Standard.al

Koha e dënglave të pozitivitetit kaloi. Tani na thoni kush është përgjegjësi?

0

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Me fjalë shumë herë kishim dëgjuar, “shyqyr që na ruan Zoti, e nuk bie tërmet, se do të na përmbysen shtypu e pallate”. Dita e sprovës erdhi, e na gjeti ashtu siç e pamë e përjetuam. Nuk ka asnjë pikë dyshimi se mendja, shpirti, zemra, fjalët, lotët, brenga, shkon për familjet që humbën të afërmit e tyre, për tata që mbetën pa strehë, për të gjithë fëmijët, nënat, burra, e e gra, që ende po përjetojnë në memorien e tyre momente tmerri, paniku e frike, për atë që kaluan e të ardhmen që i pret para.

Por më e dhimbshme se të gjitha dhimbjet, mbetet propaganda e pështirë

Njeriu që prej vitit 2001 2e në vijim njihet si kryebashkiaku i betonit në kryeqytet, sot kryeministër, nuk na suprimoi edhe këtë radhë. Me video selfiet, me emision special ndanë rrënojave, me mjekrën e zbardhur tej pleqërisë së parakohshme, kërkoi të na mbushë mendjen se kishte gjithçka nën kontroll e po bënte të pamundurën. Dhe çfarë bëri? Thirri nën apel buldozera, skrepa dhe eskavatorë që nuk ja kishin idenë, se çfarë quhet operacion kërkim shpëtimi. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, zjarrfikës, punonjës të bashkisë, u dërguan në një fatkeqësi natyrore me pistoletë në brez, pa mjetet e duhura, punonin me duar, pa doreza, pa kaskë dhe pa asnjë mbështetje logjistike të specializuar për kësi rastesh. Kosova si edhe në raste të tjera, na dha një mësim të shkëlqyer, se çfarë është shteti. Në tri orë të gjithë ishin në këmbë, sollën edhe një nga mjetet më të “sofistikuara” që në Shqipëri, nuk gjindet: Qenin e stërvitur për lokalizmin e njerëzve në rrënoja. Pa na treguan edhe disiplinën e punës, sesi përdoren mjete e punës, sesi mbahet kontakti me të mbijetuarit, etj, etj. Njësitë e tjera të specializuar nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Franca, Greqia e Rumania, shtuan shkresën se mund të reduktohej, numri i viktimave, ndërsa kolegët e tyre shqiptarë, të lidhur e rraskapitur, shikonin plot zili e kërshëri, mjete dhe trajnim, që nuk i kanë parë me sy e dëgjuar me veshë. Por përsëri kemi propagandë pa fund. Në krah të rrënojave, gjen paqe me veten duke folur i dëshpëruar kryeministri. Dalin me radhë ministra me të zeza, që ecin ngadalë, tundin kokën mundimshëm, psherëtijnë dhe i thonë njerëzve “mos u bëni merak, se çdo gjë kaloi”, a thua se këta njerëz, kishin humbur macen, qenin, apo i kishte ikur nga kafazi gardalina. Dhe vërtet gjetën zgjidhje. Në çadra, si dy muaj më parë në “Niko Dovana”. I vendosën aty dhe i harruan, derisa ra tërmeti tjetër. Ndihmat? “Boll me ushqime”, tha kryeministri, se janë tepër. E dëgjuan, maskarenjtë, lubinjtë, qentë e tërmetit me uniformë, gradë dhe ofiq zyrtar, e u lëshuan dhe i shkarkuan në shtëpitë e tyre. Pasi u ngop me ushqime, kryeministri deklaroi, “se pasojat janë të rënda dhe se duhen mjete monetare. Shumë  mirë. Filluan edhe mjete monetare të lëvrohen. Ja ta zëmë se u ngritën edhe shtëpitë brenda 2020 (sipas kryeministrit). Dhe me kaq mbaroi?

Kush u kujdes për anën shpirtërore të këtyre njerëzve?

Askush. Pavarësisht dënglave të pozitivitetit, të vetëquajtur psikolog, nxorën barkun e tyre televizion më televizion, por pak veshëm çizmet dhe shkuan tek njerëzit në nevojë. Shërbimi Social nuk u pa gjëkundi. Manastirliu fliste e fliste pa fund për urgjencën, por urgjenca e Tiranës, i ka karriget metalike të thyera dhe shtretërit, sipër njëri-tjetri se u janë thyer krahët mbështetëse. U shuan familje të tëra dhe ngushëllimi që gjetën ishin supet e njëri tjetrit. Fëmijët u lanë aty në prehrin e gjysheve dhe një psikolog, punonjës social apo drejtues arsimi, nuk u pa gjëkundi. A po të ishte në një kohë normale, fëmijët do të nxirreshin për bythe e në rrugë për festimet e nëntorit, ndërsa drejtoreshat, dyshat, e drejtuesit e arsimit, do të çanin FB, instagram, insta story, me foto e video, që mundësisht të kishin në fokus, kryeministrin, ministren e arsimit, ish-ministren etj. Tani në kohë të vështirë, me thënë të drejtën, ato janë shumë të “tronditura” vetë dhe nuk dalin.  P.sh. ministrja e arsimit, nuk ka thënë ende sa shkolla janë të dëmtuara dhe a mund të zhvillohet mësimi javën që vjen. Shahini nuk na ka thënë si shkoi programi i trajnimit, për përballimin e një situate tërmeti në shkollat tona?. Kryeministri nuk ka thënë ende sa prej pallateve që ai ka dhënë leje, janë dëmtuar. Nuk na ka thënë asnjë fjalë për akulloren e Durrësit, Gjushin. Sa përgjegjësi ka ky kryetar legjendar me tre mandate, në kaosin e ndërtimeve në bregdet. Në qershor, ai u deklaroi durrsakëve se do ta qanin me lot Gjushin dhe vërtet, nuk pati gabuar. Por ama siç ndodh rëndom: krimineli kthehet sërish në vendin e krimit dhe me paturpësinë, maskarallëkun, ndjenjën e të qenit mirë me fatkeqësinë e tjetrit, u tall me njerëzit edhe në këtë ditë fatkeqësi e tragjedie mbinjerëzore. A ka më kashirrlëk se kaq? Kryeministri flet e bën mbledhje, cakton kujdestarë të hoteleve dhe ende nuk di gjendjen, pasi grupet në terren nuk duken gjëkundi. Shpall gjendjen e jashtëzakonshme, këtu, pastaj o lere se mu kujtua është edhe atje, por mund të kemi edhe këtu. Si mundet të flasësh, të dalësh e të kumtosh broçkulla, në një ngjarje të tillë? Deri ku mund të shkoj ligësia, paaftësia, mungesa e njohurive sesi administrohet një shtet, një fatkeqësi, si duhet të merren vendime të shpejta në ndihmë të popullit që të besoj, disa besonin se nuk e dinin, ose nuk do të ndodhte. Ja që ra tërmeti dhe e mësuam, në kuadrin dhe përmasën e saj të plotë, se çdo të thotë pasojat e tij në terren. Tani as ai vetë, kryeministri dhe sejmenët e tij që quhen deputetë, ministra e zëvendësministra, nuk mundohen të vendosin asnjë maskë, as ta fshehin kush janë. Janë ata që kanë qenë dhe që disa mundoheshin të gënjenin veten se janë ndryshe. Fshehja e dyfytyrësisë, nuk ka për të ndodhur. Dhe kjo nuk ndodhi për dëshirë të tyre. Jo. Forcat kosovare, greke, serbe, malazeze, rumune, franceze, italiane etj., nxorën në pah paaftësinë e të ashtuquajturit shtet që ne kemi, duke e treguar mbretin (më rastin tonë kryeministrin) lakuriq, që ende nuk e shikon do që nuk ka një robe në trup. Kryeministri vetë, tani duhet të kishte bërë llogaritë me ligjin, po të ishim në një vend tjetër, Gjushi me shokë po aq. Prokuroria dhe Policia e Shtetit, të lerë mënjanë spektaklin e urryer se fajin e ka media sociale, por të vërë prangat në duart qe tyre që meritojnë dhe pastaj le të merren edhe lajmin e rremë. Kush na siguroi për banesat e para viteve 1990, rrjetet sociale apo drejtori i Institutit të Ndërtimit? Kjo është detyra parësore, që duhet të bëjnë organet ligj zbatuese dhe të mos bëjnë heroin pa heroizëm në këtë rast kaq fatkeq. Ndërsa dënglat e pozitivitetit, të mos bëjmë politikë me fatkeqësinë, të jemi një e të bashkuar, ata që i kanë qejf le t’i mbajnë për tua treguar të tjerëve në formomë përralle, ose shefave të tyre, si furçe të radhës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.