Standard.al

Teatri Kombëtar përfshihet në listën e ‘Europa Nostra’ / Reagon Kaba…

0

ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT
– DEKLARATË PËR SHTYP –

Nga Dritan Kaba

Teatri Kombëtar i Shqipërisë në listën e 14 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë

Tiranë, më 10 Dhjetor 2019

Teatri Kombëtar i Shqipërisë përfshihet në listën e 14 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë, të shpallur nga Europa Nostra në mbledhjen e saj të zhvilluar së fundmi në Hagë.

Kështu vendosi një panel këshillimi ndërkombëtar i Europa Nostra, ku u përfshinë specialistë ndërkombëtarë të historisë, arkeologjisë, arkitekturës, konservimit e restaurimit dhe financës, të cilët u takuan në Hagë për të diskutuar aplikimet dhe për të caktuar listën e shkurtër të 14 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë.

Fondacioni Gjirokastra, me nxitjen e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit këtë vit aplikoi për shpalljen e Teatrit Kombëtar, një nga 7 vendndodhjet më të rrezikuara në Europë. Ky aplikim u mundësua me ndihmën e shumë specialistëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët përgatitën dosjen teknike të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.

Të gjitha monumentet dhe vendet e shpallura në rrezik në listën paraprake, u përzgjodhën duke marrë parasysh vlerën e tyre të jashtëzakonshme të trashëgimisë, vlerat kulturore si dhe rrezikun e afërt me të cilin po përballen.

Natyrisht, që një nga kriteret kyçe dhe themelore për përzgjedhjen e tyre ishte edhe angazhimi i komuniteteve lokale dhe i grupimeve të interesit publik dhe privat për të shpëtuar këto objekte. Aksione të qarta që e dëshmonin këtë angazhim u vlerësua të ishin: (1) protesta për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që ka mëse një vit e nëntë muaj që zgjat, nga këto një vit e gjysëm çdo ditë dhe që prej 17 Korrikut të këtij viti 24 orë në 24, (2) marrja e ndërtesës në administrim që prej 24 Korrikut pas përplasjes me Policinë, nga një grup artistësh, aktivistësh dhe qytetarësh të cilët organizuan Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit në kuadrin e të cilit janë organizuar mbi 40 ngjarje artistike që përfshijnë shfaqje teatri me trupa nga Shqipëria, Kosova, Austria, Gjermania, Italia, Franca, Amerika, koncerte të ndryshme muzikore, takime profesionistësh për tema të ndryshme që kishin lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar, ngjarje të cilat i dhanë kështu hapësirës së Teatrit Kombëtar një përmasë me vlera jo vetëm kombëtare por edhe europiane.

Një kriter tjetër i madh ishte potenciali i hapësirës së Teatrit Kombëtar për të vepruar si katalizator për zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe nxitjen e vlerave më të mira të shoqërisë shqiptare, detyrë të cilën e ka kryer me sukses të plotë protesta e përditshme që zhvillohet në sheshin e tij, i cili është kthyer tashmë në një kuvend i munguar i shqiptarëve në këto vite të vështirë tranzicioni për të gjithë temat e rëndësishme me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare.

Kjo përzgjedhje e Teatrit Kombëtar në listën e shkurtër të 14 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë, do të thotë që tashmë të interesuar për restaurimin e tij nuk janë vetëm faktori i brendshëm i përbërë nga artistët, aktivistët dhe qytetarët protestues por edhe faktori ndërkombëtar si Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian.

Me angazhimin e saj duke nisur që prej këtij vendimi, Europa Nostra do të ndihmojë, nxisë dhe koordinojë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që të investohen në restaurimin profesional përfundimtar të godinës së Teatrit Kombëtar.

Ky sukses i padiskutueshëm i kauzës së Mbrojtjes së Teatrit Kombëtar dhe shpallja e tij një monument i rëndësishëm europian i dedikohet të gjithë atyre artistëve, aktivistëve dhe qytetarëve protestues, të cilët përgjatë këtyre mëse dy viteve, kundërshtuan qeverinë, përgatitën kritikat ndaj ligjit special, që i hapte rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar, sensibilizuan faktorin politik, kulturor, mediatik, atë të trashëgimisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Këta artistë e aktivistë kontaktuan për këtë qëllim Delegacionin Europian në Shqipëri, Komisionin Europian, Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian, të gjithë profesionistët vendas dhe të huaj, të cilët u përfshinë në përgatitjen e dosjes teknike për aplikimin në Europa Nostra, dhe siguruan mbështetjen e institucionit të Presidencës së Republikës së Shqipërisë.

Mbështetja direkte e institucionit të Europa Nostra i vendos përfundimisht një frenim të plotë, përpjekjes së mbrapshtë të qeverisë për të shembur Teatrin Kombëtar. Teatri Kombëtar është cilësuar nga Europa Nostra si: ”një nga qendrat më të spikatura kulturore në Shqipëri dhe një hapësirë e rëndësishme sociale dhe publike”.

Me krenari mund të themi, që kjo arritje e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe të gjithë mbështetësve kombëtarë e ndërkombëtarë, është një nga fitoret më të mëdha të qytetarisë në të gjithë historinë moderne të demokracisë shqiptare në 30 vitet e fundit.

Natyrisht, ne ndihemi shumë të lumtur për këtë arritje, e cila konfirmon vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare.

ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT

Image may contain: sky and outdoor

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.