Standard.al

Zëri i Amerikës ‘jehonë’ arrestimeve në Durrës/ “Hetimi për tërmetin arrestoi ish funksionarë të zyrave të administratës”

0

Në Shqipëri 9 persona u ndaluan ndërsa 8 të tjerë janë shpallur në kërkim, në kuadër të hetimit të nisur nga prokuroria e Durrësit pas viktimave dhe dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Bëhet fjalë për ndërtuesë, ish zyrtarë e nëpunës të administratës lokale, apo dhe mbikqyrës e kolaudues të punimeve të cilët dyshohet të kenë vepruar në shkelje të ligjeve. Akuzat ndaj tyre shkojnë nga shpërdorimi i detyrës deri te ajo e vrasjes

Policia e Durrësit njoftoi sot se “pas një pune intensive dyjavore, në përfundim të fazës së parë të punës, në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i punës, Prokuroria e Rrethtit Gjyqësor Durrës, gjatë mbrëmjes së djeshme, lëshoi 17 urdhra ndalimi, nga të cilat, 9 prej tyre janë ekzekutuar dhe vijon puna në terren për gjetjen e personave të tjerë”. Drejtori i Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu shpjegoi se “nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit”.

Të gjithë personat e përfshirë në këtë listë kanë lidhje me banesa, pallate apo hotele, në zonën e Durrësit, ku humbën jetën 23 persona. Ata janë ish funksionarë të zyrave të administratës lokale, që nga Aluizni apo inspektoriati i Ndërtimit, ndërtues si dhe kolaudues e supervizorë të punimeve në ndërtesat e shkatërruara, përfshirë dhe pronarë të hoteleve.

Sipas drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, objekti i hetimit në këtë rast ka të bëjë “së pari në drejtim të zbatimit nga ndërtuesit formal dhe informal, sa i përket zyrtarëve dhe ish zyrtarëve në kryerjen e detyrave të tyre, legalizimeve dhe miratimit të lejeve. Pra janë gjetur paligjshmëri sa i përket objekteve ku kemi patur viktima”.

Akuzat e ngritura janë nga “Shpërdorimi i detyrës”, te “Falsifikimi i dokumentave” si dhe “Vrasje me dashje” apo “Vrasje në rrethana cilësuese” si në rastin e dy ndërtuesve informal që kanë punuar në hotel “Mira Mare” dhe “Tropikal”, në plazhin e Durrësit.

Po të njejtat akuza rëndojnë dhe ndaj 8 personave në kërkim, të cilët duket se rezultojnë të jenë jashtë vendit, gjë e cila sipas Drejtorit të krimit Ekonomik Lutfi Minxhozi “nuk lidhet me ikjen për shkak të hetimit, sepse policia ka marrë masa dhe ka kërkuar bllokimin në pikat e kufirit të të gjithë personave të dyshuar si të përfshirë në këtë proces”.

Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Jella, tha se hetimet janë ende në vijim: “Po kryhen hetime intensive ne lidhje me objektet që janë prishur, por dhe për ato me dëmtime më të lehta”.

Paralelisht me Durrësin, hetime ka nisur dhe prokuroria e Tiranës si dhe ajo e Krujës, kjo e fundit për shembjen e dy pallateve në Thumanë. Hetimi për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti, dhe domosdoshmëria për rezultate konkrete ishte çështja kryesore që prokurori i ri i Përgjithshëm Olsian Çela, përmendi që ditën e parë të marrjes së detyrës. /Voa/

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.