Standard.al

Taksë për të hyrë në Tiranë, gazetari: Kjo është çmenduri! Rrëzohet nga çdo gjykatë pasi bie ndesh me disa parime…

0

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit përpara Komisionit të Ligjeve, duke kërkuar që të taksohen qytetarët e rretheve, të cilët hyjnë në Tiranë për të marrë shërbime. Prej kohësh, Veliaj e ka shtruar çështjen se Tirana ofron disa shërbime për ata që nuk janë banorë të saj, por merr përsipër kostot.

Gazetari Klodian Tomorri thotë se ky propozim është çmenduri. Sipas tij, taksa rrëzohet nga çdo gjykatë pasi bie ndesh me disa parime.

“I pari është parimi i mosdiskriminimit. Qytetarët janë njësoj të barabartë para ligjit. Nuk ka taksë që vendoset për disa qytetarë dhe nuk vendoset për të tjerët. Ça emri do i vendosim kësaj takse? Taksa e provincialëve apo taksa e fshatarëve? Sepse nëse kalon kjo taksë, qeveria nesër mund të vërë një taksë për barkmëdhenjte, një taksë për njerëzit e gjatë, një tjetër për njerëzit e shkurtër e kështu me radhë. Këto shembuj banalë janë për të treguar se çfarë çmendurie është ajo ide.

I dyti është parimi i përkatësisë. Tirana, Durrësi dhe çdo qytet tjetër i Shqipërisë janë pronë e shqiptarëve. Nuk janë pronë as e kryetarit të bashkisë, as e kryeministrit, cilido qoftë ai.

I treti është parimi i rezidencialitetit që mishërohet në sistemin tonë tatimor, neni 7 i ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Taksat paguhen atje ku je rezident. Ndaj kemi marrëveshje për eliminimin e taksimit të dyfishtë edhe me të huajt ne. Me mendjen e Bashkisë së Tiranës, ne duhet të na taksonin sa herë që dalim jashtë shtetit, për pushime apo për halle. Vajte dy ditë për vizitë në Milano, paguaj taksë për pastrimin dhe gjelbërimin e Milanos.

Së fundmi, argumenti ekonomik. Edhe ky nuk qëndron. Pretendimi i Bashkisë së Tiranes se gjithë shqiptarët vijnë në Tiranë për të marrë shërbime duke shkaktuar kosto dhe duke mos paguar asgjë është i pavërtetë.

Ata qytetarë që vijnë në Tiranë, paguajnë taksë tek çdo mall apo shërbim që marrin në kryeqytet. Sepse bashkia takson çdo biznes ku ata blejnë apo marrin shërbime. Përtej kësaj, Tirana nuk u bë e mira e dheut as nga Bashkia, as nga qeveria. Është konsensusi i të gjithë shqiptarëve për ta pranuar atë si kryeqytet, që ka zhvilluar ekonomikisht Tiranën dhe që rrjedhimisht mbush arkat e bashkisë me taksa,” shkruan Tomorri.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.