Prognoza dhe analiza e lëkundjeve sizmike

0
118

Nga Artan Fuga

Unë e kuptoj që ne nuk kemi mundësi parashikimi të ardhjes të tërmeteve (nuk më pëlqen termi “rënie tërmeti”, si bie?) sikurse nuk e dimë dot se kur mbërrin autobuzi i Kamzës ose ai i QUT në qendër.

Rrëmujë hesapi.

Por, këtë e gëlltisim ndonëse modelet parashikuese të dukurive të natyrës janë të shumta dhe të niveleve të ndryshme.

Ne nuk e dimë se kur do të bjerë rrufeja, por që koha do të prishet dhe rreziku i elektricitetit në ajër vjen e rritet shpërthyes si rrufe, këtë probabilisht mund t’a dimë.

Por pasi bie rrufeja ne mund t’a dime se përse ra rrufeja. Të dimë nga erdhën ngarkesat elektrike, etj.

Ne nuk e parashikojmë me saktësi kur vjen në qendër autobuzi i Senatoriumit, por kur ai vonohet, më pas ne mund të analizojmë se përse u vonua.

Pra, tjetër është aftësia parashikuese dhe tjetër ajo e analizës post-factuum, pra pasi ngjarja e paparashikuar të ketë ndodhur.

Mirë parashikimin nuk e bëjmë dot, nuk kemi këllqe, po shkaqet e lëkundjeve sizmike a nuk e gjejmë dot pasi ndodhin?

Pra, pasi ato po na dërmojnë, lodhin, shkërmoqin shtëpitë, banesat, ndërtesat?

Cilat shtresa lëvizin?
Ku?
Pse?
Përse kryesisht në zonën Durrës – Lezhë – Tiranë?
Përse vazhdojnë kaq gjatë, ditë me radhë?
Përse me një aktivitet sizmik pak më të ulët, por përsëri që ka mbetur disi i qendrueshëm?
Cilat shtresa lëvizin?
Cfarë lidhje kanë me detin?

Se tërmet si ky që vazhdon një javë rresht dhe nuk thyen qafën i flamosuri sikur nuk kemi parë më parë!

E ka zënë me ne shqiptarët dhe po na provon trimëri, burrëri, durime kurajo!

Cfarë të bëjmë? Do ta përballojmë!

A kemi sizmologë?

Se ne merremi me pasojat. Shumë mirë bëjmë, por ku janë gjeologët, sizmologët?

Ku shkoi ai dijetari grek? Veç ta dekoronim për parashikim-paralajmërimin e bërë, a nuk e mbanim dot atë ca ditë apo të tjerë të huaj që të na jepnin përgjigjet e pyetjeve sa më sipër?

Ose të debatonin?

Nuk fton dot Akademia e Shkencave dhjetë ose njëzetë specialistë të këtyre fushave nga qendrat më të njohura në botë për survejimin e qendrave të aktivitetit sizmik për të na ndriçuar sadopak?

Cdo institucion duhet të bëjë detyrën e vet sepse gjëja më thjeshtë është që në vend të bësh detyrën tënde shkon kap një lopatë dhe gërmon dheun, ndërkohë që paguhesh për gjë tjetër.

Nuk e bën dot Universiteti Politeknik?

Përndryshe çfarë t’i duam alibitë!

Cfarë t’a duam shkencën nëse nuk e kërkojmë ndihmën e saj sot?

Tani, këtu, urgjent.

Sepse aty është rrënja e problemeve, aty dimë se çfarë na duhet të përballojmë.

Kështu i ngjajmë një të sëmuri që pret goditjen tjetër ta zemë një krizë veshkash, e qetësojnë me medikamente, por shkakun e krizës nuk ja gjejnë.

E morëm vesh që kush guxon të parashikojë dukuri të natyrës shpallet “idiot” nga Piramida, por kur kërkon të analizohen shkaqet e tyre edhe atëhere “idiot” je?!

Sepse duket që fatalisht presim goditjen e rradhës sikur “dikush” na “rreh me kamzhik”, na “godet me tokmak” në mosnjohje absolute.

Sigurisht që edhe po i njohim shkaqet nuk i parandalojmë dot nëse janë madhore, por ndërkohë dija siguron, qetëson, drejton menaxhimin e pasojave.

Dije që na duhet edhe për më pas! Të dimë nga na vjen rreziku.

Po shoqëritë e sigurimeve të pasurive të paluejtshme nuk janë të interesuara për këtë analizë?

Mos e famshmja ndjenjë pritjeje dhe fataliste lindore na ka mbëthyer dhe nuk duam të dimë shkaqet e asaj që ndodh!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here