore. Qeveria e ka për detyrë t’i ndihmojë këta njerëz, të bëjë të mundur që këta njerëz, të mos flenë në çadra, apo më keq akoma të rrinë jashtë në të ftohtë, por të sigurojë kushtet e duhura për një jetesë normale, duke eliminuar pasojat që patën nga tërmeti. Zoti Rama nuk duhet të presë vetëm ndihma nga jashtë dhe të thërrasë vazhdimisht: Kemi nevojë për ndihma! Shqipëria, si çdo vend i botës, duhet të ketë menduar një fond të sajin për raste fatkeqësish natyrore dhe emergjencash civile. Padyshim, nëse vërehet më pas pamjaftueshmëri e fondeve, për shkak të prioritetit që ka përballimi i emergjencës civile, nëse është e mundur nga ana ligjore që projektet PPP të ndalin funksionimin për një periudhë të caktuar kohore, padyshim që kjo duhet bërë.
Më lejoni të shtoj edhe diçka lidhur me pyetjen tuaj, përsa i takon përgjegjësisë politike të qeverisë dhe kryeministrit Rama. Emergjenca civile, fatkeqësi natyrore ka në mbarë botën, por e rëndësishme është të shihet dhe kontrollohet se çfarë ka bërë kjo qeveri në pesë-gjashtë vitet e fundit lidhur me përballimin e situatave të emergjencave civile dhe çfarë masash ka marrë ajo për t’u mbrojtur nga këto fatkeqësi, për të bërë planifikimet e nevojshme dhe për të pasur struktura të mirëorganizuara. Nëse rezulton se nuk është bërë asgjë për të përmirësuar sistemin e emergjencave civile , atëherë me të drejtë populli duhet të pyesë: A duhet më të qëndrojë në pushtet kjo qeveri e drejtuar nga Rama, apo ka nevojë për ndryshim, për një qeveri të re, e cila të përmbushë detyrat edhe për forcimin dhe përmirësimin e strukturave të emergjenca civile.
Çollaku: Makron para pak ditësh është shprehur që BE nuk është gati për një zgjerim të mëtejshëm, duke paralajmëruar një “Jo” për Shqipërinë edhe në vitin 2020. Ndërkohë, a shihni përpjekje të qeverisë Rama për plotësimin e nëntë kushteve të Bundestagut?
Henze: Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’i bëjë vetes çdo shqiptar. Çështja është jo vetëm që Gjermania dhe Franca kanë formuluar diçka ndryshe për Shqipërinë, por të gjitha vendet e BE kanë arritur në të njëjtin përfundim se Shqipëria ka ende detyra të rëndësishme për të bërë. Ajo që vihet re është mungesa e reagimit nga ana e qeverisë, ndaj faktit se Shqipëris iu tha dy herë jo brenda një viti, jo vetëm nga Gjermania dhe Franca, por nga e gjithë Evropa, si në maj-qershor, po ashtu në tetor.
Kjo nuk ka ndodhur për faj të Evropës apo Makronit, siç dikush dëshiron me dashakeqësi apo me naivitet të thotë, por ka ndodhur për faj të qeverisë shqiptare, dhe për shkak se detyrat që Evropa i ka vënë Shqipërisë nuk po zbatohen. Më lejoni t’ju jap një shembull të thjeshtë që të mund të kuptohet më gjerësisht. Nëse ti, unë apo dikush tjetër është në shkollë a universitet, padyshim duhet të bëjhë detyrat e shtëpisë a të kursit, provimet gjithashtu. Nëse ky dikush, apo unë, nuk bëj detyrat e shtëpisë, nuk përgatitem dhe ngel në provime, nuk mund të pretendojë në fund që të marë diplomën e universititetit. Ndaj, asnjë nga njerëzit e mi nuk mund të më thotë mua se e ka fajin universiteti apo shkolla që nuk po merr diplomën. Pra, faji është tek unë që nuk kam arritur të mësoj, ose që nuk jam përkushtuar të kryej detyrat e shtëpisë. Kjo po ndodh edhe në këtë rast. Rama e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë. Qeveria shqiptare, shteti shqiptar e di shumë mirë se çduhet të bëjnë. Detyrat janë aty, ata ose nuk duan ose nuk kanë mundësi t’i bëjnë këto detyra. Më lejoni të shtoj edhe diçka. Është shembullimi i mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese prej një kohe të gjatë, nuk ka sesi Evropa të pranojë një gjë të tillë. Kapitujt e parë të negociatave kanë të bëjnë pikërisht me shtetin e së drejtës, por në kushtet kur në Shqipëri nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe shkelet Kushtetuta, nuk mund të pretendedosh për shtet të së drejtës, drejtësi apo demokraci. Në përfundim, nuk mund të thuhet se Makroni ka thënë kështu apo ashtu. Për mendimin tim është e gjithë Evropa që e mbështet këtë qëndrim, dhe Makroni flet me tagrin e përfaqësusit të Bashkimit Evropian.
Rama apo qeveria, apo kushdo tjetër nuk mund të kritikojnë Makronin. Është e papranueshme të kritikohet një përfaqësues i Bashkimit Evropian për të bërë të duket sikur është ai problemi që Shqipëria nuk po ecën para në rrugën e anëtarësimit.
Kjo është një qasje e gabuar që më shumë problem do të hapë sesa do të zgjidhë gjë. Shqipëria ka pasur mjaft kohë këto pesë-gjashtë vitet e fundit në mënyrë që të zgjidhë këto probleme apo të plotësojë kushtet e vëna. Por, shihni për shembull se edhe kjo fatkeqësi e madhe që ra dëshmoi se Shqipëria, qeveria shqiptare nuk ka ndërtuar strukturën e duhur për ta përballuar dhe nuk i ka përmirësuar dhe forcuar kapacitetet e duhura për këtë qëllim. Dihet prej shumë kohësh që Shqipëria është një zonë me rrezikshmëri të lartë sizmike. Nuk duhej të ndodhte tërmeti që të peshoheshin këto gjëra. Strukturat e posaçme, mjetet e posaçme, organizimi i posaçëm, duhej të ishin gati. Nuk duhej pritur të ndodhte tërmeti për t’u kuptuar kjo.
Çollaku: Në intervistën që ju mora disa muaj më parë keni thënë se së shpejti Shqipëria do të ketë probleme me financat, madje nuk do të ketë para të paguajë rrogat, pensionet. Kjo vështirësi po ndodh. Kishit informacion për këtë, apo kishit analizuar të dhënat?
Henze: Nuk është fare e vështirë për të dalë në këto përfundime. Në një vend normal apo demokratik, këto gjëra mund të shihen fare lehtësisht me statistika. Por, në rastin e Shqipërisë unë personalisht nuk i besoj statistikave që jep Instituti i Statistikave, për shkak të përvojës me vendet autokratike apo socialiste, ku statistikat janë thellësisht të manipuluara apo false. Nëse sjell shembullin e Greqisë më 2010 apo 2011, ku statistikat nuk thanë të vërtetën, edhe pse në një vend me demokraci të konsoliduar, dhe do të bëj krahasim, si mund të them që në Shqipëri statistikat janë të vërteta? Unë nuk e besoj këtë. Ja për shembull qeveria Rama përpiqet të na tregojë që Shqipëria ka rritje ekonomike 3%, ndërkohë që kjo rritje nuk vërehet në Bashkimin Evropian. Vetë Gjermania ka një rritje të ekonomisë në nivelin 0.6-0.7%. Unë pyes veten: nëse Shqipëria nuk prodhon asgjë nga vjen kjo rritje, të cilën nuk e ka Gjermania që është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë. Për të parë nëse ekziston rritja ekonomike 3% mjafton të bësh një shëtitje nëpër qytetet e fshatrat e Shqipërisë e të shohësh nëse atje vërtet ka shkuar ky lek i rritjes ekonomike. Po kështu thuhet që është ulur papunësia. Unë mund të them se po, kjo është e vërtetë sepse shqiptarët gjithmonë e më shumë po largohen nga vendi, dhe kur bie numri i shqiptarëve që kërkojnë punë, padyshim që bie niveli i papunësisë.
Më lejoni të përsëris veten e të them se nëse kollitet ekonomia e Gjermanisë dhe Francës, në Shqipëri ekonomia kalon një grip të fortë me temperaturë. Për më tepër nuk dihet se si do të reagojë ekonomia evropiane me Brexit-in më 2020. Unë nuk besoj që ekonomia shqiptare do të ketë një ngritje. Mbështetur në këto të dhëna Shqipëria do të ketë probleme të mëdha financiare.
Më lejoni të shtoj edhe diçka tjetër, që ka të bëjë me atë që unë e krahasoj me një sistem piramidal të qeverisë Rama për pagat dhe pensionet.
Kjo që po ndodh po shndërrohet në një ortek. Pagat dhe pensionet po financohen duke marrë kredi apo borxhe nga jashtë, duke vënë si garanci taksat e pambledhura të vitit të ardhshëm. Çfarë do të ndodhë nëse qeveria nuk mbledh sasinë e parashikuar të të ardhurave? Çfarë do të ndodhë nëse shqiptarët apo biznesi shqiptar nuk do të arrijnë për arsye të ndryshme financiare, për mosfunksionim të biznesit të tyre, të paguajnë këtë sasi taksash. I tërë sistemi do të binte në kolaps dhe shteti shqiptar nuk do të kishte mundësi të paguante borxhin, rrogat dhe pensionet. Ja për shembull në Durrës, ku do të mbyllen shumë biznese, atje nuk do të mblidhen taksa sa më parë, sepse do të bjerë produktiviteti, dhe atje ku ka rënie sado të vogël, bie edhe niveli i taksave. E kështu qeveria Rama do të futet në kolaps dhe nuk do të mundet të përmbushë as detyrimet më minimale të shtetit, pagat dhe pensionet.
Çollaku: Kryeministri ka premtuar shpesh një përballje me gazetën “Bild”, sepse ka bërë padi ndaj një gazetari që ka bërë publikime të rëndësishme për Shqipërinë, Peter Tiede. Me aq sa ju keni dijeni, a ka ndikuar kjo padi që të ketë një ndërprerje të atyre publikimeve të pritshme të investigimeve për Shqipërinë?
Henze: Shqipëria ka një numër të jashtëzakonshëm skandalesh që kanë ndodhur e që po ndodhin. Nuk i di vetëm gazeta “Bild”, i di të gjithë media evropiane dhe botërore. Në ndonjë moment të caktuar, padyshim do të dalë ndonjë skandal tjetër, për të cilin nuk ka rëndësi nëse e publikon gazeta “Bild”, ndonjë tjetër media jashtë vendit, apo brenda Shqipërisë. Nuk është vetëm gazeta “Bild” që ka publikuar skandalet e Ramës. Janë plot gazeta e media të tjera, si për shembull “Spigel”, “Zëri i Amerikës” e të tjera. Zoti Rama nëse dëshiron mund të padisë në gjykatë, jo vetëm gazetën “Bild”, por edhe të tjerat, e të shohim pastaj si do të shkojë. Tjetra, që është e rëndësishme. Kjo padi është bërë nga kryeministri i Shqipërisë, jo nga vetë Edi Rama, si person privat. Kjo për mendimin tim është e çuditshme, sepse atje nuk akuzohet i tërë shteti shqiptar, por atje akuzohen persona të cilët janë tani në qeveri. Gjithsesi, përsa i përket aktpadisë që ka bërë zoti Rama atje, kam arritur të mësoj se kjo padi nuk është ngritur pse qeveria e tij është quajtur “qeveri mafioze”, por për diçka më të vogël. Rama, padyshim ka të drejtën të padisë në gjykatë kë të dojë dhe për çfarë të dojë, por mos të harrojë se Gjermania nuk është Shqipëria, ku mund t’i bëhet presion medias së lirë. Nëse dëshiron të ngrejë një aktpadi duhet të ketë prova dhe si në çdo gjyq që bëhet në Gjermani, apo kudo në Evropë, duhet të vijë personalisht në Gjykatë të dëshmojë. E në qoftë se vjen në gjyq, duhet të vijë pa imunitetin që ka në Shqipëri dhe t’i japë një gjykatësi gjerman dëshminë e tij. Unë jam shumë kurioz, siç janë kurioze edhe mediat atje se çfarë do të dëshmojë personalisht Rama në gjyq. Sepse nëse vjen të përballet atje, do të ketë përballë media të cilat nuk mund t’i shtypë dhe t’u bëjë presione, do të përballet me një gjykatës gjerman të cilit nuk mund t’i bëjë presion.
Çollaku: Ju kam pyetur dhe herë të tjera pse ju i thoni Ramës, Mustafa Rama. Ka një ngjarje konkrete që e përafroni me këtë emërtim?
Henze: Unë i jam përgjigjur shumë shpesh kësaj pyetjeje dhe i përgjigjem përsëri. Megjithatë, nuk jam unë ai që ju duhet t’ia adresoni këtë pyetje. Këtë pyetje duhet t’ia adresoni kryeministrit Rama. Ju duhet ta pyesni kryeministrin Rama nëse ai ka qenë ndonjëherë në Gjermani, në ndonjë klinikë, në periudhën prill-maj, dhe çfarë të dhënash ka paraqitur aty. Për këto të dhëna duhet të pyesni kryeminstrin Rama dhe jo mua. Unë nuk do të përgjigjem për këtë.
Çollaku: Drejtësia në Shqipëri. Në Strasburg shumë subjekte kanë ankimuar rezultatet e procesit të vettingut, po vihet në dyshim ndoshta procesi. Është përfshirë edhe Komisioni Evropian, si palë e tretë në Strasburg. A kemi të bëjmë me një lloj presioni nga qeveria shqiptare për të mbrojtur projektin e saj, duke parë edhe debatin e madh, dhe referuar videos së fundit të nxjerrë nga Presidenti i Republikës për kontrollin e sistemit nga ana e KED?
Henze: Në vetvete reforma në drejtësi është diçka shumë e mirë. Unë jam një preson që më shumë shoh përfundimin, rezultatin, sesa procesin, por padyshim që dhe rezultati varet nga mënyra e zhvillimit të procesit. Më lejoni të them se me aq shumë sa kam parë, dëgjuar apo lexuar, në procesin e reformës në drejtësi janë bërë një numër tepër i madh gabimesh strukturore në dëm të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në Kushtetutën e Shqipërisë thuhet qartë se organi më i lartë në këtë sistem është Gjykata Kushtetuese, dhe ajo kurrsesi nuk mund të ndalë funksionimin e saj në mbrojtje të kushtetueshmërisë. Ka ndodhur e kundërta. Po kështu, edhe Gjykata e Lartë ka qenë për një kohë të gjatë jofunksionale dhe kjo ka bërë që për një kohë të gjatë të mungojë një segment tepër i rëndësishëm i shtetit të së drejtës. Si mund të ndodhë të mos zbatohen dekrete të Presidentit të Republikës sepse nuk i pëlqejnë qeverisë?
E meqë ka çështje për të cilat mund të vendosë vetëm Gjykata Kushtetuese, në tërësinë e procesit të reformës në drejtësi, duhej gjetur një mekanizëm që si Gjykata Kushtetuese edhe Gjykata e Lartë të mos e ndalnin funksionimin e tyre.
Më lejoni gjithashtu të them se kjo reform po financohet edhe nga taksapaguesit evropianë. Unë besoj se asnjë taksapagues nuk është i kënaqur që një reformë për të cilën po shkojnë taksat e tij, nuk po sjell rezultatet e duhura në drejtësi, madje në rastin më të keq, të sjellë një drejtësi të kapur.
Qeveria Rama, në rastin konkret, e cila është nga të dhëna të dokumentuara të institucioneve evropiane është e dyshuar për nivele të larta korrupsioni, e po ashtu për manipulim zgjedhjesh në vitin 2017, nuk mundet që ajo e vetë të udhëheqë reformën në drejtësi.
Është sikur një person i dyshuar për një vepër penale, të mundet t’i thotë gjykatësit apo trupës gjyqësore nëse është i fajshëm, apo i pafajshëm.
Pra, duheshin gjetur mekanizma të tjerë për të garantuar mbarëvajtjen e reformës në drejtësi.
Reforma në drejtësi është shumë teknike dhe specifike dhe ka nevojë për teknicienë, por është shumë e rëndësishme për këtë reformë edhe besueshmëria që ajo përcjell në popull. Nëse reforma nuk gëzon besueshmërinë e popullit, respektin e tij, atëherë ajo, apo një pjesë e madhe e saj bie.
Si mund të ketë besueshmëri reforma kur edhe organe të larta shtetërore shqiptare thonë se një numër i madh i drejtuesve të sistemit janë zgjedhur në mënyrë të njëanshme apo të gabuar? Nuk duhet harruar që organi më i lartë shtetëror i Shqipërisë është Presidenti i Republikës. Nëse populli nuk ka besim te mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të organeve të reja në drejtësi, atëherë bie besueshmëria tek e gjithë reforma. Pa besueshmëri nuk mund të ketë asgjë.
Çollaku: Në situatën pas tërmetit, opozita duket sikur ka zbutur qëndrimet e saj ndaj qeverisë duke mos kërkuar qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme. A duhet të vijojë opozita me këto kërkesa?
Henze: Unë nuk jam shqiptar, por nga ajo që shoh nga jashtë, opozita e bashkuar dhe në veçanti Partia Demokratike, ka bërë një program dhe po përpiqet me të gjitha mënyrat për të ecur përpara dhe për të bërë dicka. Që nga muaji shkurt e deri më tani janë zhvilluar një numër i madh protestash të cilat kanë qenë shumë mbresëlënëse, si nga përmasat, ashtu edhe përfaqësimi nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Shumica e këtyre protestave kanë qenë shembullore dhe paqësore. Ato kanë arritur shumë.
Opozita ka bërë disa kërkesa, të cilat nuk janë marrë në konsideratë nga zoti Rama. E nëse ju më thoni tani se opozita është tërhequr nga kërkesa për qeveri tkenike dhe zgjedhje të parakohshme, kjo do të ishte e re për mua. Nga sa di unë opozita nuk është tërhequr kurrë nga këto kërkesa, sepse opozita ka mendimin për të bërë zgjedhje politike dhe vendore në të njëjtën ditë, por ama me kushtin që ato të zhvillohen të lira dhe të ndershme. Presidenti i Republikës me të drejtë në qershor bëri një dekret për shtyrjen e zgjedhjeve që ato të mos cënonin sigurinë e vendit, dhe të mos bëheshin zgjedhje komuniste monopartiake, dhe siç e shikoni, ju keni sundim monopartiak prej 30 qershorit në 60 bashki të Shqipërisë. Kjo është shumë e dëmshme për demokracinë. Presidenti i Republikës dekretoi një datë të re për të cilën nuk u ra dakord. Mesa shoh nga këto raste, Rama vijon të jetë një person autoritar dhe të vazhdojë përpara vetëm e vetëm për interesat e tij personale.
Presidenti i Republikës ka thirrur në tryezë përfaqësues të partive të majta e të djathta për të gjetur një zgjidhje të pranueshme gjithëpërfshirëse e për të ecur përpara me reformat. Në këtë kontekst, edhe për plotësimin e kushteve të vendosura nga Bundeëstagu, ku spikatin zgjidhja e krizës politike, kryerja e reformës në drejtësi dhe e reformës zgjedhore. Për mendimin tim mënyra më e ndershme e zgjidhjes janë zgjedhjet politike. Edhe Rama vetë, nëse mendon se po punon dhe po ecën përpara mirë dhe është i sigurt se e ka mbështetjen e popullit, ai vetë duhet të kërkoijë një palë zgjedhje politike të ndershme dhe demokratike, në një moment sa më të shpejtë në mënyrë që të kthejë respektin dhe besueshmërinë që ai dhe qeveria shqiptare kanë humbur. Sepse kur qeveria dhe institucionet kryesore janë në kundërshti të tilla, atëherë qëndrueshmëria dhe besueshmëria kanë humbur, si brenda dhe jashtë vendi.

/shijaktv/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here