Tërmet natyror apo tërmet pushtetor

0
102

Nga Brikena Bogdo

 

Tri kategori luajnë me jetë njerëzish, me fatin e tyre, për t’i zhvatur; kriminelët, hajdutët, pushtetarët. Por nëse kriminelët e hajdutët veprojnë natën, pushtetarët veprojnë ditën, në mënyrë harbute. Një gjë është e sigurt që me banorët e godinës 15 u luajt me jetët dhe fatet e tyre,  si me të deklasuarit e pas Luftës së Dytë Botërore.

Hipja shkallët e godinës 15 në qytetin Studenti dhe kudo dëgjoja “shpejt”, “shpejt”. Puntorë që me nxitim nxirrnin plaçkat, banorë që derdhnin lotë, pasi nuk po arrinin dot kohën tejet të limituar, që të paketonin plaçkat e tyre.

Ndërkohë fillon shiu, dhe plaçkat e banorëve nisin të qullen, në një skenë mjerane. Banorë, pa strehë në kokë që nuk i ishte thënë asgjë se ku do të shkonin të strehoheshin në atë natë shiu, qameti, rrëmeti, por jo tërmeti.

Ishte viti 1944, apo 2019? Data 6 dhjetor 2019, për mua ishte një zhgjëndër, ku nuk po ndaja dot realitetet. E sotmja ishte shnërruar në e djeshme, dhe e djeshmja ishte kthyer në një realitet të frikshë. Ishte 6 dhjetor 2019, por imgjinata më ktheu në kohë, kur të deklasuarve po u merrej malli, floriri, shtëpitë. Gjithmonë rrënqethesha, kur më tregonin histori, se si brenda natës familje, duhet të linin shtëpitë e tyre, për t’u larguar vetëm me një boçe, me rrobat e trupit. Pasi u merrej malli, dërgonin një familje prej nëntë vetësh në një dhomë, ku fëmijës 6 vjeç i duhej të flinte mbi tavolinë. Por kishte edhe më fatkeq, të cilët përfundonin, në haure me bajga.

Me sa duket viti 1944, apo viti 2019 nuk po bënte asnjë diferencë, atë natë dhjetori, paçka se kishin kaluar 75 vite. Në datën 5 dhjetor, në darkë, banorët e godinës 15, lajmërohen që të lenë godinën, deri të nesërmen në drekë. Por, jo të gjithë arrritën që të mbledhin plaçkat e tyre. Dhe këtu pushteti absolut është i pamëshirshëm. U dha urdhëri që askush nuk do të hyjë më, për asnjë motiv, në godine.

Skenat u shndërruan në absurditet, kur arriti limiti i kohës dhe askush nuk të lejonte që të merrje plaçkat e trupit në godinë. Njerëzit i hidhnin plaçkat, mobiljet nga kati i tretë. Skenë horrori dhe terrori. Tërmet, mbi tërmetet. Tërmetet natyrale janë të frikshëm, por tërmetet e krijuara artificialisht për të arritur qëllime, apo benefite, mbi jetë njerëzish, janë të dhimbshëm.

Godina 15, në Qytetin Studenti, sapo është shembur, befas, në rrokupujën e ditëve post-tërmet. Në këto ditë rrënojash fizike, psikologjike, humbje jetësh njerëzore, pakkush fokusohet se çfarë po ndodh realisht. Nga pala përgjegjëse u paraqit si një problem i tërmetit, por në fakt çfarë ka ndodhur realisht në godinën 15, në Qytetin Studenti? A kishte ndonjë dëmtim të dukshëm, ashtu siç pamë rëndom përgjatë informacioneve, ndërtesa të shkatërruara, apo qoftë edhe me dëmtime të pjesëshme? Ato pamje shkatërruese, post-tërmet, nuk ishin aspak pjesë e kësaj godine. Në fakt nuk kishte asnjë dëmtim në godinën 15, dhe pamjet unë i kam në filmimet e mia.

Përse u shemb? Përse banorët e kësaj godine duhet të largoheshin gati forcërisht, brenda 12 orëve? Çfarë do të ndodhë me fatin e tyre?

Pak përpara se të largohet nga godina e shembur, njërës prej banoreve i japin alternativën e shtëpive sociale. Por një punonjëse sociale i tregon banores, ndën zë, që në fakt në banesat sociale, e pret vetëm një krevat dhe aspak një shtëpi, qoftë edhe një dhomë ku të fusë plaçkat e saj. Pra, më keq se viti 1944, ku pushteti komunist të siguronte një dhomë.

Më datë 8 dhjetor pashë të prishej godina dhe e kuptova që duhej prishur një simbol në një datë sombolike. Por më shumë besoj se, ka patur një frikë për reagime simbolike dhe lëvizje reale.

Tetë Dhjetori 1990 ishte lëvizja e parë studentore që rrëzoi një pushtet absolut. Tetë dhjetori 2018, ishte lëvizja e dytë studentore, që tentoi të rrëzonte një pushtet absolut. Paçka se mbeti në tentativë, levizja e dhjetorit 2018, është shumë e rëndësishme, pasi goditi mentalitetin absolut të pushtetit dhe kryepushtetarit. Ndërsa tetë dhjetori 2019 mbeti një paralajmërim, me sa duket tepër friksues për pushtetin, për një lëvizje të tretë studentore. Mbase nuk duhej lejuar protesta e paralajmëruar? Tetë Dhjetori 2019 e gjeti Qytetin Studenti në tym, për të mos u afruar askush, për asnjë motiv.

Pushteti reagon kaq ashpër me fatet e njerëzve kur rrezikohet seriozisht. Simbolet, qoftë edhe ai i vitit 1990, nuk i rrezikon pushtetin kryeministrit, por një lëvizje e tretë studentore, po.

Tetë Dhjetori 1990 vërtet, nuk është pjesë e imazhit të kryeministrit, por tetë dhjetori 2018 është pika poshtëtëhu, në rënie të lirë, e imazhit të kryeministrit. Të sulmosh pushtetin me ironi dhe tallje, ishte ta godisje kryepushtetarin tek thembra e Akilit. Që nga ai çast e gjithë Shqipëria u përfshi në lëvizje anti-pushtet, duke e rrezikuar seriozisht pushtetin aktual. Një tetë dhjetor i tretë (2019), me shumë gjasa do të ishte goditja fatale e këtij pushteti. Dhe kjo lëvizje e tretë u paralajmërua, mbase si një shantazh, mbase si një levizje reale. Pushteti ngriti mekanizmat shkatërrues, në dukje ndaj objekteve, por me sa duket ndaj lëvizjeve studentore.

Tërmeti ishte fat për pushtetarët dhe fatalitet për njerëzit e thjeshtë, të pambrojtur, si nga fuqia e natyrës, edhe nga ajo e pushtetit. Nën petkun e tërmetit, pushteti tashmë mundet të bëjë çfarëdo lloj xhonglerizmash, për përfitim monetar, apo pushteti. Shembja e godinës 15 solli sinjalin që tashmë do të kemi shumë post-tërmete, por tashmë jo natyrore, por  pushtetore. Pushtetarët do të hidhen si hienat për përfitime. Luftrat, fatkeqësitë natyrore, janë momentet më të shkëlqyera për hajdutë, kriminelë dhe pushtetarë të korruptuar, për përftitme dhe fitime të shpejta. Janë ngërthyer shumë probleme pushteti, korrupsioni, imazhi në sulmin ndaj godinës 15, në Qytetin Studenti. Prishja e godinës 15 u akuzua si abuzive edhe nga gazetarët antikorrupsion të BIRN.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here