Standard.al

Loja e ministrave me shumat e dëmit të tërmetit

0

-Ministri në detyrë Genc Cakaj tha se duhen 700 milionë euro për të dalë nga situata. Një ministër tjetër thotë se 900 milionë na bëjnë punë, një tjetër 1 miliardë dollarë, një drejtor që del përnatë në TV shton se 300 milionë euro,… Dhe kështu të gjithë shtojnë apo heqin nga 100 milionë euro, a thua se këto shuma do të prodhohen në shtypshkronjën e qeverisë të letrave me vlerë!

Sot, 11 ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, qeveria dhe gjithë institucionet që kanë marrë përsipër menaxhimin e situatës ende nuk kanë një bilanc të qartë të asaj që ka ndodhur. Në këto ditë pas tragjedisë dihet vetëm numri i 51 viktimave dhe 960 të plagosurve që la pas fatkeqësia natyrore. Ndërkohë shifrat e sakta të shtëpive të rrëzuara, pallateve të pabanuara dhe ndërtesave të dëmtuara ndryshojnë çdo ditë. Ministria e Brendshme del çdo ditë dhe jep të dhëna për banesa të inspektuara, ndërtesa që do shemben dhe aksione kontrolli të objekteve në Durrës, Laç, Lezhë, Kavajë, Shikaj, Tiranë, por në gjithë të dhënat  mungon një shifër konkrete zyrtare sesa janë objektet e dëmtuara në gjithë vendin. Thuhet se në terren janë dhjetëra grupe inspektimi, gjithë strukturat janë vënë në lëvizje dhe ekipi nga disa vende të botës po ndihmojnë këtë proces. Nëse mbledh të dhënat e institucioneve llogaritet se janë 10 mijë banesa dhe pallate të dëmtuara, nga të cilat rreth 1 mijë janë rrënuar. Por kjo është shifër paraprake dhe ende pa një konfirmim zyrtar.

Çështja e numrave nuk ka të bëjë thjesht me llogaritjen e dëmeve nga tragjedia, por është dhe baza që do të përdoret për faturën e dëmeve. Sepse dhe në fondin e rindërtimit ka një rrëmujë, pasi një ministër thotë se dëmi është 500 milionë euro, një tjetër 700 milionë dhe më pas deputetët japin shifra dhe më të mëdha. Ndërkohë këtu duket se flitet vetëm për banesa, pasi tragjedia ka dhe një dëme tjetër në ekonominë e Durrësit dhe Tiranës. Bizneset kryesore në qytetin bregdetar kanë 11 ditë që janë mbyllur. Një pjesë e tyre është dëmtuar nga tërmeti, të tjerët kanë probleme me punëtorët që janë larguar  dhe bllokimin që i ka bërë qytetit tragjedia. Është një situatë që ka koston e saj shtesë në gjithë krizën që po kalon vendi pas tragjedisë. Qeveria “Rama” ka ndërmarrë një fushatë ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve duke shfrytëzuar çdo kontakt në BE dhe vendet e tjera. Konferenca e donatorëve për Shqipërinë, e paralajmëruar nga presidenti Francez Emanuel Macron, mund të jetë një rast i mirë për të mbledhur paratë që duhen për rindërtimin e vendit. Por shuma e parave dhe mbështetja që do japin ndërkombëtarët do varet nga serioziteti i qeverisë shqiptare në këtë situatë. 11 ditë pas tërmetit nuk dimë ende sa është kostoja ekonomike dhe vonesa të tilla mund të sjellin pasoja dhe në dhënien e fondeve nga vendet mike. Shqipëria nuk është përballur më parë me kriza të këtyre përmasave dhe justifikime gjenden pa fund për këtë situatë. Ajo që bie në sy është se një ditë pas tërmetit nga zyrat e bashkive të prekura dhe nga qeveria nuk u humb kohë për të shembur pallatet. Fadromat dhe policia po punojnë me shpejtësi duke shembur çdo ditë godina të dëmtuara rëndë, ndërkohë ky ritëm i lartë nuk vihet re të procesi i kontrollit, regjistrimit të dëmeve në gjithë territorin e goditur nga tërmeti. Vonesat janë në qytete ku është më e lehtë të dërgosh ekipet e inxhinierëve, ndërsa një pjesë e fshatrave në zonat e largëta ankohen se nuk u ka ardhur askush ti shohë. Dëmet janë kolosale, por mes tyre ka dhe objekte që kërkojnë riparime të lehta. Edhe në këtë pikë qeveria nuk duhet të kishte humbur kohë. Banorët me objekte që kanë dëmtime jo serioze nuk kanë pse të flenë në çadra kur mjafton pak orë ose ditë punë për të rregulluar banesat e tyre. Mungesa e një bilanci zyrtar, 11 ditë pas tragjedisë, shton dilemat për qytetarët që janë prekur nga tërmeti. Ashtu si mungesa e shifrave të sakta po kaq e paqartë është qeveria dhe në planin e zgjidhjes së krizës për banorët e prekur. Një ditë flitet për ndërtime të qytezave të reja në rrethinat e Durrësit dhe Tiranës. Një ditë tjetër flitet për shitjeve të apartamenteve që bizneset e ndërtimit i kanë pa shitur. Zyrtarë të tjerë hedhin idenë e sistemimit të banorëve në shtëpi druri, ndërsa vetë një pjesë e banorëve thonë se i duan banesat e tyre në të njëjtin vend ku janë rrëzuar apo shkatërruar nga shteti banesat e tyre. Të gjitha këto variante e bëjnë dhe më konfuze situatën që po kalojnë këto ditë të vështira banorët e prekur dhe tregojnë se qeveria është e paqartë në atë që po bënë pas tragjedisë. Pasojat e 26 nëntorit është normale që duan vite që të zgjidhen. Por 11 ditë pas tragjedisë ne jemi ende në fazën e parë, nuk dihet ende sa është dëmi ekonomik dhe cili është plani konkret i zgjidhjes së krizës.

Natyrisht që është situatë tensioni dhe me halle të mëdha, porse duhet një faturë e përafërt si dhe një plan publik se si do ta zgjidhin këto pasoja të tragjedisë së 26 nëntorit, sepse sot ministri në detyrë Genc Cakaj tha se duhen 700 milionë euro për të dalë nga situate. Një ministër tjetër shton 900 milionë, një tjetër 1 miliardë dollarë, një drejtor që del përnatë në TV thotë se 300 milionë euro,…

Dhe kështu të gjithë shtojnë apo heqin nga 100 milionë euro, a thua se këto shuma sikur do të priten në fabrikë për ti prodhuar. Ndërkohë ministrja e financave, Anila Denaj hesht dhe tregohet e kujdesshme, pasi vetëm ajo e di se sa ka në thesin e qeverisë e sa priten të vijnë sipas informacionëve që merr kjo ministri./kohajone

Mili Xhani

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.