Tërmeti ‘trondit’ tregun e pasurive të paluajtshme, largimi nga kullat drejt ndërtesave të ulëta

0
130

Ngjarja tragjike e 26 nëntorit duket se i ka frikësuar jo pak banorët e Tiranë dhe Durrësit.

Paniku i lëkundjeve të tërmetit dhe pasgoditjeve ka bërë që në agjenci të vërshojë kërkesa për shtëpi një katëshe apo apartamente në katet e ulëta. Qiradhënësit kanë filluar të rrisin çmimet. Ndikimet në afatin e gjatë: ndonëse kohët e fundit fokusi ka qenë te ndërtimi  i kullave dhe pallateve të larta, por kjo mund të ndryshojë në vijim

 

Nga Ledina Loga

 

Tërmeti apokaliptik i 26 nëntorit, përveç bilancit tragjik të viktimave, la pas edhe një dëm të konsiderueshëm, ku mijëra familje në zonat e prekura nga fatkeqësia mbetën pa një çati mbi kokë. Të prekurit nga tërmeti aktualisht janë të vendosur në njësitë akomoduese, kryesisht hotelet në bregdet, në çadra apo në qendrat sociale.  Qeveria parashikon që deri në fund të muajit njerëzit të zhvendosen nga hotelet në shtëpi me qira.

Paniku i krijuar po ndikon në tregun e pasurive të paluajtshme në vend, duke e zhvendosur preferencën drejt ndërtesave të ulëta. Ditët e fundit janë shtuar në rrjetet sociale njoftimet e sponsorizuara të vilave dhe shtëpive private, që jepen me qira. Në fakt agjencitë e pasurive të paluajtshme në Tiranë thanë se marrin me dhjetëra kërkesa në ditë të individëve që kërkojnë që të vendosen në apartamente që ndodhen në katet e para apo në shtëpi private. Nuk kanë munguar as kërkesat për blerje trojesh për të ndërtuar shtëpi private apo vila.

Klajdi Memajdini, menaxher shitjesh në agjencinë Devinf  tha për Monitor se ka pasur shumë kërkesa për vila dhe për apartamente. Memajdini shpjegon se në përgjithësi individët kërkojnë shtëpi për një periudhë të shkurtër, edhe gjatë kësaj periudhe do të kërkojnë për tokë për të ndërtuar vetë.

“Kërkesa e qiramarrësve është specifike, kërkojnë apartamente në kate të ulëta dhe në ndërtim cilësor, ose në komplekse me pallate të ulëta”,- shpjegon Memajdini.

Xheni Jahja, nga agjencia Tirana Real Estate, argumenton se janë dy grupe kryesore që po kërkojnë shtëpi me qira, individë të cilët i ka kapur paniku për shkak të lëkundjeve të tërmetit  dhe pasgoditjeve dhe grupi i dytë, të cilët kanë pasur dëme madhore në shtëpi.

Genc Zike, nga agjencia DevInf, thotë se ka pasur një kërkesë të shtuar për shtëpitë në katet e para dhe për shtëpite private.

Edhe Juliana Nela, broker në kompaninë Remax, konfirmoi tendencën në rritje për shtëpi me qira, ku përveç atyre që duan të ndryshojnë shtëpitë e kateve të larta, janë edhe ata që shtëpitë u kanë dalë të pabanuara dhe kanë mundësi financiare për të jetuar këto ditë në apartamente me qira.

Në Tiranë numërohen rreth 1300 shtëpi të pabanueshme, sipas të dhënave zyrtare nga  Zyra e Ministrit Fuqiplotë për Adresimin e Pasojave të Tërmetit, të cilët duhet të akomodohen në shtëpi të sigurta. Ndërkohë që shumë qytetarë, që jetojnë në katet e larta në Tiranë po kërkojnë që të zhvendosen në apartamente që janë në katet përdhese apo në shtëpi private.

 

Qiratë në Tiranë rriten me 50-70 euro

Juliana Nela nga Remax, thotë se është vënë re një rritje e çmimit të qirasë. Në shtëpitë me standard, çmimi është rritur nga 50-70 euro më shumë në muaj. Ndërsa shtëpitë e lira, të cilat jepen me qira nga 25 mijë lekë apo 250 euro, nuk kanë pasur ndryshime domethënëse në çmim.

 

Nuk mungojnë as ofertat për shtëpi me qira

Situata e jashtëzakonshme që krijoji tërmeti, ka zgjuar interesin e shumë individëve për të lënë shtëpi me qira. Në rrjetet sociale nuk mungojnë as postimet e sponsorizuara për shtëpi dhe vila private të cilat jepen me qira, shiten, apo edhe ndërrohen. I tillë ishte edhe rasti i një shtëpie private në fshatin Romanat në Durrës, e cila doli në oferta fill pas tërmetit të 26 nëntorit, ku njoftohet se pranojnë që të ndërrojnë shtëpinë private me apartament në Tiranë.

Por nuk kanë munguar as ofertat për shitje të shtëpive private. Në 3 dhjetor, ka dalë në shitje një shtëpi një katëshe në rrugën Myslym Keta për një çmim prej 75 mijë euro.

 

Tregu, mungesë të shtëpive ekonomike

Agjencitë e pasurive të paluajtshme thonë se do të jetë e vështirë që të përballohet ky fluks i menjëhershëm i kërkesave për qira. Tirana ka një ofertë të limituar të shtëpive me qira në këto moment, kur kanë filluar edhe universitetet dhe do të jetë deri diku e vështirë për qiramarrësit e rinj që të kërkojnë shtëpi ekonomike.

Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme oferta e shtëpive bosh është në përgjithësi me apartamente të shtrenjtë. Shtëpitë e  lira janë zënë gjatë periudhës gusht- shtator. Kategoria e pronave të shtrenjta dhe të mira, do kohë që të jepet me qira pasi pronari kërkon garanci edhe nga qiramarrësi për aftësinë paguese dhe kohën që do të rrije.

Ndërsa bonusi i qirasë që do të japë Bashkia, i cili varet nga anëtarët e një familje do të variojë nga 18-27 mijë lekë. Këto lloj tarifash janë për zonën e Kombinatit dhe Misto Mames, dhe nuk vlejnë as për Yzberishtin dhe Unazën e Re, të cilat janë mbipopulluara nga studentët dhe familjet e reja. Në qendër as nuk bëhet fjalë që të gjesh apartament me këto tarifa, pohojnë agjentët e pasurive të paluajtshme.

 

Paniku zgjon interesin për vilat, larg nga kullat

Ndonëse tregu i pasurive tw paluajtshme në kryeqytet ka mungese të ofertës së lirë për shtëpi private apo vila, në pjesën më të madhe të rasteve ato janë të shtrenjta, të përballueshme nga individë me të ardhura të larta. Klajdi Memajdini, menaxher shitjesh nga DevInf thotë se edhe vilat e vogla, ku janë të përballueshme kostot e qirasë, janë të zëna.

Memajdini shton se kohët e fundit fokusi ka qenë te ndërtimi  i kullave dhe pallateve te larta, por kjo mund të ndryshojë në vijim. Sipas tij edhe individët me të ardhura të larta po konsiderojnë që ta shesin dhe ta japin me qira apartamentet në kate të larta dhe të shkojnë në vila.

Nuk kanë qenë të paktë as individët që kanë shprehur interesin për të blerë një truall për të ndërtuar.

Problematika qëndron se një pjesë e parcelave janë kategorizuar si brez jeshil, të caktuar si toke bujqësore dhe nuk mund të ndërtohet.

“Troje të lira ka shumë, por ka mungesë  të trojeve të lira, që kanë studim për ndërtim. Ato troje që e kanë studimin janë tepër të shtrenjta,- shpjegon ai. Sipas tij çmimet në zonën e Lundrës, një nga më të kërkuarat variojnë në 110-180 euro për metër katror.

Në Vaqarr, pak kërkojnë edhe pse ka toka të lira. Individët, sipas Memajdinit, duan të ndërtojnë në zona ku ka tashmë infrastrukturë, sikurse është Liqeni i Farkës ku janë edhe komplekset e reja të vilave apo nga Sauku.

Memajdi thonë se kanë vënë re se ka kërkesë të lartë për godina tre katëshe, që shiten si apartamente.

Larg nga kullat

Memajdini shton se kohët e fundit fokusi ka qenë te ndërtimi  i kullave dhe pallateve te larta, por kjo mund të ndryshojë në vijim. Sipas tij edhe individët me të ardhura të larta po konsiderojnë që  ta shesin dhe ta japin me qira apartamentet në kate të larta dhe të shkojnë në vila.

 

 

Fratari: Ligjet dhe rregullat janë të mira, mungon zbatimi

Hajredin Fratari, ndërtues, shprehet se rregullat e ndryshuara që në vitin 1993 rritën rezistencën e banesave për tërmete deri në shkallën 8-9 rihter. Sipas tij ligjet janë të mira, por problemi çalon te zbatimi. Për këtë duhet të kishte një rol kyç Inspektorati i Ndërtimit, i cili dikur kishte një staf të përbërë nga inxhinierë dhe teknikë, të cilët kontrollonin cilësinë e betonit dhe çelikut. Tashmë, sipas Fratarit, ky institucion është kthyer si polici. Pjesa më e madhe e dëmtimeve nga tërmeti të godinave kanë ndodhur ose për shkak të shtesave të kateve pa kriter, mungesa e zbatimit të rregullores dhe ndërhyrjet në strukturën e godinës në katet e para.

Mesazhi

Fratari u shpreh se tërmeti duhet të shërbejë si ndërgjegjësim për respektimin me përpikëri të rregullave në ndërtim, veçanërisht për objektet e reja që do të ndërtohen për të prekurit. Ai përllogarit se kostot për ndërtimin për një metër katror, pa përfshirë taksat dhe përqindjen e pronarit të truallit janë rreth 300 euro.

Megjithatë sipas Hajredin Fratarit tërmeti i 26 nëntorit, më i forti në dy shekuj tregoi për një cilësi të mirë ndërtimesh. Për këtë solli si paralelizëm tërmetin në Aquila të Italisë i një shkalle 6,2 rihter dhe me një kohëzgjatje prej 20 sek, ku pati një numër shumë më të madh viktimash dhe dëme, krahasuar me tërmetin 6.4 ballë dhe me një kohëzgjatje prej 30 sekonda.

Fratari u shpreh se tërmeti duhet të shërbejë si ndërgjegjësim për respektimin me përpikëri të rregullave në ndërtim, veçanërisht për objektet e reja që do të ndërtohen për të prekurit.

Ai përllogarit se kostot për ndërtimin për një metër katror, pa përfshirë taksat dhe përqindjen e pronarit të truallit janë rreth 300 euro.

Tirana nuk i ndal ndërtimet

 

Sipërfaqja e dhënë për leje rritet me 60% për 9-mujorin 2019, arrin 375 mln euro

 

Është ende herët për të thënë nëse tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit do të frenojë ndërtuesit, por të dhënat flasin që deri në fund të shtatorit, vrulli i tyre nuk kishte të ndalur, sidomos në Tiranë.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT për lejet e ndërtimit, në tremujorin e tretë, tregojnë se për 9-mujorin 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet arriti në 1.3 milionë metra katrorë, duke u rritur me gati 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe trefishin në krahasim me 9-mujorin 2017.

Vetëm në tremujorin e tretë, sipërfaqja e dhënë për leje në kryeqytet është 557 mijë metra katrorë, ose 81% e së gjithë sipërfaqes së dhënë në vend, duke shënuar një nivel rekord të viteve të fundit.

Për gjithë 9-mujorin, në kryeqytet janë dhënë 313 leje ndërtimi, nga 268 në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 17%. Rritja më e lartë në sipërfaqe në krahasim me numrin është një tregues direkt i dhënies së lejeve për ndërtesa të larta.

Vrulli i ndërtimeve po vijon. Ndërkohë që vetë ndërtuesit po pranojnë që në Tiranë janë 2500 apartamente për të shitur, kjo sipas kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve, Artan Dulaku.

Në takimin me kryeministrin Rama, në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, u shpreh se fondacionet nuk mund ta zgjidhin çështjen e banesave të reja për të prekurit nga tërmeti.

“Janë aty, mbi 2500 banesa dhe mendoj se thelbi i mbledhjes, duhet të jetë, jo të merremi me fondacionet, ato mirë se të vijnë, do të vazhdojnë edhe dy javë. Por kam një lajm të keq për zotin kryeministër, ngarkesën do ta mbajë si gjithmonë i zoti i shtëpisë, që është qeveria. Unë propozoj që të shihet mundësia, që të bëhet një tavolinë trepalëshe, midis qeverisë, sistemit bankar dhe atyre që posedojnë këto apartamente, dhe të gjendet një zgjidhje e shpejtë, që do ketë edhe komponentin human. Mund të jepet zgjidhje për një periudhë të shkurtër. Nuk ndodh në vende të tjera të ketë superprodhim, ne i kemi dhe duhet të vëmë në eficencë. Do të ketë nevojë për ndërtesa të reja patjetër, por ky kontingjent është atje dhe fle“, u shpreh Dulaku.

INSTAT raporton se për 9-mujorin, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike ishte 46.2 miliardë lekë, ose 375 milionë euro për Tiranën. Kjo shumë përbën gati 70% të vlerës së dhënë për të gjithë Shqipërinë.

 

 

 

 

 

 

Monitor.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here